Publiku shqiptar është i bombarduar nga mbulimi mediatik i ngjarjeve kriminale. Çdo ditë një numër i konsiderueshëm lajmesh përplot skena dhune na tronditisin thellësisht duke na zaptuar ekranin televiziv dhe titujt e gazetave. Ky pasqyrim i gjerë nuk mund të lihet pa trajtuar duke pasur parasysh që mediat formësojnë opinion publik.
Bazuar mbi arsyet e mësipërme është e rëndësishme t’i përgjigjemi pyetjeve: A e influencon mbulimi mediatik i ngjarjeve kriminale opinionin publik, dhe nëse po në çfarë mënyre? Si i trajton media këto ngjarje, pra si e “shesin” gazetarët lajmin?
Për hir të së vërtetës të grish fakti që krimi tërheq kaq shumë vëmendje mediatike. Por, është më shumë ngacmues mungesa e informacionit të plotë rreth këtyre ngjarjeve. Nga ana tjetër ngjarjet kriminale që media vendos të raportojë ndonjëherë nuk janë ato më frekuentet. T’i japësh përparësi mbulimit të një ngjarje kriminale specifike, mund të influencojë opinionin publik rreth rendësisë që në të vërtetë ajo mbart. Kështu mediat lënë në hije krime edhe më të rrezikshme (psh. të natyrës mjedisore) që këtu në vendin tonë nuk kanë munguar. Arsyeja e kësaj zgjedhje të medias? “Kënaqja” e opinionit publik, ose mungesa e gazetarëve investigues të mirëfilltë.
Përpos kësaj, fakti që media mbulon më shumë disa krime të caktuara herë i bën shqiptarët të kujtojnë se janë në mes të një krize të thellë sigurie, herë tjetër që janë vendi më i sigurtë në botë. Është pikërisht media që mban përgjegjësinë e këtij realiteti të shpërfytyruar.
Për të kuptuar më mirë rolin e këtyre ngjarjeve që fitojnë kaq shumë hapësirë mediatike dhe mënyrën sesi e formësojnë opinion publik do të ishte me vlerë të sillnim shembullin e një studimi të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara.
Dy studiues amerikanë, Sheley dhe Ashkins, krahasuan njoftimet e dhëna nga policia, transmetimin e kronikave në televizion si dhe raportimet për të njëjtat ngjarje në gazeta. Përfundimi ishte interesant: raportimet e medias nuk korrespondonin me statistikat e policisë.
Studiuesit nuk dolën në konkluzionin se televizioni ka një impakt më të madh në mënyrën sesi e sheh publikun krimin, por ata bënë të qartë se reagimi i publikut ishte më shumë reflektim i raportimeve të medias sesa të dhënave të policisë.
Mendoj se situata nuk është më ndryshe në Shqipëri. Media mund të influencojë në perceptimin e krimit në publik duke raportuar krime të tmerrshme, duke u dhënë hapësirë pa fund, apo edhe duke shfaqur haptazi pesimizëm e mosbesim për sistemin e drejtësisë në vend.
Rrjedhimisht historitë e krimit dhe drejtësisë të prodhuara në media për konsum masiv reflektojnë mënyrën sesi shoqëra e shohin veten: “të mirë” apo “të keqe”.
Sa për mënyrën sesi e “shesin” mediat shqiptare lajmin dua t’u sjell në vëmendje një shembull nga një prej gazetave më të mëdha në vend. Për të respektuar sadopak dhimbjen e njerëzve që kanë humbur të dashurit e tyre së fundmi rasti është marrë para disa viteve. Frazat nga shkrimi janë shkëputur pa u ndryshuar asnjë presje.
Gazetari vetëm për hir të bujës mediatike përmend pa kursyer togfjalëshat: `e vrava me një të goditur sëpate teksa po vendoste rrobat në tel`, `e qëllova me gjakftohtësi`, `pas goditjes me teh e kam qëlluar edhe me pjesën e pasme të sëpatës`, ‘s’më prekën lotët e babait’ (që është edhe titulli i shkrimit në faqe të parë), “viktimës i hodha mbeturina e gurë sipër’ etj.
Ndoshta e keni kuptuar se bëhet fjalë për lajmin e tmerrshëm që tronditi Devollin do vite më parë. Mua vazhdon të më trondisë fakti se bësh gazetarin sot do të thotë të bësh popullin të vejë kujën, jo të qash hallet e tij.
Teoricienët e medias para viteve 2000 rrekeshin të masnin vlerën e lajmit në raport edhe me praktikat gazetareske dhe ndaleshin në tematika si shpejtësia e lajmit, personalizimi, konservatizmi, qasja e strukturuar, risia etj.
Sot, siç e shikoni gjërat kanë ndryshuar. Gazetarët gjithnjë e më shumë fokusohen tek individualizmi, rreziku, seksi, vipat, dhuna, spektakli, imazhet grafike dhe fëmijët.
Akoma më tepër media me figurë dhe zë dhe media e re (interneti, media sociale) kanë gjetur në këto ngjarje kriminale çelësin që mban të mbërthyer audiencën. Nuk mund të lë pa përmendur edhe faktin që nëse lajmet rreth ngjarjeve kriminale nuk mungojnë asnjëherë, editoriale ose opinione rrallëkund gjen, thuajse hiç.
Mediatizimi i ngjarjeve kriminale mund të përbëjë problem ose zgjidhje. Nëse duam zgjidhjen atëherë gazetarët duhet të shkojnë përtej shiritit të verdhë të skenës së krimit dhe pikëllimit të të afërmve. Fotografët duhet të tregojnë imazhet më të pershtatshme, jo ato që krijojnë më shumë bujë.
Media duhet të hetojë më thellë dhe duhet të pyesë “pse”-në ( 5 ‘W’-të e gazetarëve) për çdo ngjarje kriminale të ndodhur. Ndoshta kërkimi i një përgjigje më të plotë nga media, do të bënte që pubiku të kishte një panoramë më të qartë të ngjarjes.
Më shumë rrethana. Pasoja. Perspektiva. Pa një qëmtim të mprehtë fotot tromaksëse në trurin e publikut do të mbeten thjesht të paqarta e hera-herës jashtë konteksti. Ndërsa ne do të mbetemi me përshtypjen e gabuar në kokë se dhuna e krimi janë të paevitueshme.
Botuar më 9 shkurt 2012, në gazetën shqiptarja.com
Shënim i redaksisë: Shkrimet e publikuara në këtë faqe shprehin mendimin personal të autorit dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e redaksisë së EJO në shqip