Të fokusohemi tek problemet, jo tek personalitetet

17 Janar , 2012 • Gazetaria e Medias • by

Do ishte mirë që ne të gjithë, duke filluar me moderatorët e duke përfunduar me reporterët nga terreni, të fillonim t’i largoheshim pak e nga pak informacionit bulevardesk që sillet vërdallë ambicieve, lëvizjeve, karrierës, planeve, axhendave e jetës së presidentit, kryeministrit, kryetarit të Parlamentit, kryetarit të opozitës, kryetarëve të partive, krerëve të institucioneve e dikastereve, apo figurave të tjera publike.

Para ca kohësh nxora nga site të ndryshme tri intervista që kryeministri Berisha ka dhënë për Fevziun në programin “Opinion”. Dhe veçova pyetjet që i ishin bërë. Ishin pothuaj të gjitha të natyrës “më the të thashë”, d.m.th a keni ndërmend të bëni ndryshime në qeveri, ç’mendim keni për x-in, po për y-in, a do mbështesni filanin, pse e sulmoni fistekun, kush do zgjidhet president, po ju vetë a do jeni, po Gimi pse nuk do jetë, po Beni a ka shanse, po Goni ku do emërohet, (Gimi, Beni e Goni janë emra ilustrues), etj., etj. Disa prej këtyre pyetjeve ishin bërë në të tria intervistat.

Gjëja më e parë që më erdhi në mendje ishte t’i qaja hallin Fevziut, pasi duhet të jetë mërzi e siklet i madh të ftosh të njëjtin person një herë në dy muaj dhe t’i bësh të njëjtat pyetje, apo t’i bësh pyetje të të njëjtit karakter. E bukura (në fakt, e pabukura) është se në rrethana të tilla nuk të duhet as të dish ndonjë gjë të madhe, e nuk të duhet as të jesh inteligjent. Fevziu është një djalë inteligjent, por kot që është. Nuk i duhet të jetë.

Keqardhja e dytë ishte për shikuesit, të cilët “detyrohen” të ndjekin në prime time programe të tilla, ku nuk flitet për shqetësimet reale të vendit. Programe të tilla në stilin radiofonik (“Opinionin”, apo dhe programe të tjera, mund t’i ndjekësh dhe në radio, e në këtë rast nuk do humbisje asgjë, veç fytyrave e gjestikulacionit të të ftuarve) nuk janë një praktikë vetëm e televizioneve shqiptare. Kudo jepen, pasi çdo intervistë, nëse ndërtohet bukur, është gjithnjë diçka interesante. Mirëpo, gjetkë ka një ndryshim. Programe të tilla jepen pas orës 23:30-24:00 dhe synimi është që “kush ka nge e qejf të dëgjojë llogje (sepse llogje janë në thelb), mund t’i ndjekë pas mesnate”. Në televizion, intervali kohor 20:00-24:00 është shumë i rëndësishëm, e për rrjedhojë nuk mund të lihet “në përdorim” për gjëra të tilla. Përkundrazi, duhet shfrytëzuar për të folur për shqetësimet e mëdha të shqiptarëve.

Kur flitet për lidhjen mes problemeve të mëdha të shqiptarëve dhe mbulimit mediatik të tyre, merret vesh se problemi nuk është vetëm Fevziu. Problemi jemi ne të gjithë. Po flisja në telefon para dy ditësh me Sonila Meçon, e cila po më thoshe se nga biseda e saj e një nate më parë në “ABC News” me Sali Berishën, gazetat i kishin marrë të zbardhur vetëm pjesën politike që kish lidhje me Bamirin, me presidentin që do zgjidhet, e me gjëra të këtij lloji. Sonila më tha se “pyetjet e saj në masën mbi 50% ishin mbi krizën, mbi ekonominë, mbi borxhin publik, mbi rritjen e dobët ekonomike etj., etj”, por kjo pjesë e intervistës ishte parë pa pikë interesi prej gazetave. Madje, më kanë thënë se gazetarët e kronikës politike iu lutën në rrethana të tilla moderatorëve të programeve TV që pyetjet nga të cilat ata nxjerrin lajmin (këto pra me Topin, me Nanon, me Metën, me Ramën etj.) t’i bëjnë në fillim të bisedës, në mënyrë që ata të kenë kohë ta çojnë lajmin për faqosje. Ky presion pra, i bën moderatorët, të cilët kanë interes të përmenden të nesërmen në gazeta si autorë programesh, ku thuhen gjëra të rëndësishme (dhe unë do isha shumë i interesuar, po aq sa ata, në vend të tyre), të fokusohen në mënyrë të shpërpjestimuar tek argumente kësodore “të lehtë, rozë, të kotë, të panevojshëm”.

Rrethana e dytë që i justifikon moderatorët tanë është mungesa e interesit të televizioneve për të ndërtuar programe të tipit “talk-show”, ku të ziejnë debate për çështje që na interesojnë të gjithëve. Unë i shoh që harxhohen kotsëkoti në rolin e moderatorëve gazetarë të tillë, si Sokol Balla, Alfred Peza, Rudina Xhunga, Ilva Tare, Sonila Meço, Blendi Fevziu (ky i fundit është një hall e bezdi e madhe, pasi shfaqet në ekran çdo ditë në prime time në një televizion kombëtar veç me llogje; ja, ndërkohë që po e shkruaj këtë artikull, ora është 23:20 e së enjtes dhe nga dhoma e ndenjjes po më thonë se programi i Fevziut kushtuar Bamir Topit nuk ka përfunduar ende; tri orë e njëzet minuta deri tani. Këtij i thonë horror!). Më sipër lashë pa përmendur Alban Dudushin, pasi “Top Show” i tij është një program që ka gjetur formën dhe kohën e vet (23:00-01:00). S’po përmend as të tjerë, që janë në televizione më pak të rëndësishme. Të gjithë këta gazetarë janë të talentuar (unë i admiroj për zhdërvjelltësinë përpara kamerave, për instinktin gazetaresk, për know how-n që kanë e për sigurinë që demonstrojnë përballë të ftuarit) dhe mund të bëjnë programe të shkëlqyera në TV, por kam përshtypjen se janë vetë televizionet që s’janë gati për programe të mirëfillta të tipit “talk-show”; ashtu si nuk janë gati as të përditshmet të fokusohen e të thellohen në problemet reale të vendit.

Do ishte mirë që ne të gjithë, duke filluar me moderatorët e duke përfunduar me reporterët nga terreni, të fillonim t’i largoheshim pak e nga pak këtij informacioni bulevardesk, që sillet vërdallë ambicieve, lëvizjeve, karrierës, planeve, axhendave e jetës së presidentit, kryeministrit, kryetarit të Parlamentit, kryetarit të opozitës, kryetarëve të partive, krerëve të institucioneve e dikastereve, apo të figurave të tjera publike.

 

Botuar në gazetën  „Shqip“, 14.01.2012. Titulli në origjinal: „Ne gazetarët duhet të fokusohemi tek problemet, jo tek personalitetet“


Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend