Modelet inovative të financimit dhe shmangja e kapjes së medias nga shteti në Europën Lindore

9 Korrik , 2019 • Ekonomia e Medias, Kryesoret, Liria e medias, Modele Biznesi, Shkrimet më të fundit • by

“Ndihmoni Mérce në mënyrë që ne të mbetemi të pavarur” – imazh nga Fushata e Mbledhjes së Fondeve e websajtit hungarez Mérce

Në të gjithë Europën, mediave iu duhet të përballen me të njëjtën sfidë: që të ruajnë pavarësinë, ato duhet të mbështeten nga modele financiare të sigurta. Në Europën Qendrore dhe Lindore, problemi është veçanërisht akut. Kornélia R. Kiss hedh një vështrim në disa mënyra tek të cilat bizneset e reja alternative të rajonit janë mbështetur për t’i shpërtuar kurthit të shndërrimit të organizatave mediatike në vegla të politikës.

Pavarësia financiare është esenciale për pavarësinë editoriale. Kur mediat nuk munden të mbështesin vetveten, por kontrollen nga interesa të caktuara – sidomos interesa politike të caktuara – ato në mënyrë të pashmangshme e humbin pavarësinë.

Kriza financiare e vitit 2008 pati një efekt negativ, sidomos në tregun e mediave të Europës Qendrore dhe Lindore. Që nga tranzicioni politik pas vitit 1989 dhe privatizimi i organeve të medias të kontrolluara nga shteti, rajoni ka qënë i dominuar nga kompani botuese ndërkombëtare të cilat kanë krijuar mundësi në ekonomitë në zhvillim. Por me rënien e të ardhurave nga reklamat në fillim të krizës, kompanitë ndërkombëtare nisën të tërhiqen. Aksionet e tyre në media u blenë nga investitorë lokalë ose “oligarkë”, bizneset kryesore të të cilëve ishin në sektorë të tjerë si dhe kishin gjithashtu edhe interesa politike. Madje disa u përfshin drejtpërdrejt në politikë.

Dominimi i pashëndetshëm i oligarkëve

Sipas ekspertit çek të mediave Václav Štětka – lektor i medias dhe i komunikimit në Universitetin Loughborough – e tatëpjeta ekonomike krijoi një “rreth vicioz” në mjedisin e medias. “Pas kthimit të mediave në biznese me humbje, situata në rajon u përkeqësua më tej vit pas viti”, thotë ai për EJO. “Terreni mediatik i dominuar nga modeli oligarkik i pronësisë nuk mund të përshkruhet si një mjedis i shëndetshëm për pavarësinë gazetareske”.

Në ato vende ku oligarkët janë në aleancë të ngushtë me qeverinë, politikanët në pushtet kënaqen me korrjen e benefiteve që vijnë nga media të nënshtruara dhe kësisoj kanë shumë pak interes që të ndryshojnë situatën për të krijuar kushte më të përshtatshme për pavarësinë financiare të mediave.

Modele të reja të financimit

Gjithsesi, brenda vendeve të “Visegrad 4”, (Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria dhe Polonia), vetë gazetarët po vihen në pararojë të përpjekjeve për të luftuar rrezikun e kapjes së medias nga shteti që është i pranishëm më shumë se kurrë.

Mediat e pavarura kanë eksploruar një mori opsionesh me synimin e arritjes së qëndrueshmërisë: modelet e abonimit, grantet, financimin nga publiku (crowdfunding) dhe aksesin me pagesë (paywall).

  • Sllovakia: pioner i rajonit.

Pavarësisht nga fakti se ka një popullsi prej vetëm 5.4 milionë banorë dhe një treg mediatik shumë të vogël, Sllovakia na sjell disa nga inovacionet më interesante.

Një histori suksesi sllovake është gazeta e përditshme dhe websajti i lajmeve Denník N, e themeluar nga një grup gazetarësh që u larguan nga e përditshmja SME në shënje proteste pas shitjes së aksioneve të bashkëpronarit gjerman të gazetës tek grupi sllovak i investimit Penta në vitin 2015. Ndryshimi në strukturën e pronësisë tek SME krijoi frikën se gazeta shumë shpejt do të ndjente efektet negative të oligarkizimit dhe se pronari i ri sllovak do të kërkonte t’i vinte fre pavarësinsë së gazetarisë.

Aventura e ndërmarrë nga themeluesit e Dennik N u shpërblye: në vitin 2018 Denník N arriti të kishte 30,000 abonentë,, duke siguruar 75% të të ardhurave të gazetës prej lexuesve të vet. Dennik N ndërrmori kërkime për të mësuar se për çfarë ishin të gatshëm lexuesit e vet që të paguanin: të mbështetur nga programi Digital News Innovation Fund i Google,, ata analizuan preferencat e audiencës, gjë që bëri të mundur targetimin e lexuesve me marketim të specializuar. Ky model i suksesshëm është eksportuar aktualisht në Republikën Çeke, ku një version çek i Deník N, u lançua në tetor 2018..

