VIPomania

29 Nëntor , 2011 • Etika dhe Cilësia • by

Nga Fatos Tarifa

Mediat shqiptare prodhojnë modele kulturore dhe individuale të diskutueshme, dhe jo vlera të vërteta. Ato prodhojnë “VIP”-at e rremë, të cilët adhurohen dhe imitohen nga të rinjtë, etj.

Nuk jam dakord me ata që, për shkak të alergjisë që kanë krijuar ndaj shtypit, thonë se të gjitha gazetat “janë njësoj”. Jo, disa prej tyre, edhe pse fare pak, janë më të mira se të tjerat. Subjektet për të cilat shkruhet në to janë shumë të ndryshme dhe, fatmirësisht, në faqet e disa prej gazetave më të lexuara, sot gjen edhe lajme kulturore, pavarësisht se në shumicën e tyre mungon Kultura me K të madhe, pra lajmi i vërtetë kulturor, analiza e trashëgimisë dhe e vlerave kulturore, historia e zhvillimeve kulturore dhe vetë krijimtaria kulturore në formën e saj letrare. Këto i gjen rallë në shtypin shqiptar. Nëse ka diçka që shtypit të përditshëm shqiptar nuk i mungon kurrë, kjo është kronika e “VIP”-ave. Vërtet, pse ta fsheh?

Një ndër gjërat më të habitshme që gjeta në Shqipëri, kur pas shumë vitesh shkollimi dhe pune në Shtetet e Bashkuara u ktheva në atdhe, ishte numri i madh i “VIP”-ave, pra i “personave shumë të rëndësishëm” (Very Important Persons). Emrat, fytyrat dhe bëmat e tyre i gjen thuajse përditë dhe thuajse në çdo gazetë. Shqipëria vazhdon të jetë një vend i varfër, por ama sot ajo është një vend i “VIP”-ave.

Çfarë e bën një individ të jetë VIP, pra një person shumë të rëndësishëm? Të tillë atë e bëjnë talenti i rrallë ose i veçantë, pozita e lartë zyrtare që mban dhe funksioni që kryen, kontributi i tij (ose i saj) në jetën politike, akademike, kulturore, artistike apo sportive (brenda dhe, sidomos, jashtë vendit), shërbimi ndaj interesave publike dhe atyre kombëtare. Pra, nëse disa individë konsiderohen, ose duhet të konsiderohen nga shoqëria (dhe nga media) si persona shumë të rëndësishëm, pyetjet që do të përcaktonin kriteret janë dy: (a) për çfarë janë të rëndësishëm dhe (b) për kë janë të rëndësishëm këta individë?

Në shtypin shqiptar shkruhet pak për individë vërtet shumë të rëndësishëm në fushat e veprimtarisë dhe të krijimtarisë së tyre profesionale e shoqërore. Fjala vjen, sa njihen dhe sa flitet për aftësitë dhe shërbimet e shquara në fushën e mjekësisë dhe të shëndetit të popullit të një mjeku të shquar si Fedhon Meksi? Sa njihen dhe sa flitet për mjeshtërinë dhe veprat inxhinierike të Egon Gjadrit, apo për studimet historike të Arben Putos dhe të Kristo Frashërit? Sa flitet për shërbimin ndaj interesave kombëtare të një topografi si Myslim Pasha? Po për koncertet e një muzikanti të talentuar si Aristidh Prosi? Këta individë dhe shumë të tjerë si këta janë VIP-at e vërtetë të shoqërisë shqiptare dhe pjesë e elitës së saj.

Por nuk mendojnë kështu prodhuesit e gazetave shqiptare. Këto janë “VIParizuar”, “blututhizuar” dhe “bigbradhërizuar” me shpresë se, në këtë mënyrë, do të mund të shiten më shumë. Deri diku edhe kanë “të drejtë”. Për shkak të rubrikave “VIP”, të cilat unë do t’i quaja “panaire kotësish”, një pjesë e tirazhit të gazetave blihet pikërisht nga vetë “VIP”-at, fotot dhe bëmat e të cilëve mbushin faqet e tyre, nga farefisi dhe nga tifozët e tyre.

Kam udhëtuar, kam parë dhe kam lexuar shumë deri më sot, lexoj revista dhe gazeta të huaja vazhdimisht, por mund të them se as në Nju Jork, as në Paris, as në Kinë (ku ka 231 miliarderë) dhe as në Beverly Hills apo në Silicon Valley, nuk ka më shumë VIP-a për frymë të popullsisë sesa në Tiranën tonë të varfër. Vetëm në Tiranë mund të ndodhë që dikush të bëhet një “Person Shumë i Rëndësishëm” me një videoklip të vetëm, me një dalje në skenë, me disa batuta idiote në “Big Brother”, ose edhe duke qenë një ushtar i regjimentuar i partisë së tij në Parlamentin e vendit.

Në shumë prej gazetave që botohen në Shqipëri u kushtohet më shumë rëndësi dhe gjen më shumë lajme mbi fejesat, pushimet në Antalia apo divorcet e “VIP”-ave të rremë, edhe të atyre që këndojnë nëpër dasma, sesa mbi veprën dhe jetën e personaliteteve vërtet të rëndësishme të këtij vendi.

Mediat tona, më shumë se kushdo tjetër, duhet të ndihmojnë për t’i bërë të njohura publikut shqiptar vlerat e vërteta dhe arritjet e atyre individëve që janë VIP-at e vërtetë të shoqërisë tonë, njerëzit e ditur dhe të kulturuar të saj. Janë mediat ato që e kanë prodhuar deri më sot këtë tip “VIP”-i të rremë, si një fenomen social, të motivuara, fatkeqësisht, nga një nivel kulturor përgjithësisht i ulët i moshave të reja dhe i një pjese të popullsisë, si edhe nga synimi aspak emancipues për të kënaqur nivelin e ulët të tyre, duke rënë vetë në këtë nivel, në vend që të përpiqeshin ta ngrinin nivelin kulturor të segmenteve të caktuara të publikut shqiptar, të cilave ato u adresohen.

Botuar më 11 tetor 2011 në revistën “Mapo”

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend