Media dhe qeveria, forca e shembullit apo shembulli i forcës

9 Maj , 2015 • Gazetaria e Medias, Shkrimet më të fundit • by

Për herë të dytë brenda pak muajsh, tri televizione të rëndësishme informative, “News24”, “Ora News” dhe “ABC News” u bashkuan në një reagim publik. Në mesin e marsit, këto televizione reaguan ndaj Ministrisë së Brendshme, për dhënie preferenciale të informacionit publik në televizione, duke deformuar kështu konkurrencën mediatike.

Para dy ditësh të njëjtat televizione janë bashkuar në qëndrimin, se nuk do transmetojnë aktivitetet dhe mesazhet elektorale të partitë politike, të cilat parafushatën zgjedhore e kanë kthyer në fushatë të mirëfilltë, edhe pse ajo zyrtarisht nis më datën 22 maj 2015.

Edhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në një dalje publike u ka kujtuar partive politike se neni 77 i Kodit Zgjedhor, që vetë kanë miratuar, përcakton se fushata zgjedhore fillon 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve. Kryetarja Lefterie Luzi ka kujtuar se për çdo shkelje, Kodi zgjedhor ka sanksionet përkatëse, të miratuara po nga partitë politike. Edhe Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, puna e të cilit këtë vit mbështetet nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë, mbështeti fort Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në angazhimin publik “për të ushtruar në mënyrë të plotë kompetencat që i jep ligji, duke marrë masa ndaj subjekteve elektorale, nëse ato do të kryejnë fushatë elektorale përpara datës së fillimit zyrtar të saj”. Çka do të thotë, se kjo do jetë shkelja e parë e standardit elektoral, që do regjistrohet në raportet monitoruese të këtyre zgjedhjeve vendore.

Përgjigjja e parë e partive politike ishte mospërfillja. Të parët, drejtuesit e mazho-rancës thjesht vazhduan axhendën e tyre sipas programit. Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit ishin në Lezhë dhe zhvilluan një takim të gjatë prezantimi të kandidatit të përbashkët për kryetar bashkie, duke dhënë në mënyrë shteruese mesazhet e tyre të fushatës, madje edhe pse duhen votuar kandidatët e mazhorancës, e jo ata të opozitës. Të nesërmen edhe kryetari i opozitës vijoi takimet elektorale të programuara në Vorë, Krujë e Shijak.

Një debat publik e mediatik u hap, se përse për herë të parë një drejtues i KQZ-së, e evidentonte si shkelje atë që kishte qenë një praktikë sistematike e partive politike në çdo palë zgjedhje, vendore a parlamentare. I vetmi që u pyet direkt ishte kryetari i Kuvendit, njëherësh kryetar i LSI-së, i cili mbajti një qëndrim neutral, duke deklaruar se i duhej të konsultohej, pasi kjo ishte një çështje interpretimi juridik.

Në këtë mëdyshje juridike të politikës, nuk dihet nëse kryetarja e KQZ-së do e materializojë me gjoba, siç e parashikon ligji, shkeljen e paralajmëruar prej saj të Kodit Zgjedhor. Ashtu siç nuk dihet ende nëse treshja e mediave, që paralajmëroi mostransmetim të materialeve të fushatës, deri në nisjen e saj zyrtare më 22 maj, do e respektojë atë angazhim publik, apo do “ngecet”, siç ndodhi që të nesërmen, te detyrimi publik për t’u përcjellë shikuesve të vet aktivitetin e kryeministrit, edhe pse ai e shfrytëzoi për mesazhe të pastra zgjedhore.

Kjo dilemë do zbardhet së shpejti, sepse janë partitë politike të parat, që jo vetëm kanë nisur me padurim një fushatë për zgjedhje vendore, me energji të plota njerëzore e monetare, por edhe e kanë programuar ta kenë në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv.

