Facebook vs. Twitter, politika shqiptare e mitingut virtual

21 Shkurt , 2013 • Mediat e Reja • by

Kryeministri Berisha dhe kreu i PS, Rama po japin shenjat e para se fushata e re zgjedhore do të zhvendoset masivisht në rrjetet sociale. Numri injerëzve që mund të mblidhen në një shesh për të dëgjuar e brohoritur do jetë gjithmonë e më i paktë dhe pavarësisht tentativës për ta kuruar këtë me regji dhe kaseta për shikuesit në tv, ata vetë e dinë që për të pasur mitingje më të mëdha u duhen njerëzit virtualë. Një konferencë virtuale e Ramës në Twitter dhe profili në Facebook i kryeministrit Berisha, i cili u bë mjaft popullor në pak ditë, duket se janë shenjat e para të një virtualiteti masiv edhe në politikën shqiptare. Për politikanët kjo formë komunikimi mund të ketë leverdi. Shkruajnë atë që duan, aq sa duan dhe i mëshojnë atij mesazhi që u leverdis, pa pasur të bëjnë me ndërmjetës (redaktorë e gazetarë), të cilët do ta çonin gjuhën diku tjetër dhe shkurtonin për efekt kohe e rreshtash fjalimet dhe mesazhet.

Leverdia

A u leverdis politikanëve të shmangin median masive duke përdorur alternativat sociale (Facebook apo Twitter)? Teorikisht po. Gazetarët nëse janë të mirë dinë të jenë të bezdisshëm, dinë të bëjnë pyetjet e duhura dhe në mos njëherë një herë do t’i vinin në siklet politikanët, gjë që teorikisht shmanget në faqe të mirëadministruara të rrjeteve sociale, që në dukje duhet të jenë më demokratike, por prej ku realisht mund të fshish gjithçka që nuk të pëlqen. Madje më shumë se kaq, mes një lukunie prej mijëra fansash, çdo mesazh kritik (nëse nuk fshihet prej administratorëve) do të mbytej me lëvdata në pak minuta apo edhe sekonda dhe për ta rigjetur (jo më për ta lexuar) do duheshin orë të tëra. Për ndryshe kur ke të bësh me një intervistë ballë për ballë mundësia për të shmangur një pyetje që nuk të pëlqen është mjaft më pak e sikletshme në rrjetet sociale dhjetëra pyetje të tjera do ta mbulojnë atë dhe përveç pyetësit, pak kush do ta kuptojë që kjo ka ndodhur. Në një mënyrë apo një tjetër kjo bën të duket sikur politika ka “nxjerrë jashtë loje” median si një pol të tretë që mund t’i kontrollojë edhe pse informacioni që mund të marrësh prej një faqeje facebooku me gjithë numrin e jashtëzakonshëm të ndjekësve, është minimal e për më shumë i deformuar. Kështu mjafton fakti që të vizitosh faqet e Facebook të Kryeministrit apo atë të liderit të opozitës Rama, do të “ngopesh” menjëherë prej mesazheve optimiste dhe shprehjeve të pakushtëzuara të “dashurisë” apo  përbetime “besnikërie”. Një njeri që ka vërtet nevojë të informohet, do duhej të merrte sërish gazetën në mëngjes apo ndiqte një edicion lajmesh.

