2 korriku, Dita Botërore e Gazetarisë Sportive

2 Korrik , 2020 • Gazetaria e Medias, Kryesoret, Shkrimet më të fundit • by

Janë me qindra mijëra fusha sporti ku luhet në planet, dhe momente mahnitëse shpalosen çdo orë nëpër të. Falë pasqyrimit, paanshmërisë dhe talentit të gazetarëve, miliona tifozë në të gjithë botën marrin informacion, bëjnë zgjedhjet e tyre, formojnë mendimet e tyre.

Dita Botërore e Gazetarëve Sportivë festohet më 2 korrik, për të përkujtuar shërbimet e gazetarëve sportivë për promovimin e sportit. Kjo ditë është shënuar si data përkujtimore për shkak të rëndësisë së saj, sepse është data kur u krijua Shoqata Ndërkombëtare e Shtypit Sportiv (AIPS), gjatë Lojërave Olimpike të Parisit më 1924-ën.

Kjo Shoqatë e vuri theksin tek forcimi i bashkëpunimit, lidhjes dhe respektit të ndërsjellë midis gazetarëve të sportit në të gjithë globin. Gazetaria sportive ka lulëzuar përkrah rritjes së shumëllojshmërisë së veprimtarive sportive në të gjithë botën, çka ka çuar edhe në rritjen e fuqisë, pasurisë dhe ndikimit.
Gazetaria sportive është një pjesë integrale për çdo grup mediatik.

Dita Botërore e Gazetarëve të Sporteve festohet që të nxisë anëtarët e mediave sportive të përpiqen për përsosmëri në punën e tyre profesionale dhe për të shfrytëzuar çdo mundësi për të përdorur sportin si një mjet për paqen botërore, dhe për të qenë të drejtë dhe të paanshëm. Një gazetar mund t’i shtojë vlera jo vetëm botës së sportit, por botës së gjerë, kulturës, paqes dhe vlerave të mira. Edhe në Shqipëri, gazetaria sportive ka njohur një shpërthim të vërtetë pas viteve 1990, por sidomos në 10-vjeçarin e parë të të mijëvjeçarit të ri, me shtimin e mjeteve të informimit publik, qoftë kjo në shtypin e shkruar, atë audioviziv, por edhe në Internet dhe mediat sociale.

Në Shqipëri ekziston edhe një degë e AIPS-it, ndonëse duhet theksuar se është në një gjendje inaktive. Ndërkohë, edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka shprehur urimet më të sinqerta për gazetarët shqiptarë me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve të Sportit. Në përshëndetjen e tij, Presidenti Duka thekson se futbolli është loja jonë e përbashkët dhe duhet mbështetur nga të gjithë. Ndër të tjera kreu i qeverisë së futbollit shqiptar inkurajon gazetarët sportivë që të vazhdojnë punën e tyre të palodhur për informimin e opinionit publik dhe njëkohësisht i fton të japin kontributin e tyre të çmuar në zhvillimin e futbollit shqiptar.

“Futbolli, loja jonë e përbashkët, duhet mbështetur nga të gjithë. FSHF dhe gazetarët sportivë janë në të njëjtin front: ne për ta bërë më të mirë lojën dhe ju për ta mbështetur atë, – shkruan kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend në mesazhin e tij, duke vijuar: “Federata Shqiptare e Futbollit i inkurajon gazetarët sportivë që të vazhdojnë punën e tyre të palodhur për informimin e opinionit publik dhe njëkohësisht i fton të gjithë përfaqësuesit e medias sportive të na ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të futbollit shqiptar.”

Burimi: https://www.rtsh.al/lajme/2-korriku-dita-boterore-e-gazetarise-sportive/

Tags:, ,

Send this to a friend