E vërteta online: Gazetaria e verifikimit në pikëpyetje

5 Tetor , 2018 • Etika dhe Cilësia, Kryesoret, Mediat e Reja, Shkrimet më të fundit • by

Kontaminimi i sferës publike ndodh edhe për shkak se portalet vendosin t’u japin hapësirë postimeve të individëve të caktuar në “Facebook” pa i verifikuar së pari ato dhe pa e analizuar peshën e ndikimin që mund të kenë. Për shembull, statusi i një politikani tejet minor si Gëzim Kelmendi në “Facebook”, ku ai i quan shqiptarët “bijë të osmanlinjve” ka marrë mijëra pëlqime, komente e shpërndarje në portale, pasi aty është prezantuar si lajm. Njëkohësisht në profilin e Kelmendit në “Facebook” statusi i tij brenda dy javëve nuk ka marrë më shumë se 600 pëlqime dhe 40 shpërndarje. Kelmendi ka rreth 22 mijë ndjekës. 

Sikur “Facebook”-u të mos ekzistonte gjasat janë shumë të vogla që ndonjëri nga gazetarët do ta kontaktonte Gëzim Kelmendin, kryetar i partisë joparlamentare “Fjala”, për t’i marrë një reagim lidhur me deklaratat e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, për kufijtë e Kosovës. Në një prononcim të fundit për këtë, sipas agjencisë serbe të lajmeve “Tanjug”, Daçiq ka lënë të kuptohet se kufiri mes Kosovës dhe Serbisë nuk ekziston dhe ka pyetur: “Çfarë kufijsh? Kur ka ekzistuar kufiri mes Serbisë dhe Kosovës”.

Kjo deklaratë është bërë në kohën kur në Kosovë është shumë aktual debati për rezultatin përfundimtar të negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kryetari i partisë “Fjala”, Gëzim Kelmendi, postoi një status me jo më shumë se 200 fjalë në faqen e tij në “Facebook” si kundërpërgjigje ndaj Daçiqit. Mes tjerash, Kelmendi thotë se “kufirin e ka caktuar deri në Nish Sulltani” dhe se “shqiptarët janë bijtë e osmanlinjve”. Kanë mjaftuar këto konstatime të ish-deputetit Kelmendi për ta tërhequr vëmendjen e portaleve, të cilat menjëherë e kanë shndërruar në një lajm që ka marrë mjaft klikime.

Kontaminimi i sferës publike ndodh edhe për shkak se portalet vendosin t’u japin hapësirë postimeve të individëve të caktuar në “Facebook” pa i verifikuar së pari ato dhe pa e analizuar peshën e ndikimin që mund të kenë. Për shembull, statusi i një politikani tejet minor si Gëzim Kelmendi në “Facebook”, ku ai i quan shqiptarët “bijë të osmanlinjve” ka marrë mijëra pëlqime, komente e shpërndarje në portale, pasi aty është prezantuar si lajm. Njëkohësisht në profilin e Kelmendit në “Facebook” statusi i tij brenda dy javëve nuk ka marrë më shumë se 600 pëlqime dhe 40 shpërndarje. Kelmendi ka rreth 22 mijë ndjekës.

Një koment i tillë që kërkon referenca të forta historiografike, fillimisht nga Kelmendi e më pas nga  mediet që e publikojnë, megjithatë nuk ka kaluar pa reagime e komente nga figurat publike dhe nga qytetarët.

Gazetarët nuk do ta kontaktonin as gazetarin holandez Vincent Triest që punon në Shqipëri po të mos e postonte ai vetë në “Twitter” një video të vjetër të të ashtuquajturës Armatë Kombëtare Shqiptare (AKSH). Bëhet fjalë për një video kërcënuese ndaj liderëve kosovarë për dialogun me Serbinë. Një version i videos që u shit si lajm i ri në vitin 2018 është postuar edhe në vitin 2015.

Gazetari holandez kërkoi shpejt falje në faqen e tij në “Twitter” për videon e vjetër të publikuar si të re. Por në epokën e informacionit të pandërprerë, reagimi i tij nuk bëri punë. Materiali udhëtoi në portalet kosovare dhe në shumë medie në Serbi; çka solli edhe debateve konfliktuoze ndëretnike, ndonëse në distancë. Lajmet për Armatën Kombëtare Shqiptare tingëllojnë të besueshme për audiencën edhe për shkak të relevancës kohore, ndaj edhe kanë shpërndarje të gjerë. Në lidhje me këtë gazetari holandez tha se askush nga gazetarët nuk e ka kontaktuar për më shumë informata rreth videomaterialit. Lajmi për rishfaqjen e Armatës Kombëtare Shqiptare është ende i pranishëm në mediet e shkruara.

