Kur gazetarët bëjnë raportime të trukuara

25 Tetor , 2012 • Liria e medias, Profesionalizmi në media • by

Nga momenti që vendos të informosh mbi një ngjarje, është krejt e pajustifikueshme të bësh raportim të trukuar dhe është krejt e pafalshme që një gjuhë denoncuese të dikujt ta përcjellësh te spektatori si të kundërtën e vet, d.m.th si një mesazh mirëkuptimi, empatie e simpatie.

Ambasadori i SHBA-ve, Alexander Arvizu, dha pardje pasdite një intervistë për televizionin “ABC News”. Ishte një intervistë e fokusuar te vetëm një argument, te greva e urisë e një grupi ish të përndjekurish, e cila ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve edhe (sidomos) për gjestin e Gjergj Ndrecës e Lirak Bejkos, që i vunë flakën vetes. Ambasadori amerikan ka shkuar në çadrën e grevës, është takuar me ta, i ka dëgjuar, u ka thënë çfarë ai mendon lidhur me këtë gjë, dhe për të gjitha këto mass-media e Tiranës ka informuar, ashtu siç ka informuar dhe për vizitën që ai i bëri Gjergj Ndrecës në spital, në reanimacion.

Megjithatë, ftesa që Sonila Meço e “ABC News”-it i ka bërë është e kuptueshme dhe logjike, pasi në këtë mënyrë ai mund të shpjegonte më qartë e më hollësisht qëndrimin e vet lidhur me këtë grevë, të cilën qeveria shqiptare, mbi të gjitha Kryeministri Berisha, e ka etiketuar si politike. E vërteta është se Berisha nuk është ndalur këtu; ai ka denigruar publikisht grevistët si trafikantë, pijanecë, të blerë nga opozita, dhe në gjithë këtë histori është mbështetur në radhë të parë nga vartësit e tij, e më tej edhe nga intelektualë publikë (para dy ditësh ish Agron Tufa, e dje ish Amik Kasoruho, që merrnin distancë të qartë nga kjo grevë e nga vetë grevistët) e nga zëra të tjerë të kategorisë së ish të përndjekurve (dje publikohej në një gazetë një deklaratë e ish të përndjekurve të Korçës, me anë të së cilës këta të fundit demonstronin solidaritetin e tyre me qeverinë dhe denonconin bashkëvuajtësit e tyre që ishin futur në këtë grevë).

Në këtë kontekst pra, ftesa që i është bërë Arvizusë është një ide shumë gazetareske. Me siguri, Arvizunë e kanë ftuar për këtë çështje dhe të tjerë në studiot e tyre, por ai duhet ta ketë zgjedhur televizionin “ABC News” me një synim të qartë: ka dashur të përcjellë mesazhet e njohura tanimë pikërisht atje, në atë televizion që dallohet për një linjë editoriale të afërt e ledhatuese me qeverinë e me mazhorancën. Dhe mesazhet e tij ishin shumë të forta. Më kryesori i mesazheve ishte ai që gazetat e kishin sintetizuar me frazën e përdorur si titull “S’je i aftë të negociosh me ata që s’i sheh dot me sy? Ik, lëre politikën, dhe hapu rrugë të tjerëve ta bëjnë atë punë”.

Një pjesë të intervistës, tok me kumtet e rëndësishme, e lexova në të përditshmet e djeshme, por dikush më cyti të futesha në versionin online të televizionit “ABC News” për të parë raportimin që gazetarët e atjeshëm i kishin bërë intervistës që anchorwoman-ja e tyre i kish marrë personalitetit më të rëndësishëm në Shqipërinë e këtyre kohëve (është i tillë, apo jo?). Me shumë gjasë, është i njëjti raportim që është lexuar nga folëset e lajmeve të këtij televizioni. U futa në sitin www.abcnews.al, klikova tek intervista e Arvizusë, dhe ja se ç’gjeta (po e publikoj të plotë, me një redaktim të lehtë ortografik):

“Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu i ftuar në studion [e televizionit] “ABC News”, ka komentuar lidhur me grevën e ish të përndjekurve politikë. Sipas tij, vizita në tendën e grevistëve kishte si synim njohjen nga afër të kërkesave të tyre. ‘Çështje e ndjeshme për shumë shqiptarë, njëkohësisht dhe për mua dhe ndaj theksoj se grevistët duhej të ishin vizituar nga të gjithë përfaqësuesit politikë. Vizita ime ishte humane’, vlerësoi Arvizu. Në gjykimin e ambasadorit, dialogu është zgjidhja e vetme e çështjes. ‘Kjo u përket shqiptarëve, SHBA mund të luajë rolin e një ure që të lartësohet komunikimi, dhe jo ndërmjetës i saj. Qeveria të bëjë një punë më të mirë, duke kontaktuar me njerëzit që kanë këto kërkesa’, deklaroi ai. Sipas ambasadorit, pozita dhe opozita duhet të bëhen pjesë e zgjidhjes, dhe jo e problemit. ‘Përdorimi politik i grevës nuk është zgjidhje. Si qeveria ashtu dhe opozita duhet të zhvillojnë kontakte me grevistët, për të gjetur zgjidhje. Në një shoqëri demokratike, njëri prej detyrimeve është të zhvillosh dialog, pavarësisht se me cilën palë”, vuri në dukje ambasadori. Njëkohësisht në gjykimin e tij, është se pikërisht kapërcimi i grevës do ta ndihmonte Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së. ‘SHBA mbështet integrimin e Shqipërisë në BE dhe theksoj se plotësimi i tre kushteve të KE kërkon domosdoshmërisht vullnet nga palët politike. Por njëkohësisht i mëshoi faktit se kapërcimi i grevës dhe zgjidhja e këtij problemi do ta ndihmonte Shqipërinë në rrugën drejt BE’, deklaroi Arvizu, gjatë intervistës së tij.”

Ky raportim nuk ka poshtë emrin e gazetarit, dhe shyqyr që s’e ka. Është turp të vësh emrin poshtë raportimeve të tilla, që s’kanë asnjë lidhje me ngjarjen që ato kanë në fokus. Është aq e vërtetë kjo këputje mes raportimit e ngjarjes reale sa të vjen të besosh se nuk bëhet fjalë për intervistën e ambasadorit amerikan, Alexander Arvizu dhënë Sonila Meços së televizionit “ABC News”, më datë 16 tetor 2012, por për ndonjë intervistë të dhënë nga dikush tjetër. Vetë Arvizu do jetë skandalizuar nga ky fakt, nëse ia kanë bërë me dije. Dhe në fakt është tamam një skandal. Ambasadori duhet të jetë menduar gjatë para se të shkojë atje, dhe me siguri që i ka shoshitur gjerë e gjatë, tok me këshilltarë të vetët, mesazhet e forta që ka dashur të përcjellë. Ai nuk është se i lëshon ditë për ditë mesazhe të tilla. Përkundrazi, ai ka 100 vjet që nuk i jep gojës në këtë fare feje me kritika në adresë të Kryeministrit, e për ta dëgjuar të flasë në këtë mënyrë do na duhet të presim nja 100 vjet të tjera. Dhe keni parë ju? Pikërisht në këtë moment atipik e tekanjoz të jetës së vet, dalin reporterët e televizionit “ABC News” dhe ia zbutin, qullosin e sheqerosin fare atë intervistën, aq sa ajo duket si e dhënë prej Patozit, Nishanit, Pollos etj., apo nga vetë Arvizuja i 100 viteve më parë.

Personalisht, nuk kam ndonjë gjë me orientimin editorial të këtij televizioni. Është punë e tyre, dhe pikë. Madje, s’kam gjë kundër edhe në rrethanat, kur një televizion do ta shihte të udhës të mos e jepte fare si lajm këtë intervistë me një ambasador. Por nga momenti që e thërret ambasadorin me bujë të madhe të japë një intervistë në një program të rëndësishëm tëndin, dhe nga momenti që ti vendos të informosh mbi këtë ngjarje, është krejt e pajustifikueshme të bësh këtë raportim të trukuar dhe është krejt e pafalshme që një gjuhë denoncuese të dikujt ta përcjellësh te spektatori si të kundërtën e vet, d.m.th si një mesazh mirëkuptimi, empatie e simpatie.

“Qofshi ju që jeni!”, më vjen t’u them atyre që i kanë bërë, apo urdhëruar, raportime të tilla.

 

Send this to a friend