Ende nuk është diskutuar gjërësisht se deri në ç’masë gazetarët dhe media mund të mbajnë të paktën një pjesë të përgjegjësisë për rënien e bankave dhe të tregjeve financiare.
A mund të shihet kriza ekonomike edhe si një krizë e gazetarisë së fushës së biznesit dhe të financave? Mos jemi pamjaftueshmërisht të informuar – pavarësisht e mbase edhe për shkak të mbingarkesës së informacionit që vjen në ciklin e 7 ditëve të javës dhe 24 orëve të ditënatës?
Anya Schiffrin e Universitetit të Kolumbias iu ka kushtuar një vëmendje të posaçme këtyre pyetjeve. Ajo është nga të paktët ekspertë që e sheh me sy të ftohtë punën e gazetarëve të biznesit dhe të financave. Në librin e saj të kohëve të fundit, “Lajm i keq: Si e humbi gazetaria amerikane e biznesit lajmin e shekullit”, ajo dhe kontribues të tjerë trajtojnë nga këndvështrime të larmishme këtë dështim të mediave.
Schiffrin e sheh dështimin e gazetarisë së biznesit dhe financave të ndërthurur me rënien e përgjithshme të standarteve profesionale në gazetari gjatë viteve të fundit. Siç shpjegon ajo, “Ka ekzistuar një kolaps në të ardhurat prej reklamave që i parapriu krizës, por që u rëndua më shumë prej recesionit ekonomik. Më tej, ishin pushimet nga puna dhe shkurtimet e stafit që vijuan, të cilat sollën tek gazetarët ndjenjën e frikës së humbjes së vendit të punës dhe bënë që ata t’i trembeshin daljes nga korniza.” Kriza financiare e vitit 2008 dhe 2009 erdhi “në një kohë kur gazetaria amerikane ishte duke u vetëshpërbërë” dhe kur pothuajse një e treta e vendeve të punës nëpër redaksi ishin mbyllur.
Sipas Schiffrin, janë ndërmarrë shumë pak studime akademike lidhur me rrugën që duhet të ndjekë gazetaria e biznesit gjatë krizave ekonomike. Studimet e kryera tregojnë se gjatë krizave reporterët bëhen më të varur nga burimet – që janë kontaktet e tyre të qëndrueshme në institucione kyçe publike apo private. “Ritmi që kanë ndjekur ngjarjet, tregon se reporterët nuk kanë kohë për raportime investigative të gjera apo për hulumtime akademike, madje as për të bërë analizën perspektive të “të brendshmit” në këto punë. Njëherësh, burimet vijnë duke u tharë, pasi ata kanë frikë se publikimi i lajmeve jo të mira do t’i përkeqësojë gjërat më tej. Kur burimet janë, fokusi i tyre – më shumë se zakonisht – është i përpunuar, duke u përpjekur për një riformatim të raportimit të ngjarjes ndërkohë që ajo është në zhvillim e sipër.”
Fituesi i Çmimit Nobel, informaticieni ekonomist Joseph E. Stiglitz thotë se “një shtyp kritik mund të shërbejë si një mjet kontrolli dhe balancimi, i cili restauron shëndetin e tregjeve që kanë humbur lidhjet me realitetin.” Por Stiglitz është gjithashtu i ndërgjegjshëm për arsyet pse është e vështirë që të arrihet kjo pritshmëri e nivelit të lartë: “Reporterët dhe botuesit e tyre nuk janë të veçuar nga pjesa tjetër e shoqërisë. Edhe ata lehtësisht mund të rrëshqasin në mentalitetin e turmës” jo rrallë pasi “ekzistojnë motive të forta që media të mos ecë kundër rrymës.” Stiglitz identifikon një problem të rëndësishëm në marrëdhëniet simbiotike mes medias dhe atyre për të cilët ajo raporton. Këto marrëdhënie të rehatshme “jo domodoshmërisht shërbejnë për mirë për pjesën tjetër të shoqërisë.” Për më tepër, “mundet që paturpësia të zotërojë mënyrën e shikimit të gjërave nga gazetarët, të cilët si marrës të informacionit mund të shmangin shformime dhe parregullsi, përderisa janë pikërisht ata që e marrin informacionin.”