Janë disa raste vetëm muajve të fundit kur individë të caktuar kanë shpërndarë informata të pafaktuara dhe portalet janë ndikuar duke i shndërruar në lajme ekskluzive për lexuesit e tyre pa i verifikuar dhe pa i zbuluar në mënyrë të pavarur.

Arti Lushi, i parafrazuar nga portalet si poet i ri, postoi në llogarinë e tij në “Facebook” se shkrimtari Ismail Kadare është shtrirë në një spital në Paris si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore. “Miq, më vjen keq të ndaj një lajm të hidhur me ju. Sapo më njoftuan nga spitali ‘Arnand Trouseau’ në Paris që shkrimtari ynë kombëtar, Ismail Kadare, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Uroj që Zoti t’u japë forcë e kurajë familjarëve dhe të afërmve, e mbi të gjitha qetësinë për të pranuar vullnetin e epërm”, shkroi Art Lushi në “Facebook”.

Nuk vonoi shumë dhe ky postim u bë lajm në portalet në Kosovë dhe në Shqipëri. Por si i tillë ai u hodh poshtë si i pavërtetë nga miqtë e shkrimtarit, Bujar Hudhri, botues dhe Beti Njuma, gazetare. Disa portale e hoqën menjëherë lajmin nga rrjeti, ndërsa ka të tilla ku ky lajm i pavërtetë mund të lexohet edhe sot.

Pa fakte dhe pa dokumente mbështetëse ishte edhe statusi i gazetarit Nexhmedin Spahiu për datën e lindjes së Adem Jasharit. Në një postim të datës 18 gusht, në “Facebook” në llogarinë e tij personale, Spahiu, shkruan se Adem Jashari nuk u lind më 28 nëntor, por më 10 tetor të vitit 1955. Ka mjaftuar statusi me jo më shumë se 70 fjalë dhe pa ndonjë dokument që e mbështet pohimin në mënyrë që informata të jetë lajm kryesor për disa orë në portalet dhe në mediet audoivizuale në Kosovë.  Vërshuan edhe titujt tërheqës në portale, por që burim të vetëm e kishin statusin e Nexhmedin Spahiut.

Postimi i Nexhmedin Spahiut është bërë më 18 gusht dhe për disa ditë, në kohën kur po shkruhet artikulli, ka marrë vetëm 295 pëlqime, po kaq komente dhe është shpërndarë 15 herë. Por mijëra pëlqime, komente e shpërndarje ka marrë informata e distribuuar nga ai në mediet online.

Duke u bazuar në monitorimin për lajmet e para që janë shkruar mbi këtë çështje, ka munguar kontakti me Zyrën e Gjendjes Civile të Komunës së Skenderajt, institucionet qendrore të Kosovës, ose edhe me vetë familjen Jashari – deri në momentin e reagimit në formë demanti, në “Facebook”, të Bekim Jasharit, nipit të heroit. Edhe statusi i tij ka gjetur vend në medie sikurse edhe disa postime të Bekim Jasharit në ditët në vijim. Këta shembuj, por edhe të tjerë tregojnë se ka një ndërveprim të shtuar në mes të medieve sociale dhe gazetarëve me ata që potencialisht mund të shërbejnë si burime informacioni. Kjo në njërën anë është përparësi, sepse shpesh vijat e para të informacionit vijnë nga dëshmitarë okularë, të cilët raportojnë për ngjarjet e fundit, por në anën tjetër jogjithmonë informacionet që qarkullojnë në mediet sociale janë kredibile pasi ekziston rreziku i lajmeve të pavërteta dhe propagandës.

Ky artikull është përkrahur në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN-i e nga AGK-ja. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose i BIRN-it dhe i AGK-së. 

 

Burimi: https://zeri.info/zerat/219239/e-verteta-online-gazetaria-e-verifikimit-ne-pikepyetje/

Tags:, , ,

Send this to a friend