Rritja e cilësisë së raportimit, kategorizimi i pastër në gazeta cilësore dhe bulevardi, kombinimi i formave të financimit, por edhe një hapje më e guximshme drejt internetit, mund të ishin varka e shpëtimit për të ardhmen. Sepse zgjidhja nuk duhet kërkuar te homogjenizimi, por te orgjinaliteti.
Ndërsa flitet për krizë të shtypit të shkruar, disa gazeta shqiptare ngritën çmimin e shitjes duke arritur një lloj njehsimi në treg. Por a mundet ta shpëtojë kjo shtypin e shkruar? Le të japim disa argumente. Sipas editorialit të të përditshmes më të madhe shqiptare „Panorama“, fajtori kryesor për këtë rritje „të pakëndshme“ është kriza ekonomike, e cila ka sjellë „një rënie të ndjeshme të reklamave“. Por mes rënies së cilësisë së gazetës, për sa kohë ajo nuk është rentabël dhe ruajtjes së kësaj cilësie përmes çmimit të ri të shitjes, stafi drejtues kishte qenë i detyruar të ndiqte rrugën e dytë. Në të njëjtën kohë, një tjetër e përditshme shqiptare, „Shekulli“, përmes një letre të hapur të kryeredaktorit A.Thano i komunikonte lexuesit të saj se cmimi do të rritej si pasojë e së paku dy arsyeve: situata e vështirë në të cilën ndodhet „media e pakët kritike e mbetur në vend; situatë e ardhur mbi të gjitha si pasojë e një sulmi të lig, primitiv dhe të pandalshëm të qeverisë mbi këtë gazetë dhe mbështetësin e saj financiar“ dhe „rënia drastike e të ardhurave nga reklamat.“ Sipas Thanos, në versionin online reklama është gati inekzistente, ndërsa në versionin print të gazetës ajo po shkon drejt zeros.“
Eshtë e vërtetë që mungesa e reklamës ua ka bërë jetën të vëshirë gazetave. Gati 80-90% e reklamave shkojnë në TV dhe vetëm 10% mbesin për shtypin e shkruar, dhe duhet të ndahen mes dhjetra gazetave që dalin në treg. Rritja e çmimit 10 lekë për gazetë në një kohë, kur ka rritje gjithandej, mund të jetë e drejtë dhe mbase do të mbulonte disa kosto, por a do ta zgjidhte ajo krizën e shtypit dhe mediave në përgjithësi? A do të mjaftonin këto të ardhura për të paguar gazetarët e disa mediave që nuk e kanë marrë rrogën prej muajsh ose e marrin atë me rotacion? Druaj që nuk është e mjaftueshme.
Natyrisht, produksioni i shtypit bart një sërë problemesh që nuk mund t’i anashkalojmë: informaliteti, konkurrenca e pandershme, politizimi i skajshëm që ndërhyn deri te shpërndarja e reklamës, por nga ana tjetër edhe shkëputjen e gazetës nga lexuesi i saj. Mbi 20 gazeta të përditshme që mbijetojnë duke bërë thjesht një face-lifting të vazhdueshëm, duke e reduktuar raportimin gazetaresk në punën rutinë të zbardhjes së njoftimeve të gatshme për shtyp. Janë shumë të pakta gazetat që e ofrojnë një lajm pa e paketuar me ambalazh sensacional. Një zgjidhje mund të ishte mbyllja e një pjese të madhe të këtyre gazetave për të shpëtuar vetëm ato që e meritojnë. Kështu ajo pak reklamë do të shpërndahej në mënyrë të drejtë mes mediave „të mbijetuara“. Ky do të ishte skenar paksa radikal. Por mund të riskohej, për sa kohë biem dakord që shtypi i shkruar e ka humbur publikun e tij prej kohësh. Standardizimi i çmimit të shitjes është vetëm njëra anë e medaljes, tjetra është homogjenizimi i përmbajtjes së gazetave. Ai filloi në fakt para se gazeta „Shqip“ të ulte çmimin nga 50 në 30 lekë (bashkë me numrin e faqeve nga 32 në 24), duke iu bashkuar kështu gazetave „Shqiptarja.com“ dhe „Tema“. I njëjti çmim, e njëjta sasi faqesh, i njëjti informacion që në përgjithësi „zbardhet“ nga edicionet e lajmeve në TV. Çfarë të rejash të pakonkurueshme ofrojnë gazetat tona? Kujt ngjarje i shkohet deri në fund apo thellohet më tepër se ç’mund ta bëjë televizioni? Përse nuk e pranojmë që gazetat tona vuajnë jo vetëm prej krizës së përgjithshme ekonomike, – që siç vëren drejtori i „Mapos“ H. Çili, po përjetohet kudo, bashkë me „kostot gjithnjë e më të larta të shtypshkrimit…“, por edhe prej mungesës së orgjinalitetit, pasojave të klonimit të informacionit.
Në kohën kur edhe vlera e tij njehsohet, kalimi i një gazete si produkt individual dhe me një çmim specifik, në një produkt me çmim standard ka pasoja. Që të dallohet gazeta X nga ajo Y prapë do t’i duhet të investojë në rritjen e cilësisë së gazetës (të punësojë më shumë gazetarë të mirë, ose gazetarët më të mirë që ka t’i paguajë më shumë), të rrisë numrin e faqeve të gazetës ose suplementeve apo produkteve të tjera plus që mund të ofrojë. Lexuesi i sotëm nuk ka pse të paguajë më shtrenjtë për informacione, të cilat mund t’i gjejë falas në internet, nuk ka pse të investojë në gazeta që kthehen rëndom në hapësira botimi për listat e pranimeve në univeristet, listat e pensioneve apo shlyerjes së kredive, dhe nuk fokusohen te problematikat që kanë interes real publik. Rritja e cilësisë së raportimit, kategorizimi i pastër në gazeta cilësore dhe bulevardi, kombinimi i formave të financimit, siç po bën këto kohë NYT, por edhe një hapje më e guximshme drejt internetit, mund të ishin varka e shpëtimit për të ardhmen. Sepse zgjidhja nuk duhet kërkuar te homogjenizimi, por te orgjinaliteti.
Në rast të kundërt, nëse deklarata e Remzi Lanit në një intervistë të paradokohshme te „Reporteri“, se „gazetat në Shqipëri mbijetojnë për arsye ekstra-mediatike, ato mbijetojne për shkak të interesave të pronarëve të medias, jo per shkak të audiencës“, do të ishte e vlefshme edhe për të ardhmen e afërt, atëherë i gjithë debati për rritjen e çmimit të gazetës në emër të cilësisë dhe të interesit publik, do të mbetej thjesht një flluskë sapuni dhe demagogji, sa për ta hedhur edhe një herë lumin.