Në fakt, interpretimi ligjor i Kodit Zgjedhor është parimi universal makiavelik, se “çka nuk ndalohet, lejohet”. E kjo nuk është një shpikje shqiptare, por thjesht e huazuar nga vende që e kanë përdorur në situata, e për interesa konkrete. Madje vetë Winston Churcill, politikani britanik më i kuotuar në Shqipëri, për shkak të thënieve të tij proverbiale, ka dhënë dikur modele të përdorimit të filozofisë, se ajo që nuk ndalohet, lejohet. “Në Angli, gjithçka lejohet, përveç asaj që ndalohet. Në Gjermani, gjithçka është e ndaluar, përveç asaj që është e lejuar”. Në Bashkimin Sovjetik, gjithçka është e ndaluar, edhe ajo që është e lejuar”. Një filozofi e thjeshtë e Churcill-it, që ilustron mënyrën e hershme të funksionimit të shteteve, por që shpjegon edhe arsyet e klasifikimit të tyre aktual në rendin botëror. Një lidere e Europës si Gjermania për shembull, këtë shprehje e ka elaboruar më tej, duke e aktualizuar me “Në Gjermani, gjithçka që nuk është e ndaluar, është e detyrueshme”.

Çfarë mund të bëjë media në këtë situatë? Aspak arbitrin! Të gjithë biem dakord se media ka një rol thelbësor në funksionimin e një demokracie. Me rolin e pakundërshtueshëm të mbikëqyrësit, ajo ofron një vështrim kritik mbi sukseset dhe dështimet e qeverisë, informon publikun mbi efikasitetin e përfaqësuesve të tyre, duke e ndihmuar qytetarin në kërkesën e llogarisë për përfaqësuesit e vet. Por në fushatat zgjedhore, media luan edhe një rol më specifik. Ajo lehtëson komunikimin e të gjithë aktorëve politikë me elektoratin, pavarësisht vendndodhjes. Duke mbuluar fushatën zgjedhore, media edukon edhe vetë zgjedhësit, mbi mënyrën se si ushtrohen të drejtat e gjithsecilit në demokraci, duke mbikëqyrur fushatën dhe integritetin e procesit zgjedhor. Madje, ekipet e vëzhguesve të zgjedhjeve, vendorë a ndërkombëtarë, përdorin pikërisht mbulimin mediatik të zgjedhjeve, si një kriter vlerësimi për legjitimitetin e zgjedhjeve.

Në këto kohë fushatash të sofistikuara, media shqiptare ka edhe një detyrë tjetër: të thyejë atë mur që politikanët po e ngrenë sistematikisht me zgjedhësit e tyre, komunikimin llogaridhënës e jo shakaxhiun me kundërshtarin, por kjo është temë e një tjetër analize. Gjatë fushatës media duhet të garantojë, siç premtohej në deklaratën e përbashkët të “News 24”, “Ora News”; e “ABC News”, pasqyrim të plotë, objektiv e të paanshëm, duke garantuar hapësirë dhe trajtim të barabartë për partitë politike dhe kandidatët në garë. Ndërsa në parafushatë asgjë nuk e pengon, përveç vullnetit të mirë, që të mos ndjekë axhendën e partive politike. Në kohë parafushate, partitë po shpalosin një fushatë luksi përpara qytetarëve, një pjesë e të cilëve problem kanë edhe bukën e gojës. Sa i ndihmon riciklimi i historive me Saliun, që përsëriten nga veriu në jug, kjo lexohet edhe në portretet e pjesëmarrësve. Por krahasimi me Hillari Klintonin, jo vetëm për nga forma dhe përmasa e impenjimit elektoral, por edhe për nisjen para kohe të fushatës, çalon fort në së paku dy momente. Së pari, znj. Klinton po zhvillon një fushatë brenda partisë së vet, e së dyti, diferenca si nata me ditën qëndron te transparenca e fondeve të fushatës. Në SHBA ky nuk është një detyrim në letër, siç është në Shqipëri, por një llogaridhënie e detyruar dhe e detajuar, që të rrezikon edhe postin e fituar, e të përndjek në çdo lloj aksioni të ardhshëm politik.

