Një studim i ri ka zbuluar se studentët në SHBA janë të etur të konsumojnë lajmet në pajisjet dixhitale por ata nuk dëshirojnë të paguajnë për këtë. Gjithsesi ata janë disi më të prirur për të paguar për artikujt e revistave online. Steve Collins dhe Tim Brown nga University of Central Florida dhe Michael Rabby nga Washington State University Vancouver pyetën 452 studentë në një universitet të madh publik në jugperëndim të SHBA lidhur me parapëlqimet e tyre dixhitale në vjeshtën e vitit 2010 dhe pranverën e vitit 2011 kur dolën në treg iPad dhe iPad2.
Sipas studjuesve, 73.9 përqind e personave të intervistuar dëshironin që lajmet nga gazetat online t’i lexonin falas ndërsa vetëm 20.6 përqind e tyre deklaronin se do të mund të paguanin 1 dollar për të patur akses në versionin online të një gazete. Rreth 70 përqind e studentëve deklaronin se ata preferonin të përdornin aplikacione falas për të lexuar versionin për tablet të një gazete, ndërkohë që 22 përqind shprehnin dëshirën që të paguanin 5 dollarë për të shkarkuar aplikacionin nga iTunes, Google Play apo tregtues të tjerë aplikacionesh online.
Studjuesit thonë se “revistat vlerësohen më mirë” dhe shihen nën një dritë më pozitive. Konsumatorët ishin më të prirur që të hapnin kuletën e tyre dixhitale nëse paguajnë për të lexuar artikuj revistash. Kështu 20 përqind e studentëve të intervistuar thanë se ata mund të shpenzonin 3 dollarë për të shkarkuar një aplikacion dhe 27 përqind e tyre deklaruan se ata do të mund të shpenzonin 15 dollarë për një abonim dixhital. Ndërsa opsionet “paguaj për versionin e printuar/merr falas versionin dixhital” shënojnë vlera më të ulëta midis studentëve, me rreth vetëm 29,1 përqind që zgjedhin opsionin për gazetën dhe diçka më shumë (37.5 përqind) që zgjedhin opsionin për tablet.
Studimi tregon se vetëm një numër i vogël të rinjsh janë dakort në parim që të paguajnë për lajmet në tabletet e tyre. Por mbetet ende pa përgjigje pyetja: A do të bëhet abonimi online me pagesë një model biznesi i qëndrueshëm dhe efektiv për industrinë e medias në të ardhmen? Studentët janë të ndjeshëm ndaj çmimit. Sipas studjuesve, “studentët që do të mund të paguanin 30 $ për një abonim online ishin në një numër shumë më të vogël se ata që do të mund të paguanin 15 $ për një abonim”. Edhe pa qënë nevoja e fakteve empirike, studjuesit thonë se duke patur parasysh raportet e studentëve me paranë, “ka një arsye të fortë pse publikimet që dëshirojnë të targetojnë konsumatorët e rinj në moshë, duhet ta marrin në konsideratë këtë ndjeshmëri të tyre ndaj kostos.”
Studentët që morën pjesë në sondazh, u pyetën gjithashtu se sa inovativë janë ata nga pikëpamja teknologjike. Në këtë rast studjuesit e testuan këtë gjë duke i pyetur ata për dëshirën e tyre për të blerë një iPad ose iPad 2 dhe më pas duke i pyetur për mundësitë e përdorimit të këtyre produkteve në të ardhmen. Inovativizmi ishte përkufizuar sipas Carolyn A. Lin, si “atribut i personalitetit që gjendet tek njerëzit që janë më të dëshiruar për të riskuar më shumë dhe më herët se të tjerët për adoptimin me produkte dhe shpikje të reja”
Nga kërkimi rezultoi se studentët që kanë më shumë prirje ndaj së resë janë më të dëshiruar që të blejnë një iPad, por lidhja mes inovacionit dhe blerjes së iPad nuk ishte shumë e fortë. Të kesh një iPad nuk është më një tregues që dikush adoptohet më herët se të tjerët me risitë teknologjike. Përderisa iPad-ët po bëhen gjithnjë e më të zakonshëm, ata nuk mund të jenë më një shenjë inovacioni. Siç u përmend edhe më lart, nuk ekziston gjithashtu edhe një lidhje e drejtpërdrejtë mes dëshirës për të blerë një iPad dhe dëshirës për t’u abonuar në një agjensi lajmesh dixhitale. Gjithashtu, vetëm një numër i vogël studentësh do të ishin të dëshiruar që të shpenzonin para për të lexuar një gazetë apo revistë.
Studentët janë qënie dixhitale që janë mësuar t’i marrin lajmet dhe informacionet e tjera online falas. Të paguarit për lajmet është diçka që ata nuk e kanë bërë as në në të shkuarën e tyre dhe të cilën nuk e konsiderojnë si një akt novatorizmi. Studimi tregon se ka disa studentë që do të mund të paguanin për lajmet në tabletet e tyre, por shumica nuk do dëshironin ta bënin këtë gjë. Ndërkohë që kompanitë e mediave në të gjithë botën janë në kërkim të mënyrave se si të ndërtojnë skema vjeljeje të të ardhurave dhe se si të monetarizojnë përmbajtjen e tyre, ky studim ngre pyetjen nëse aplikimi i pagesës për lexuesit e lajmeve online do të arrijë të bëhet ndonjëherë një model biznesi i qëndrueshëm dhe efektiv për industrinë e mediave.
Marrë nga faqja e EJO në anglisht.
Collins, Steve; Michael, Rabby and Tim Brown. (2013). “Few Students Willing to Pay For Tablet News Content”. Newspaper Research Journal. Vol. 34, No. 1
Foto: Philip Di Salvo / EJO
Tags:abonimi online, lajmi me pagesë, tablete