Një zhvillim tjetër interesant sllovak ishte koncepti i “national paywall” i aplikuar nga Piano Media në vitin 2011, sipas të cilit disa media ranë dakord që të aplikonin një pagesë të përbashkët për një pjesë të përmbajtjes së tyre. Lexuesit që u abonuan kishin mundësi të aksesonin përmbajtje të ndryshme nga të gjitha mediat që u bënë pjesë e kësaj skeme.
Kjo ide korri sukses në fillim, dhe Piano Media ia doli ta eksportonte konceptin në tregje të tjera mediatike të rajonit. Megjithatë, sistemi i “national paywall” në  Sllovaki u mbyll në vitin 2016, kur disa media pjesëmarrëse vendosën dhe preferuan që të kenë kontroll të plotë vetjak për abonimet e tyre dhe u larguan nga skema.

Edhe pse national paywall nuk ia doli të jetë një zgjidhje afatgjatë për të gjithë rajonin, disa botues sllovakë, çekë dhe polakë kanë adoptuar modele individuale të pagesës.

  • Republika Çeke: bizneset e reja mediatike sfidojnë oligarkizimin

Rreziku i “oligarkizimit” bëri që disa gazetarë çekë të ndërmarrin aksione të ngjashme. Kur Andrej Babiš – njeriu i dytë më i pasur në vend dhe aktualisht kryeministër i Republikës Çeke – bleu kompaninë Mafra në vitin 2014, disa gazetarë u larguan nga Mafra dhe krijuan mediat e tyre. Njëra nga këto media ishte revista e përmuajshme Reporter, e specializuar në analiza të thelluara dhe në raportimin investigativ e cila u lancua nga një grup gazetarësh të së përditshmes Mladá fronta DNES. Burimet kryesore të të ardhurave të Reporter janë reklamat, shitjet dhe donacionet e bëra në momentin e themelimit të revistës.

  • Poloni: qasje profesionale në crowd-funding

Në skemën mediatike polake, kompanitë ndërkombëtare, kanë ende një prezencë të shënuar, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë konservatore të partisë Ligj dhe Drejtësi për të “ripolonizuar” median.
Disa nga mediat tradicionale kryesore kanë dhënë mbështetjen e tyre për projektet e reja mediatike. E përditshmja e mirënjohur Gazeta Wyborcza ndihmoi për lançimin e websajtit investigativ jo-fitimprurës oko.press  në vitin 2016. Oko.press aktualisht mban vetveten kryesisht përmes crowd-funding dhe granteve. Në konferencën Sfera Publike në Europë e mbajtur në Potsdam në dhjetor të vitit 2018, gazetarja e oko Agata Szczęśniak bëri një përshkrim të përpjekjeve të ndërmarra nga websajti gjatë fushatave profesionale të crowdfunding, me ndihmën e një donatori që kishte punuar dikur për Amnesty International.

  • Hungari: modele hibride

Kapja e mediave nga shteti në Hungari ka arritur aktualisht në një fazë të avancuar. Tregu i mediave është tërësisht i deformuar prej faktit se, edhe pse shumica e mediave pro-qeveritare kanë tirazh të ulët, ato mbështeten nga reklamat shtetërore.
Mediat e pavarura janë pothuajse tërësisht të varura nga grantet dhe donacionet e lexuesve për t’u financuar. Nuk aplikohen paywalls në tregun hungarez të mediave. Sajtet e pavarura dhe më të njohura të lajmeve Index.hu dhe 444.hu bazohen në crowd-funding ndërsa platformat investigative jo-fitimprurës Atlatszo.hu dhe Direkt36.hu financojnë vetveten nëpërmjet granteve dhe kontributeve të lexuesve. Platforma e majtë e lajmeve Merce.hu mbështetet tërësisht tek dhurimet e lexuesve.
Dy media relativisht të reja të skenës mediatike hungareze po eksperimentojnë një model hibrid ku përfshihet një kombinim i të ardhurave nga abonimet dhe nga donacionet. E përjavshmja Magyar Hang që u ngrit nga hiri i të përditshmes konservatore Magyar Nemzet në prill 2018, botohet aktualisht nga vetë kryeredaktori. E përjavshmja tjetër konservatore Heti Válasz, që kishte pronar të njëjtë me Magyar Nemzet u mbyll në 2018 por më pas, u rikthye nga gazetarët e vetë si një sajt i ri online i bazuar tek abonimet dhe donacionet.

Imazhi: Merce.hu

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, ,

Send this to a friend