Këtë model të deformuar në Shqipëri, partitë politike duan ta paraqesin, si vlerë perëndimore, duke kërkuar pasqyrim të drejtpërdrejtë televiziv disa orë në ditë, jashtë periudhës ligjore të fushatës, edhe kur aktivitetet shndërrohen në muhabete kafenesh me histori e batuta të të njëjtit nivel, ku mungon më thelbësorja, alternativa që ofrohet.

Këtu presioni ndaj medias bëhet i lexueshëm, sepse politika në përgjithësi, e kryeministri në veçanti, si kampioni i spin-it politik, e njeh fuqinë e medias në selektimin e informacionit, refuzimin ose rëndësinë që ato vendosin t’i japin një ngjarjeje të caktuar. Parimi është i thjeshtë: ajo për të cilën media nuk flet, thjesht nuk ekziston.

Për ta aktualizuar me realitetin tonë, Ben Blushi mund të flasë gjithë ditën e gjithë natën, por nëse media nuk e pasqyron, ai thjesht nuk ekziston bashkë me shqetësimet që ngre. Edhe shqiptarët mund të vazhdojnë të braktisin rehat vendin e tyre në masë, apo ambasadori gjerman me kolegët e tij, të përsërisin deri në lodhje, se kjo është diçka e gabuar. Nëse nuk përcillet në media, mbetet një moment artificial, siç e quan kryeministri ynë.

Ashtu siç një media mund të vendosë të transmetojë, për shembull, një video amatore të eskortës së ministres Kodheli, që kalon me semafor të kuq dhe gjestin e lavdërueshëm të ministrit të Brendshëm Tahiri, gjobitjen e drejtuesve të mjeteve, por jo një videopërgjim të publikuar nga ish-kryeministri Berisha, ku dëgjohet kryeministri i vendit të japë për drejtorët e institucioneve publike, udhëzime për sigurim votash për mazhorancën. Një tjetër media, mund të vendosë të pasqyrojë videopërgjimin e ish-kryeministrit, por jo videon që solli gjobitjen e eskortës së ministres. Ashtu si media të tjera, që lakohen si pranë opozitës, thjesht i pasqyrojnë të dyja.

Në këtë periudhë parafushate mund të hasësh pa pushim në televizione, aktorët politikë në performanca elektorale, por jo për arsyet se përse energjia elektrike ka nisur të mungojë me orë në disa zona të Tiranës, përse po vjen më pak ujë në çezma ende pa filluar mirë vapa, përse trafiku veç rëndohet si të ishin ditë shiu, përse gropat veç thellohen në rrugët e qytetit, përse hapësirat publike vazhdojnë të zaptohen duke vështirësuar bashkëjetesën sociale në qytet, përse çmimet po lëvizin pa kontroll… Jemi në prag të zgjedhjeve vendore e këto tema janë akoma tabu. Hapësirat mediatike zaptohen pa pikë mëshire, “në interes të publikut”, me dëgjesa e prezantime elektorale, edhe pse ligjërisht fushata nuk ka filluar.

Këtu qëndron edhe interesi i aktorëve politikë, për të mbytur me ngjyra e tamtame elektorale, realitetin që mbetet kokëfortë. Por kur në këtë interes të ngushtë politik kërkohet të tërhiqet pas edhe media, duke na dëshmuar se, si në pozitë a opozitë po u qëndrojnë larg zyrave për të cilat janë votuar, kjo veçse ilustron të kundërtën e devizës, që kryeministri i pari na predikon, se ka ardhur të qeverisë me forcën e shembullit, e jo shembullin e forcës. Shembulli i forcës së pushtetit është ai që po na jepet disa herë në ditë, edhe ne mediave, mbi dy javë para nisjes zyrtare të fushatës për zgjedhjet vendore.

 

Send this to a friend