Ekrani është në vetvete një truk

12 Mars , 2012 • Gazetaria e Medias, Profesionalizmi në media • by

Arjan Çani, nuk vuan nga kompleksi i të folurit pa dorashka, ndërsa e diferencon veten nga formati tradicional i debatit politik, edhe pse herë pas here e cek politikën, për të tjerët është i pamëshirshëm ndërsa i quan: Shterp apo autikë.

Në më shumë se 15 vjet emisione të debatit politik, si mendoni se kanë evoluar ata, cila është rruga që kanë bërë?

Pyetja juaj kap një spektër shumë të gjerë. Por duke qenë se këto lloj debatesh nuk do ishin gjëja që unë do bëja me pasion, po ju them me pak fjalë mendimin tim. Debatet politike në këtë vend kanë evoluar dukshëm në interes të publikut, ndonëse në shumicën e tyre, ato janë shpesh shterpë dhe jo interesante. Ka një lloj autizmi në këto debate që shpesh të detyrojnë të ndërrosh kanal. Kjo për disa arsye. E para, konduktorët e këtyre debateve janë në shumicën e tyre të paaftë dhe nuk e njohin ekranin dhe ligjësitë e tij. Këta gazetarë të ardhur shpesh nga shtypi i shkruar, sillen dhe flasin me të ftuarit, pra me teleshikuesit, njësoj sikur u drejtohen lexuesve të tyre të shtypit të shkruar. E dyta, konduktorët e këtyre debateve duke mos e ditur apo mos e konsideruar ekranin si një media masive, përdorin një gjuhë të vështirë për pjesën më të madhe të publikut që teorikisht mund t’i ndjekë këto debate, duke bërë kështu nul efektin e këtyre debateve. E treta, vetëm në vende si Shqipëria, debatet politike hidhen për konsum të gjerë në prime time, pra në pikun e audiencës siç është ora 21.00 – 23.30…Unë përmenda tri arsye, por nuk janë të vetmet…

Në historinë e televizionit ka mbi dhjetëra emisione debati dhe bisedash politike, një sërë prej tyre janë mbyllur, por janë zëvendësuar menjëherë nga të tjera, cilat mendoni se kanë qenë kriteret dhe kushtet që kanë çuar në mbyllje?

Një gjë është e sigurt, që nuk mund të jenë arsye të audiencës, përderisa në këtë vend mungon qysh prej fillimit të këtij tregu një apo disa matësa audiencë profesionale, siç në fakt ekzistojnë gjithandej ku ka një treg të medias audiovizive. Pra arsyet e mbylljes i bie të jenë banale dhe pa ndonjë interes për publikun, si për shembull, moderatorë që mërziten, moderatorë që lodhen, moderatorë që bëjnë sherr me pronarët e tyre, moderatorë që lënë këtë zanat dhe fillojnë një tjetër, moderatorë që nuk i lënë gratë etj., etj…

Në retrospektivë, si i shihni këto emisione dhe çfarë i kanë sjellë ato publikut dhe njëkohësisht medias shqiptare?

Unë nuk di të them se çfarë i kanë sjellë ato publikut, por Drejtuesit e debateve janë, në shumicën e tyre, të paaftë di të them se çfarë iu sjellin aktorëve politikë që i përdorin këto hapësira për të rregulluar punët e tyre. Jo se po i paragjykoj. Por, thjesht konstatoj se shpesh debatet politike në këtë vend nuk kanë qëllim tjetër veçse të shërbejnë si një lloj vitrine që ata, pra aktorët e politikës, të shohin veten në pasqyrë, apo t’u tregojnë shefave të tyre se sa të zellshëm janë. Kjo është loja që bëhet…

Cila është e ardhmja e emisioneve si ai që drejtoni ju?

Nuk di t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, por di të them se e tashmja më duket e shëndetshme. Pa shumë mundim, mund të numërosh mbi 10 emisione televizive me bazë debati politik apo mbi tema politike dhe, jo rrallë ndodh që i njëjti i ftuar të jetë duke debatuar live në një emision dhe të jetë në transmetim pas një regjistrimi në një tjetër.

A nuk duket sikur ka tepri të transmetimeve të kësaj natyre? Mos vallë shqiptarët prodhojnë më shumë politikë se sa mund të konsumojnë?

