A është kodi etikës një broshurë që në rastin më të mirë qëndron në një sirtar? A duhet marrë mundimi dhe shfletuar dhe nëse po, pse? Përgjithësisht, diskutimet për kodet e etikës, kryesisht në seminare dhe trajnime të ndryshme, fokusohen tek ideja që “mirë është ta kemi”, por kushtet në të cilat punojmë nuk ofrojnë luks për të diskutuar për etikën.
Por realiteti mediatik me një larmi të madhe mediash – shto këtu edhe median e re online, ofron sfida të shumta që sfidojnë profesionin në themelet e tij: raportimin objektiv të gazetarëve. Ngjarja e mëposhtme e trajtuar njëlloj si në median tradicionale ashtu edhe atë online, është një nga rastet ilustrues se nëse dikush do të kishte në mend parimet e përgjithshme të vendosura në kodin e etikës, ndoshta ngjarja e transmetuar me bujë do të kishte pak më shumë larmi dhe jo një uniformitet të frikshëm.
Fleta e parë e kodit ka të bëjë me dhënien e informacionit të besueshëm dhe nis me saktësinë. Ngjarja e mëposhtme ka pak lidhje me informacionin dhe me profesionin e gazetarit.
Në pothuaj të gjithë televizionet informative dhe më pas edhe në ekranet e tjera- pamjet e shfaqura të ngjallnin më shumë se kërshëri: një gjeneral që i vendosen prangat nën fokusin e vëmendshëm të kamerës. Pamjet të kujtonin shesh xhirimet e filmave.
Nëse do t’i kishte mundësitë teknike Ministria e Mbrojtjes – arrestimi gjeneralit do të transmetohej live! Megjithatë lajmi u dha pothuaj në kohë reale përmes titrave…
Nxitimi për të qenë i pari, sërish nxori kokë në ekranet informative, por edhe ata që kishin më kohë për ta transmetuar nuk duket se bënë ndonjë sforco për të ngritur pyetje elementare, ato pyetje që i mëson çdo student i gazetarisë në ditën e parë të shkollës dhe për më tepër mungoi ajo që gazetari e ka dhunti të lindur “nuhatja” për të kuptuar se “ku po fle lepuri”,- siç shkruante Konica që më 1897 në esenë e tij “Ca këshilla mbi artin e të shkruarit”.
“Filmi” i transmetuar në shumicën e mediave – i titruar me “akuzë” ku gjenerali është një rast flagrant për t’iu rikthyer jo vetëm kodit të etikës, por thelbit të profesionit: raportimit të së vërtetës.
Sipas lajmit të servirur gjenerali akuzohej për korrupsion dhe dëmi sillej diku tek 6 milionë lekë. Edhe nga vetë pamjet e servirura gjenerali po dilte nga shtëpia e tij – një apartament mëse modest nga ato që kanë në pronësi më shumë se 90% e shqiptarëve.
Saktësia në raportim…
Pas 48 orësh gjykata vlerësoi se gjenerali do të gjykohet në gjendje të lirë. Por në mendjen e shikuesve, përdoruesve online dhe lexuesve kanë mbetur pamjet e servirura. Nëse një gazetar do të interesohej për të parë kushtet ku jeton gjenerali do të nënqeshë me akuzën për korrupsion. Nëse do të gërvishte pak sipërfaqen do të mësonte se ka të bëj me një qytetar që ka marrë kredi për studimet e fëmijëve. Por pyetja është pse u transmetuan pamjet?.
Prezumimi i pafajësisë…
Në kodin etikës nënvizohet dallimi që duhet bërë mes të dyshuarit, të ndaluarit, të akuzuarit, të gjykuarit dhe fajtorit. Nga i ndaluari te fajtori, është një proces që shkon përmes gjyqësorit dhe merr kohë. Ky është tjetër rast flagrant që media e nis radhën nga fundi, – shpall fajtor të ndaluarin!
Nëse gjeneralit do t’i shkojë mendja për një avokat të mirë – mund të nxjerrë nga media shumëfishin e parave për të cilën akuzohet.
Kasetë në këmbim të aksesit
Qartësisht janë pamje të servirura, por askush nuk mori mundimin të paktën të thoshte që nuk janë pamje të televizionit. Policia e shtetit për shembull në videot që ofron për median e bën të qartë se filmimet janë të saj.
Një linjë mendimi mes “profesionistëve” është se pamjet e servirura transmetohen në këmbim të aksesit për një “lajm” tjetër të “madh”. Në pritje të këtij lajmi të madh, po kalojnë vite dhe ndoshta duhet kuptuar se nuk mund të presësh që zyrtarët të bëhen fli për hir të urisë së medias për lajme të mëdha! Nxitimi për të transmetuar kasetën e servirur nxjerr në pah edhe njëherë tjetër – garën pa shumë sens për të qenë i pari. Ashtu si në me makinat, shpejtësia dhe siguria nuk janë në proporcion të drejtë!
Kur PR bën punën e gazetarit
Detyra e medias është si ajo e dëshmitarit në gjykatë, – që betohet se do të thotë: “të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”. Por në rastin konkret nuk është media që raporton, nuk është gazetari që shkruan. Është institucioni që raporton dhe punonjësi i Marrëdhënieve me Publikun që bën gazetarin! Media në këtë rast kthehet në videotekë që “fut kasetën”
Filmi qarkullon përmes linkeve edhe në facebook dhe twitter! Dëmi që i bëhet individit është i pallogaritshëm. Dëmi që i bëhet profesionit nuk është shumë i madh se ditë pas dite, orë pas ore, media ja ka lënë timonin e vet ustallarëve të Marrëdhënieve Publike dhe Politikës. Dhe në të gjithë ekranet (majtas, djathtas, qendër, lart e poshtë), transmetohet të njëjtat pamje, lexohen të njëjtat fjalë. Ky është rasti, kur “lajmet” i ngjajnë deleve që i qeth një bari !
Lehtësia me të cilën qarkullon sot “informacioni” në dukje e bën më të lehtë punën e gazetarit, por sfidat mbeten të njëjtat. Raportimi i së vërtetës dhe përgjegjshmëria përballë audiencës. Gazetari më shumë se profesion që ka teknika të ndërlikuara për t’u mësuar është një zeje që duhet ushtruar me përgjegjshmëri. Ashtu si çdo pushtet tjetër, fuqia nuk tregohet te dëmi që mund të shkaktosh, por te vetëpërmbajtja. Dhe kodi etik mund të ndihmojë shumë për të qenë i “fuqishëm” dhe për bërë gazetari të mirë!