Çfarë na mungon në lindjen e një epoke të re televizive

17 Prill , 2018 • Kryesoret, Marrëdhëniet Publike, Shkrimet më të fundit • by

Çdo teleshikues që mundohet t’i hedhë qoftë edhe shkarazi sytë ekranit të vogël, vështirë se nuk mund të ngacmohet menjëherë nga të menduarit për një çështje të caktuar, sugjerimeve të momentit që atij mund t’i vijnë apo edhe reflektimeve që përfaqësojnë kritikat dhe analizat për një ndodhi të fundit. Kjo është ajo çfarë prodhon televizioni tek shikuesi apo tek ai që sapo e ka “gjuajtur” ose hedhur në grep atë. Por të menduarit apo leximi i situatës që televizioni prodhon është vetëm hapi i parë drejt edukimit për median, i cili sot është kthyer në një fenomen të pandashëm në mjediset familjare e më gjerë.

Por e vërteta është se edukimi i medias është më shumë se kaq. Ai rezulton të jetë i tëri një proces në të cilin ndërgjegjësimi individual për median kalon nga kriticizmi si një mënyrë për të parë botën me dyshim e deri tek superpushteti që ai në thelb mbart. Nisur prej këtyre perceptimeve dhe mjedisin multimedial në të cilën Shqipëria gjendet, u orvata të tërhiqem prej disa modeleve që mbeten gjithmonë si referenca profesionale për të gjithë ne, njerëzit e medias, ose atyre të cilët vazhdojnë të besojnë në një gazetari ende profesioniste në Shqipëri. BBC, rrjeti i transmetuesit publik në Britaninë e Madhe sapo ka miratuar raportin e vet vjetor me një mori debatesh dhe polemikash, që u përcoll dhe andej në shtyp, por ajo që ne na ndan me atë botë nuk janë vetëm marrja seriozisht e një pune, por mbi të gjitha mungesa e një vëmendjeje e atyre që pretendojnë se po bëjnë media, e krijuesve apo edhe e menaxherëve të saj. Çfarë doli prej atij raporti, u mbajt e gjitha shënim. Ajo që ne duam të përcjellim që këtej është dëshira, dëshira e mirë për të ndjekur modelet më të mira dhe jo çfarë është më e lirë për një treg po aq të lirë.

Plani i ri vjetor që drejtuesit e BBC–së, Rrjeti i Transmetuesit Publik në Britani, kanë hartuar për dymbëdhjetë muajt e ardhshëm të këtij viti përshkruan rëndësinë e rolit që ky transmetues duhet të ketë në shoqëri. Trajtimi i informacionit të krijuar (i stisur) dhe lajmi i gënjeshtërt që po kërcënojnë vazhdimisht debatin publik bazuar aspak në fakte dhe prova po tronditin besueshmërinë në profesionin e gazetarit. Në kuadrin e një perceptimi të përgjithshëm që ka krijuar Britania e Madhe me procesin e Brex-it, si një vend i fragmentarizuar prej një pjese të Europës, po aq i diferencuar edhe mes vetes prej problemeve të shumta që solli ky fenomen, BBC, ky transmetues gjigant publik pritet të maksimizojë të gjitha mundësitë e veta për të sjellë vendin në një unifikim social dhe kulturor.

Ky pikësynim mbetet prioritar në një kohë kur vendi po kërkon të ripërcaktojë marrëdhëniet e tij me botën. BBC beson se rrjeti i transmetuesit publik mund të lozë një rol vital në arenën ndërkombëtare, duke shërbyer madje dhe si gur themelor në industritë krijuese të Mbretërisë së Bashkuar. Nëse i hidhet një sy raportit të ri vjetor, lexohet ndër të tjera se BBC pretendon gjithashtu të jetë forca e parë që do të ndihmojë vendin të ushtrojë ndikimin e vet në lëmin soc-kulturor në mbarë botën.