Si rezultat, thotë Stiglitz, shumë shpesh “gjenden raportime të tipit ai-tha, ajo-tha, një raportim i thjeshtëzuar i këndvështrimeve të ndryshme, shumë pak i balancuar dhe pa analizë të gjërave. Kjo është njëlloj sikur gjatë raportimit të një lajmi rreth ngjyrës blu të qiellit, një gazetar që s’dallon dot ngjyrat, t’i japë të njëjtën rëndësi si atyre që thonë se qielli është portokalli, edhe atyre që thonë se qielli është blu.”
Dean Starkman i Columbia Journalism Review fokusohet tek një grup tjetër mekanizmash parandalues, të cilët nuk funksionuan si duhet për të lëshuar më herët alarmin e krizës. Mes tyre ai liston menaxherët e riskut, drejtorët e institucioneve financiare, zyrat e kontabilitetit, agjensitë e vlerësimit, agjensitë rregullatore, dhe –patjetër – gazetarët. Në analizën e lëndës së botuar nga nëntë prej kompanitë mediatike më me influencë në SHBA për periudhën nga janari i vitit 2000 deri në qershor 2007, Starkman identifikon 730 artikuj që përmbajnë paralajmërime serioze. Dhe ndërsa shifra prej 730 mund të duket një numër i madh shkrimesh relevante, Starkman na bën me dije se kjo nuk është aspak një shifër impresionuese. Ne duhet të sjellim ndërmend se vetëm Wall Street Journal “botoi 220 000 shkrime gjatë kësaj periudhe, kështu që në një kuptim këto ishin vetëm disa cirka nga një Niagarë lajmesh”.
Ndërkohë që eksperti i gazetarisë së biznesit Chris Roush nga Universiteti i Karolins së Veriut merr në mbrojtje performancën e përgjithshme të gazetarisë ekonomike, Robert H. Giles dhe Barry Sussman, të dy nga Nieman Foundation i Universitetit të Harvardit, sjellin në vemendjen tonë virtutet e hershme të gazetarisë. Që të dy këta ekspertë të medias nënvizojnë rëndësinë e “të qënit skeptik, të menduarit të bazuar në intuitë si dhe të luftës kundër tendencës për të qënë brenda kornizave.” Kjo tingëllon si diçka interesante e dalë nga moda, por një apel i tillë mund të shihet edhe si shenjë e alternativave të pakta. Për të kuptuar arsyen pse gazetaria e biznesit dështoi në disa drejtime, na ndihmon veçanërisht një këndvështrim tjetër i Giles dhe Sussman: për gazetarët që kanë të bëjnë me ekspertët e ekonomisë gjërat vështirësohen edhe më tej pasi konsensusi ndërmjet ekonomistëve pothuajse mungon dhe opinionet e tyre janë tejet të ndryshme.
Sipas Giles dhe Sussman, ekonomistët mund të ndahen në tre grupe: “Në grupin e parë përfshihen ekonomistët e mprehtë dhe të zotë që janë të punësuar nga Wall Street dhe janë të varur nga interesa të ndryshme komerciale – këta zakonisht janë ata që ftohen më shpesh nga media, sidomos nga kanalet e TV kabllor.” Në grupin e dytë përfshihen ata ekonomistë që janë të zhytur kaq shumë në teorinë e tregjeve efiçiente, “ saqë nuk mund të dalin prej saj, madje as pas katastrofës së madhe që zbuloi të metat në teori dhe la të papunë miliona njerëz që humbën shtëpitë dhe kursimet e tyre.” Grupi i tretë përbëhet nga ata që “kanë kredibilitet” dhe besojnë “që tregjet mund të dështojnë apo të preken nga spekulime apo fryrje të pamenduara, dhe që shteti ka një rol të rëndësishëm në rregullimin e tregjeve dhe në stabilizimin e politikës monetare që ndihmon në qëndrueshmërinë e tyre.”
Kjo përmbledhje mund të duket disi bruto, por megjithatë përmban një pjesë të së vërtetës dhe ndihmon në një farë mënyre për të shpjeguar arsyen pse gazetarët e biznesit që përpiqen për të identifikuar të vërtetën në raportimet e tyre, nuk arritën dot ta bëjnë këtë. Pushteti dhe ndikimi i komentatorëve të njohur të ekonomisë, i analistëve të financës dhe i të tjerëve që kanë karrierën si axhendë të tyren, është i rëndësishëm dhe të gjithë së bashku, jo rrallë, përbëjnë korin e zërave që kanë në dorë kornizat e debatit.
Origjinali i publikuar në Neue Zürcher Zeitung më 18 tetor 2011