Fushata 2013 e ka gjetur median shqiptare në sediljen e spektatores. Televizionet riprodhojnë përmes frekuencave televizive që i ofrojnë të gatshme partitë politike spektaklet ditore, ndërsa gazetat riprodhojnë mitingjet që shfaqen në televizione
Fushata elektorale e këtij viti dallon dukshëm nga ajo e fushatave të meparshme, jo se në të kaluarën kemi pasur më shumë përmbajtje e më pak formë, porse për zgjedhjet e 23 Qershorit dominon vetëm forma. Në vend të takimeve elektorale tani kemi spektakle të mirë inskenuara dhe teatër politik me protagonistët e njëjtë, Berisha, Rama, Meta dhe figurantët e pandryshuar që janë votuesit shqiptarë.
Fushata e këtyre zgjedhjeve mban erë Amerikë dhe Angli. Doktorët e komunikimit publik kanë hartuar strategji bashkëkohore që përfshijnë edhe trendet më të fundit të ndëraktivitetit me elektoratin si Twitter, Facebook etj. Të dyja partitë e mëdha ajo demokratike dhe partia socialiste garojnë me regji dhe skenografi të posacme që janë vënë në dispozicion të lidërve politik për të recituar fjalimet e radhës.
Element tjetër i veçantë i fushatës është përdorimi i sondazheve që masin opinion publik për mënyrën se si reagojnë ndaj mesazheve politike, platformave, batutave të politikanëve, pikave të forta të Berishës apo Ramës. i vetmi që po bën fushatë më demek fshehurazi por me manual amerikan dhe super organizim derë më derë në Tiranë është Kryetari i Bashkise Basha, që po përdoret për të pastruar imazhin e maxhorancës së konsumuar në 8 vjet falë shiritave të rinj dhe rrugëve asfaltfreskëta që nuk dihen nëse do mbajnë cilësinë pa ndonjë gropë deri në 23 Qershor
Fushata 2013 e ka gjetur median shqiptare në sediljen e spektatores. Televizionet riprodhojnë përmes frekuencave televizive që i ofrojnë të gatshme partitë politike spektaklet ditore, ndërsa gazetat riprodhojnë mitingjet që shfaqen në televizione në rastin kur nuk kanë ndonjë axhendë personale të pronarëve të tyre për ti “rënë” njërit krah dhe për ti bërë lapidar elektoral krahut tjetër. Media shqiptare po rrezikon efektin e njohur si “kërcënim nga jo realiteti” i artikuluar nga historiani amerkan Daniel Boorstin që në vitin 1961 në librin “Imazhi”.
Boorstin flet për “pseudo-evente” që konsiderohen të gjitha aktivitetet që nuk janë spontane, por planifikohen dhe organizohen me një qëllim të caktuar që të raportohen në media. Problematike në “pseudo-eventet” janë marrëdhëniet me realitetin dhe raporti i publikut me politikanët, pasi elektoratit i injektohen iluzione të stisura për qëllime elektorale sic është psh modeli i Town Hall-eve apo Këndi i Fjalës ku origjinaliteti zëvendësohet me artificialen dhe ku interesi i publikut është i fundit për të cilit i bëhet vonë politikanëve në fushatë.
“Pseudo-eventet” janë e kundërta e takimeve të sinqerta me qytetarët. Ngjarjet e vërteta janë takimet derë më derë të shumë kandidatëvë për deputetë në zona e tyre që media as i sheh dhe as i raporton, thjesht për faktin sepse gazetarët kanë humbur kontaktin me terrenin. Fushata e 23 Qershorit është modernizuar aq shumë sa e ka zëvendësuar rolin e reporterit me USB apo fishë të transmetimit të direktes. Fatkeqësia është se “pseudo-eventet” në më të shumtën e rasteve nuk prodhojnë lajme dhe janë krejtësisht të parëndësishme për tu raportuar në media. E kundërta po ndodh dhe do vazhdojë do ndodhë edhe pas 23 Qershorit falë trekendëshit të shprishur Politikë-Media-Publik.
Botuar në revistën Java, datë 1 qershor 2013