Studimi: Shumica e gazetave europiane aplikojnë pagesë për lajmet online

24 Gusht , 2017 • Kryesoret, Modele Biznesi, Shkrimet më të fundit • by

Sipas një studimi të Institutit Reuters për Studime në Gazetari,  shumica e gazetave ditore dhe javore europiane po aplikojnë pagesë ndërkohë që të ardhurat nga reklamat bien dhe reklamimi dixhital po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt kompanive të mëdha teknologjike.

Studimi zbulon se rreth 66% e gazetave ditore dhe rreth tre të katërtat (71%) e gazetave javore dhe e revistave të lajmeve kanë aplikuar një lloj modeli me pagesë, duke përfshirë modelet e quajtura freemium, metered paywall apo hard paywall.  Gjithsesi, të gjithë transmetuesit televizivë si dhe shumica e sajteve të lindura në mjedisin dixhital ofrojnë akses falas për lajmet e tyre.

Studimi i Institutit Reuters  Modelet me pagesë për lajmet europiane analizon përhapjen e këtyre modeleve në 171 kompani kryesore mediatike, përfshi këtu kompanitë audio-vizive, ato të mediave dixhitale që në lindje, si dhe gazetat ditore dhe javore në 6 vende europiane (Finlandë, Francë, Gjermani, Itali, Poloni dhe në Mbretërinë e Bashkuar).

Ja gjetjet kryesore:

  1. Shumica (66 %) e gazetave ditore dhe rreth tre të katërtat (71%) e gazetave javore dhe e revistave të lajmeve kanë aplikuar një lloj modeli me pagesë
  2. Të gjithë transmetuesit audio-vizivë ofrojnë akses falas për lajmet e tyre. Këtu përfshihen si transmetuesit privatë edhe ata të shërbimit publik.
  3. Pothuajse të gjitha (97%) websajtet e lajmeve të lindura në mjedisin dixhital ofrojnë akses falas për lajmet e tyre.
  4. Çmimi mesatar për abonimet më të lira mujore në organizatat që aplikojnë modelin me pagesë ) është 13.64 Euro (£11.56). Çmimet variojnë nga  10 euro (£1.78) në 54.27 euro (£46) në muaj.
  5. Mesatarja më e lartë mujore është verifikuar në Mbretërinë e Bashkuar (€22.26) (£18.87)) dhe më e ulëta në Poloni (€7.21 (£6.11)).

Zhvillimet janë të ndryshme nga një vend në tjetrin:

  1. Përqindja më e madhe e gazetave që aplikojnë pagesë gjendet në Finlandë (87%), Francë (95%), dhe Poloni (90%).
  2. Në kontrast me këtë, shumica e gazetave ditore apo javore që u studjuan në Itali dhe në Mbretërinë e Bashkuar ofronin akses falas në lajmet e tyre dixhitale. Në Gjermani, pothuajse gjysma (48%)  e gazetave ditore apo javore ofronin  akses falas në lajmet e tyre dixhitale

Autori kryesor, Dr Alessio Cornia, thotë: “Ne zbuluam se gazetat dhe revistat e lajmeve në Europë po largohen nga ofrimi i lajmeve dixhitale falas dhe nga mbështetja kryesisht tek reklamat dhe po krijojnë një aradhë të gjerë burimesh të të ardhurave, përfshi këtu edhe modelet me pagesë. Gjithsesi duket qartë se lloje të tjera mediash, sidomos ato televizive si dhe mediat dixhitale që në lindje, akoma po e ofrojnë falas përmbajtje e tyre dixhitale të lajmeve”.

Dr Annika Sehl, bashkë-autore e studimit thotë: “Modelet me pagesë janë të përhapura sidomos në tregje si Finlanda të cilat janë të dominuara nga një numër i limituar aktorësh të fuqishëm, dhe në ato vende që kanë një treg të dobët të reklamimit dixhital siç është Polonia. Në tregjet me më shumë konkurencë dhe me ndarje më të gjerë të tortës së reklamave, si Mbretëria e Bashkuar, shumica e lajmeve dixhitale ofrohen akoma falas”.

Drejtuesi i studimit, Dr Rasmus Kleis Nielsen, thotë: “Rritja e tregut të reklamës së shfaqur në mjedisin dixhital ka shtuar edhe sfidat si dhe ka inkurajuar gjithnjë e më shumë organizatat e mediave që të eksperimentojnë me modele me pagesë për të mbështetur lajmet.”

“Të bindësh njerëzit që të paguajnë për lajmet dixhitale është punë e vështirë dhe do të jetë një proces i ngadaltë, por ne po shohim shenja inkurajuese që tregojnë se njerëzit e grupmoshave të ndryshme, përfshi edhe përdoruesit e rinj të medias, janë të dëshiruar të paguajnë për përmbajtje cilësore dhe për shërbimet online që i gjejnë me vlerë dhe të dobishme,” thotë Kleis Nielsen.

Shkarkoni Librin e të Dhënave këtu.

pic credit: Flickr CC, Standaard, Peter Forret

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, , , ,

Send this to a friend