Plani i tij vjetor i sapomiratuar përcakton qartazi draft-agjendat krijuese të BBC-së për gjatë vitit. Ndër të tjera, se si BBC do të mund të përmbushë detyrimet e veta në Licencën e Operimit të Ofcom-it (autoriteti rregullator i miratuar nga qeveria britanike për industritë e transmetimit, telekomunikacionit dhe shërbimit postar në Mbretërinë e Bashkuar) dhe angazhimet shtesë që shkojnë më tej, si ofrimi i një përmbajtjeje qartësisht të dallueshme me cilësi të lartë, si dhe një përditësim i agjendës në total, bazuar mbi strategjinë e saj trevjeçare, hartimi i një buxheti të lartë dhe qasjet e reja të bordit ndaj detyrave që ai ka.

Në kohën e një krize multimediale e kur menaxherët në media përgjithësisht në Europë, qasen të trazuar përballe një bumi të shpejtë teknologjik, ajo çfarë mund të vërehet janë pikërisht këto rrjete të mëdha që shpalosin programe/sfida, të cilat mund t’i adaptosh referuar kontekstit të çdo vendi që u takon. Cilat ne mund t’u referohemi kur bëhet fjalë për rrjete të tilla janë gjithmonë vështirë t’i adaptojmë, por thelbi mbetet i njëjtë: mosikja nga njeriu. Sado një media të lindë prej biznesit dhe prej qëllimit si e tillë, profesionistët nuk duhet t’ua ndajnë sytë modeleve që bota ofron më mirë. Cilat janë objektivat planvepruese që BBC paraqet në shpalosjen e misionit të saj. Mënyra se si audienca, veçanërisht audienca e moshave të reja konsumojnë media po ndryshon me shpejtësi, duke njohur rrugë të reja e shumë më të sofistikuara në ndjekjen e saj. BBC pritet të vazhdojë t’u përgjigjet ndryshimeve në varësi të konsumit nga audiencat dhe duke rishpikur elementë të rinj herë pas here për një brez të ri të pakontrolluar tashmë në ofertat që merr nga tregu online.

Ekspertët shpjegojnë se tregu i mediave është duke u zhvendosur me shpejtësi nga një platformë në tjetrën, ndërsa investimi në përmbajtjen britanike në të gjithë industrinë televizive po bie. Përderisa tregu ndërkombëtar i medias gjithnjë e më shumë po dominohet nga një numër i vogël i gjigantëve të medias amerikane, shprehen ata, ka gjasa që në dekadën e ardhshme shuma totale e investuar në përmbajtjet televizive në Mbretërinë e Bashkuar të bjerë. Për këtë arsye pritet që BBC do të vazhdojë t’u japë përparësi shpenzimeve në këto përmbajtje. Raporti vjetor i këtij gjiganti të madh, ndër të tjera ka saktësuar qartazi buxhetin financiar për këtë vit, duke e reduktuar dukshëm zërin e shpenzimeve krahasuar me dhjetë vjet më parë. Konsultuesit financiarë e kanë konsideruar atë ‘të rreptë’.

Evidente për t’u shënjuar nga ky raport është rëndësia që Bordi Drejtues i BBC-së u ka dhënë për këtë vit nevojave në ndryshim të audiencës dhe vendit, Britanisë së Madhe në tri fusha:

– Fake News dhe polarizimi social që ai prodhon. Një projekt interesant me titullin, BBC School Report, pritet të ndërmerret së shpejti i cili në thelb paraqet një iniciativë që ka të bëjë me edukimin për median tek të rinjtë. Projekti do të aplikohet në rreth 1,000 shkolla në të gjithë vendin nga ku do të ofrohen udhëzime prej ekspertësh të medias dhe gazetarë të BBC. Objektivi është t’u vihet në ndihmë të rinjve për të identifikuar lajmet e vërteta dhe se si ata ta filtrojnë informacionin e rremë prej gjithçkaje që lexojnë. Të gjitha këtyre shkollave ​​do t’u ofrohen materiale falas online, mësime praktike nëpërmjet videove dhe aktivitete të ndryshme interaktive për t’u dhënë një shans studentëve të jenë gazetarë të vërtetë në BBC, mu në zemër të redaksisë.