Mitingu virtual

Nga ana tjetër nuk janë politikanët ata që duhet të vrasin mendjen nëse njerëzit informohen ndershëm. Qëllimi i tyre është të bëjnë sa më shumë njerëz që i përkrahin dhe media sociale është një mënyrë perfekte për të arritur dhe mbledhur bashkë grupe masive përkrahësish. Mes qindra e mijëra komenteve dhe pafundësisë së shpërndarjeve e likeve, faqet sociale të  Berishës dhe Ramës duken në fakt si mitingje virtuale, ku nuk pushohet qoftë edhe për një moment së brohorituri edhe pse tek-tuk administratorëve mund t’u shpëtojë ndonjë mesazh antimiting. Sigurisht edhe vetë trupa e ndjekësve të mitingut virtual, megjithë premtimin se ky do të jetë një bashkëbisedim, e di mirë se, ashtu si në realitet, do duhet të kënaqet me faktin që sheh liderin. Nevila Qejvani, e cila thotë se e ndjek kryeministrin Berisha që prej ditës kur ai hapi faqen në facebook, thotë se asnjëherë nuk ka marrë përgjigje për komentet e saj. “Asnjëherë përgjigje, sepse mendoj se ka shumë komentues dhe nuk arrin dot t’u përgjigjet”, na shkruan ajo në një bisedë virtuale. Ndërkohë as ajo as disa të tjerë nuk shqetësohen shumë për faktin që lexohen apo jo nga Kryeministri. Ata masivisht janë të interesuar të brohorasin. Ana Ora (emër me shumë gjasa i stisur)  shkruan: “Je i madh. Do ta shembim këtë qelbësinën e fundit të komunizmit shqiptar, me besimin tonë dhe me besimin te Zoti do të fitojmë dhe do të fitojmë randë kundër ktijë”… Facebook apo tëitter i Ramës janë të mbushur nga ana tjetër me të njëjtin lloj optimizmi dhe euforie fitimtare. Kështu i nënshkruari Mio Destino i shkruan kreu të PS: “Z. Rama ishalla e ndryshoni ju Shqipërin. Ju përshëndes…”. Të tjerë shkrues janë po kaq entuziastë ndërsa harxhojnë më shumë kohë të shajnë rivalin përkatës dhe më pak të mburrin “idhullin” e tyre.

Rebelët virtualë

Intervista e Ramës në Twitter përfshiu në disa raste pyetje të bëra prej kundërshtarësh, njerëzish që përsëritën akuzat prej foltoreve të partive kryesore me idenë se kështu mund ta kryqëzonin atë. Po kështu jo rrallë njerëz të kampit tjetër depërtojnë deri në murin e Facebook të Kryeministrit dhe akuzojnë haptazi atë. Por numri i tyre në të dy rastet është mjaft i vogël krahasuar me shumicën adhuruese. Pjesërisht për shkak të faktit se ndjekësit onlinë nuk duan të duken në radhët e adhuruesve të palës tjetër e pjesërisht për faktin se administratorët e këtyre faqeve duket se punojnë me kohë të plotë për t’i “zhdukur” ata edhe kritikat e tyre.  “Bëra një koment (që nuk e mbaj mend fiks çfarë, sepse u fshi menjëherë ), por kishte të bënte me faktin se si ne shqiptarët si popullatë po sillemi si dele duke i bërë like pronarëve të pushtetit… më fshinë komentin më bënë dhe “block” me fjalë të tjera nuk mund të komentosh më në një faqe që konsiderohet “publike”, na thotë Alida Karakushi. E reja që ka provuar vetë fuqinë e rrjeteve sociale, duke nxitur pak kohë më parë një ceremoni nderimi për një vajzë të masakruar në Durrës, thotë se fati i komentit të saj ka qenë i ngjashëm edhe në faqen e Ramës edhe pse në këtë rast pyetja e saj e kritika mbetën në faqen e Facebook dhe nuk u fshinë. Në fakt në jo pak raste në të dyja faqet ka zëra që i shpëtojnë censurës (e cila nga një anë është e pamundur të provohet pasi nuk lë asnjë shenjë). Kështu në Facebookun e Kryeministrit, kur ky i fundit shpjegon ndryshimet, sipas tij, cilësore të bëra në trajtimin e personave me aftësi të kufizuara, kritikat jo vetëm që janë kursyer, por Berisha vetë ka sqaruar në dy mesazhe arsyet pse sipas tij ishin vonuar pagesat e ndihmës për këtë kategori. Një ndjekës, Adi Kuqoja, i shkroi Kryeministrit të enjten rreth orës 12 të mesnatës: “Këto shifra janë të bukura, por kanë dy muaj që nuk marrin as edhe një lek zoti Kryeministër”. Dhe ndoshta për habinë e tij dhe të personave që komentuan pas tij Kryeministri shkroi: “Përshëndetje Andi, faleminderit për komentin. Është e vërtetë se ka patur një vonesë për shkak të përllogaritjeve të energjisë, të kompensimit të saj, mbasi u gjenden abuzime të mëdha në faturimin e saj, por javën e fundit të dhjetorit e në vazhdim po bëhet dhënia e pensionit dhe çdo detyrimi ndaj tyre, natën e mirë. sb”.

Botuar në gazetën Mapo, 12 janar 2013

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend