Vetëkallëzimi i partive si censurë shqiptare

28 Korrik , 2013 • Media dhe Politika • by

Vendimi jo vetëm i cunguar, por edhe lajthitës i Bordit të Monitorimit të Mediave pranë KQZ-së, ka rikthyer edhe një herë problemin e madh që shkakton vetëkallëzimi i partive politike për fushatën zgjedhore të 23 qershorit 2013. Ky bord zyrtarizon praktikën e pranimit nga editorët e mediave audiovizive shqiptare, të kasetave apo DVD-ve që editohen dhe serviren nga studio portative të selive partiake. Këto materiale edhe zyrtarisht orientohet që të transmetohen prej mediave në kohën e paracaktuar televizive për veprimtaritë e ditës nga partitë. Një praktikë e tillë, e nisur në fushatën e vitit 2011, shkaktoi atëkohë reagime nga disa prej mediave në vend dhe organizatat e gazetarëve. Kritika të shumanshme vërshuan, duke e konsideruar një cenim serioz të së drejtës për informim të lirë dhe të pavarur nga shoqatat ndërkombëtare dhe raportet vjetore për lirinë e medias në Shqipëri.

Vendimi i kësaj jave i marrë pa konsensus të të gjithë anëtarëve të Bordit Monitorues dhe i kaluar edhe në KQZ, shënon një akt të pastër të shpërfilljes dhe injorimit të integritetit të editorëve shqiptarë. Tashmë ai jo vetëm listohet, por edhe arkivohet si një fyerje për nevojën e raportimit të pavarur, asnjanës dhe të mëvetësishëm prej reporterëve profesionistë që punojnë për gjithë spektrin mediatik të vendit. Përmes një shkrese të tillë, ky bord rikthen edhe një herë një praktikë tipike shqiptare të marrëdhënies elektorale që partitë politike tentojnë t’u imponojnë editorëve dhe mediave të vendit në tërësi. Ky akt zyrtar tenton të instalojë një përvojë që injoron disa prej kritereve klasike të raportimit të pavarur dhe mbi të gjitha, nevojën për pasqyrim të drejtpërdrejtë dhe autentik të reporterëve që investohen përditshmërisht për sjelljen në sytë e publikut të realitetit elektoral dhe prej të gjitha veprimtarive të partive politike që konkurrojnë në këtë fushatë zgjedhore. Por po kaq përdhunshëm, zyrtarizimi i një praktike të tillë, instalon mekanizmin e një vetëkallëzimi elektoral nga partitë, duke shmangur dhe evituar së pari transparencën për komunikimin elektoral që udhëheqësit politikë e partiakë, si dhe subjektet në tërësi, realizojnë me banorët e zonave urbane dhe rurale të vendit.

Pranimi nga redaksitë profesioniste të mediave audiovizive e materialeve që editohen nga redaksitë e instaluara pranë selive partiake, është një fyerje e rëndë e integritetit profesional dhe njëkohësisht një përdhosje dhe humbje flagrante e besueshmërisë që audienca shqiptare ka fituar në kaq vite ndaj mediave të vendit. Kjo dhuratë që lehtëson në dukje, koston financiare për administratorët apo pronarët e mediave, gropos dhe informalizon plotësisht misionin e mediave në një shoqëri të lirë e me media të pretenduara të lira.  Imponimi zyrtar dhe pranimi me ndërgjegje i materialeve të tilla partiake, zhbën autoritetin e editorit dhe mbi të gjitha informalizon vetëpërmbajtjen mediatike të informacionit ditor për fushatën zgjedhore. Të pranosh kaseta të tilla partish, do të thotë të mirëpresësh dhuratën me brendi dhe përmbajtje të pastër censure dhe të improvizosh një skemë qesharake të pasqyrimit të mitingjeve partiake në ekranet e vendit. Gabimi trashanik i Bordit Monitorues të Mediave, parë hollë-hollë ndëshkon vetë autoritetin dhe besueshmërinë ndaj institucionit pranë të cilit është instaluar ky bord, pra KQZ-së.

Legalizimi i kësaj praktike, legjitimon vetëkallëzimin partiak të veprimtarisë ditore elektorale nga partitë e shumta, duke shmangur mbi të gjitha nevojën për një transparencë rreth komunikimit praktik që realizojnë udhëheqësit në terren. Kjo bën të mundur që itinerari ditor i udhëheqësve në mediat tona të pasqyrohet si imazh i një vërshimi të pandalshëm populist si majtas dhe djathtas, dhe të krijohet perceptimi socreal publik se ky vend dhe këta banorë të kredhur në ovacionin turmal, mezi kanë pritur të shijojnë mitingjet dhe brohoritjet para dhe përreth udhëheqësve. Kësi kasetash nuk sjellin informacionin real për marrëdhënien komunikuese që ndërtohet mes banorëve dhe udhëheqësve partiakë, nuk japin informacion dhe dijeni mbi projektet që premtohen dhe ato që nuk janë realizuar. Lumturia mitingashe në këto kaseta është kriteri bazë, të cilin redaksitë e instaluara në selitë e partive e respektojnë rigorozisht për interes të udhëheqësit dhe iluzionim të qytetarëve.

Nga ana tjetër, investimi i selive partiake për kësi mediash portative në selitë e tyre, ka krijuar një marrëdhënie të dyshimtë dhe komprometuese mes operatorëve audiovizualë dhe entit publik rregullator, pra AMA-s. Kanalet televizive portative dhe virtuale që kanë instaluar partitë politike në selitë e tyre, ndër të tjera kanë sjellë një pabarazi pasqyrimi edhe mes spektrit partiak konkurrues në këtë fushatë. Në emër të një pasqyrimi jo përjashtues është instaluar mekanizmi i pasqyrimit të pabarabartë mediatik.

Kundër kësaj censure të drejtpërdrejtë dhe të tipit shqiptar, nuk mjafton vetëm një solidaritet i gjithë editorëve dhe reporterëve të mediave audiovizive shqiptare. Hedhja poshtë dhe refuzimi kategorik i kësaj praktike, ka të bëjë me besueshmërinë dhe sidomos integritetin e gazetarit në përgjithësi. Beteja refuzuese ndaj vendimit është në thelb betejë për rikthim në misionin natyral të vetëraportimit dhe të  informimit, duke e transferuar pasqyrimin empirik të kësaj fushate në një raportim të thellë, ku matanë konkurrimit me mitingje dhe flamuj të shohim brendinë konkurruese të platformave dhe programeve elektorale të koalicioneve dhe aktorëve të tjerë zgjedhorë. Letrën e atij vendimi, bordi i cunguar i këtij monitorimi, duhet ta rimbledhë, për ta arkivuar në formën e një tabele: “Vetëkallëzimi partiak i fushatës, rrezik vdekjeje për gazetarët dhe mediat e pavarura”.

Botuar në gazetën Shqip, datë 6 qershor 2013

 

Send this to a friend