Jo, nuk mendoj kështu. Sepse këtë gjë e konstatojmë vetëm ne njerëzit e medias. Publiku që e ndjek ekranin si konsumator, nuk e bën fare këtë analizë. Mos harroni se mbreti i ekranit nuk është ai që del në ekran, por telekomanda. Sot publiku ka shumë mundësi të zgjedhë. Le të mos ia qajmë hallin. Koston, nëse ka me pakicë apo me shumicë debate të tilla politike nëpër ekrane, e paguajnë vetëm ekranet dhe jo ata që i konsumojnë ato.

Shpesh ndodh që tema të caktuara, edhe mjaft të rëndësishme, në ekran konsumohen me shpejtësi (pa u sqaruar mirë), kjo është vetëm falë kërkesës për të sjellë gjithmonë diçka të re, apo edhe shenjë e konkurrencës dhe tentativës për të qenë gjithmonë ndryshe nga rivalët? Kjo ndodh falë paaftësisë së atyre që kanë marrë përsipër këtë punë. Meqë jemi te rivalët, cila është marrëdhënia me kolegët që drejtojnë emisione të ngjashme?

Në këto 9 vjet “Zonë e Lirë”, unë nuk kam parë ndonjë koncept të ngjashëm televiziv. Kështu që nuk shoh rival rreth e rrotull. Më ndjeni, por mos e konsideroni si mungesë modestie këtë që thashë. E mendoj sinqerisht… Ndodh shpesh që tema të njëjta të trajtohen në dy emisione njëkohësisht, edhe pse nga njerëz të ndryshëm. A nuk sjell kjo një lloj përsëritjeje të panevojshme? Kakofoni? Jo. Sepse e shpjegova pak më lart. E para, nuk është asnjëherë e njëjta gjë. Dhe e dyta, mos harroni atë që ju thashë më sipër: Mbreti është telekomanda.

Lidhur me pyetjen e parë, a ka të dhëna mbi shikueshmërinë e këtyre emisioneve?

Jo. Fare. Dhe ky është një absurditet i paparë dhe i padëgjuar. Gjynah për sponsorët që nuk dinë se ku investojnë, përveçse në rastet kur shumë prej tyre iu intereson kjo lloj mjegulle me qëllim përfitimi ose manipulim buxhetesh në favor të të tretëve. Histori më vete kjo punë.

Ka zëra të një konkurrence të fortë mes llojit, d.m.th., mes gazetarëve që përgatisin emisione të kësaj natyre, si qëndron kjo sipas jush, sa është brenda normales?

Mua më duket normale dhe më mirë që është kështu.

Cilat janë anët e mira dhe të këqija të një emisioni me debat?

Ana e mirë është kur debati arrin të divulgojë çështje të cilat nuk janë të lehta për t’u kuptuar nga publiku i gjerë. Ana e keqe është kur debati mbetet thjesht një zhurmë dhe mesazhi nuk arrin të mbërrijë në sytë dhe veshët e konsumatorit.

Çfarë ndodh në prapaskenën e përgatitjes së këtyre emisioneve, sidomos kur bëhet fjalë për të pasur një rrëfim ekskluziv?

Teknikat janë të ndryshme. Unë nuk di se çfarë ndodh me formatet strikt politike, por në përgjithësi nuk duhet harruar që ekrani është në vetvete një truk, pra një “mise en scene”…Unë e them shpesh në emisionin tim: Kujdes, mbani distancën e duhur me ekranin, shijojeni, por mos e besoni plotësisht.

Ju i jepni debatit herë pas here ngjyra grotesku apo edhe ia lehtësoni ashpërsinë, duke përfshirë në të personazhe rozë apo duke e thyer me humor, mendoni se kjo është diçka ndryshe që i bën njerëzit që, edhe pasi e kanë parë një debat të ngjashëm në dy emisione të tjera, të duan ta shohin këtë të diskutuar alla Çani?

Unë besoj se po. Në rastin tim, unë them se publiku që vjen tek unë në fillim të fundjavës, nuk vjen aspak për të vazhduar lodhjen e javës që sapo ka lënë pas. Vjen për t’u çlodhur. Dhe, nëse unë nuk e harroj këtë detaj, ai më ka xhan dhe nuk më lë asnjëherë vetëm.

Marrë nga revista “Mapo”, Shkurt 2012. Titulli në origjinal: “Arian Çani: Drejtuesit e debateve janë, në shumicën e tyre, të paaftë”

Shënim i redaksisë: Shkrimet e publikuara në këtë faqe shprehin mendimin personal të autorit dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e redaksisë së EJO në shqip

 

 

 

Send this to a friend