-Investimi në përmbajtje, talente të reja dhe zëra të rinj anembanë Mbretërisë së Bashkuar. Plani thekson gamën e gjerë të prodhimit që BBC duket se do të prodhojë këta 12 muaj. Prodhimet priten të jenë një përzierje unike dhe e veçantë kryesisht në përmbajtje, me komisione për secilin prodhim që asnjë transmetues tjetër nuk do ta bënte. Raporti shpjegon se komisionet që do të ngrihen do të bazohen thelbësisht në talentet britanike në çdo anë të Britanisë së Madhe. Këtë vit pritet të shihen dhe transformimet më të mëdha, sa u përket shërbimeve të BBC në vende të ndryshme të botës në një brez të vetëm frekuencash.

– Britania e Madhe shtrihet në të gjithë botën. Me shërbimet e ofruara nga shteti, BBC arrin të jetë mentor dhe pjesëmarrës në debatet globale për çështje të ndryshme. Nga ana tjetër, ofrimi i lajmeve mes studiove të saj live në të gjithë botën janë vlera për demokracinë dhe lirinë, si vetëm disa nga parimet themelore të të drejtave të njeriut. BBC World Service po përjeton zgjerimin e saj më të madh që prej viteve 1940. Me investime të reja qeveritare, BBC tani vepron në më shumë se dyzet gjuhë në mbarë botën dhe ka instaluar zyra të reja që nga Bangkoku e deri në Beograd, nga Kajro e deri në Katmandu të Nepalit. Ajo çfarë pritet të shihet është mjaft e qartë.

Përveç një viti të madh krijimtarie, BBC këtë vit do të përjetojë momente të rëndësishme transformimi dhe ky lloj transformimi kësaj radhe duket se ofrohet të jetë thelbësor në gjithçka. Sepse, nëse ai nuk kryhet tha një prej drejtuesve pak ditë më parë në një dalje publike, BBC do të duket gjithnjë e më analoge në një botë dixhitale dhe shumë e vogël përkundrejt një konkurrence globale gjithmonë e më shumë gjigante. Kështu e kanë menduar drejtuesit e saj, duke shtuar se një BBC e fortë nuk u shërben vetëm atyre dhe konkurrencës, por mbi të gjitha BBC mund të jetë një forcë e jashtëzakonshme për vetë Mbretërinë e Bashkuar në vitet që vijnë.

Si arrihet? Vetëm duke mbrojtur dhe respektuar interesat e publikut me lajme totalisht të besueshme dhe me një përmbajtje të shkëlqyer tërësisht britanike, duke çmuar dhe ngritur lart sukseset e vendit kudo në botë, me qëllimin e mirë për të nxitur më tej forcën krijuese të Mbretërisë së Bashkuar dhe shtuar më tej krenarinë për të. Modele të tilla që na ofron perëndimi mund të hyjnë dhe të dalin shpejt në një shoqëri të hapur si kjo e jona, e cila mbetet e hapur vetëm për të përjashtuar më shumë kur vlerat vetidentifikohen dhe kur mediat në një gjendje zgripi siç janë, nuk kanë asgjë për të të ofruar veç lodrave të seksit dhe gjuhës së helmët në vendin ku kryqëzohet mediokriteti, në parlament.

Është e qartë se pavarësisht nga çfarë mijëvjeçari i ri po sjell, media dhe sidomos televizioni do të vazhdojë të jetë një mjet në ndërveprimin njerëzor. Por a do të jetë ky një ndërveprim aktiv apo pasiv? A do të jetë televizioni shërbëtori apo sundimtari ynë? A do të jetë media/televizioni një dritare e vërtetë për botën, apo do të mbetet një lojë kumari pas kësaj? A do të ndihmojë ai ta shërojë këtë botë …apo do ta shkatërrojë më shumë atë? Ndaj sot ka lindur një fenomen i ri, edukimi për median, një lëvizje që pritet të shënojë një nga pikat kyçe të strategjive të reja që po hartohen në epokën e re të televizionit.

 

Tags:,

Send this to a friend