Të urresh fqinjin: Raportimi i Grexit

9 Korrik , 2015 • Kryesoret, Marrëdhëniet Publike, Shkrimet më të fundit • by

Nga Miruna Munteanu

Vini re ju lutem titujt e gazetave që pretendojnë të shpjegojnë krizën greke me një të rënë të sëpatës. Në fakt nuk mund të ketë shpjegim të shpejtë dhe të thjeshtë të problemit. Vetëm mendjet e atyre që përpiqen ta përmbledhin atë me pak klishe janë të thjeshta. Dhe janë të shumtë ata që e bëjnë këtë. Kjo po bëhet edhe më intoksikuese se sa vetë majisja e borxheve.

Në Rumaninë e origjinës sime, mediat kryesore janë mbushur me akuza dhe thjeshtëzime pa kuptim. Në talk-show-t e mbrëmjes të televizioneve kryesore (Antena 3, Romania TV, Realitatea apo B1TV), debatet po kthehet në një duel stereotipesh të ngarkuara me urrejtje.

Fqinjët tanë grekët portretizohen si dembelë dhe si mashtrues që kërkojnë darkë falas në tryezën e Europës. Si një komb i korruptuar deri në palcë, që ka neveri për punën dhe për taksat dhe që shpreson të festojë përjetësisht me borxhe.

Të tjerë e përshkruajnë FMN-në, Bankën Botërore dhe BE-në si peshkaqenë kredish, apo edhe më keq si komplot që ka si synim skllavërimin e shteteve të pavarura dhe shkatërrimin e demokracisë. Gjermania akuzohet se ka si synim që të marrë edhe një herë nën kontroll kontinentin, këtë radhë duke përdorur mjetet financiare për t’i bërë popujt të dorëzohen.

Në internet gjërat bëhen edhe më të frikshme. Ja përshembull, dy tituj nga platforma e lajmeve Reporter Virtual: “Majmuni komunist po kërkon vota, duke premtuar edhe më shumë dembelizëm”, dhe “Paturpësia dhe pafytyrësia fitojnë sërish në Greqi. Grekët ekspozojnë mashtrimin e tyre më të fundit”.

Lucian Mandruta, një ish-spiker i  Romania TV flet në blogun e tij për një “vjedhje në shkallë kombëtare, të kryer nga disa milionë qytetarë të BE-së” që ka “në krye të bandës kriminale”, kryeministrin Alexis Tsipras. Ai pyet “pse punëtori gjerman duhet të mbështesë atë grek, kur ky i fundit është i sëmurur nga opinionet dhe i varur nga puna e të tjerëve?”. Një nga artikujt e tij sugjeron qysh në titull: “Në trekëmbësh!”.

Radu Alexandru, një bloger tjetër e krahason Greqinë me “shokun më të keq të mundshëm të dhomës”, i cili nuk paguan qiranë, merr vazhdimisht para borxh dhe refuzon të sillet në mënyrë të civilizuar. Metafora e “fqinjit të keq” është përdorur edhe  nga kolumnisti Alex Livadaru në një editorial të tijin të botuar tek Gandul.info.

“Po sikur Greqia të jetë viktimë e një komploti ndërkombëtar?” – pyet revista online Money.ro, duke cituar burime greke. Në fakt të gjithë artikujt që flasin për një plan kriminal të fshehur pas krizës aktuale bazohen në burime të huaja të ekspertizës. Platforma e majtë Critic Atac ka botuar një tekst të shkruar nga ekonomisti francez Jaques Sapir i cili shkruan për “tiraninë e institucioneve të BE” duke e përshkruar atë si “fondamentaliste jo-demokratike”. Websajti Cuvantul Ortodox i referohet një dokumentari të BBC (“How Goldman Sachs helped Mask the Greek Debt”) për të provuar idenë e komplotit global. “Krizat në Greqi, Itali, apo Spanjë janë të provokuara me qëllimin e vetëm për të krijuar Molokun Europian” – përfundon shkruesi anonim.

Në mediat sociale, narracioni bardhezi i dënimit të keqbërësit zmadhohet deri në kufijtë e groteskut. Njerëzit ndjehen të inkurajuar për të paraqitur paragjykimet e tyre. Dhe nuk merren më me problemin, por iu kthehen mërive të dikurshme, një pjesë shumë të vjetra në kohë. Në epokën e korrektësisë politike, fajësimi kolektiv dhe zhvlerësimi i kombeve po kthehen sërish në modë: “Grekët jan çifutët e rinj” – shkruan gazetari rumun në Bruksel Dan Alexe. Të tjerë shkojnë deri atje sa besojnë se “BE është Bashkimi Sovjetik i ri”.

Rumania e origjinës sime nuk është në zonën e euros, por është ndoshta vendi më euro-entuziast në Europë. Nga ana tjetër  ajo ka lidhje historike të forta me Greqinë Ortodokse. Çdo vit dhjetëra-mijëra rumunë kalojnë pushimet e tyre në brigjet greke të cilat janë të arritshme edhe me makinë. Me këtë sfond të veçantë, rumunët duhet të jenë të imunizuar prej retorikës së çmendur që demonizon njërën palë duke kërkuar hakmarrje ndaj tjetrës. Por ata nuk janë. Edhe pse nuk preken direkt, ata sërish I përfshin kjo retorikë. Dhe kur kjo ndodh në mediat dhe komunitetet online të Rumanisë, imagjinoni se ç’ndodh në atmosferën publike të Greqisë apo të Gjermanisë.

Pikërisht këtu qëndron një rrezik edhe më i rëndë se sa pasojat ekonomike të një Grexit-i eventual. Rreziku më i madh nuk ka lidhje me tregjet financiare dhe as me zonën e Euros, por me thelbin e themelimit të  Europës. S’ka të bëjë me paratë, por me filozofinë që e mbajti Europën jashtë luftërave për dekada me radhë. Sa kohë që prosperiteti i përbashkët – që është receta më e mirë për paqen – është i rrezikuar seriozisht, demonët e vjetër do të zgjohen sërish. Dhe pjestarët e medias kanë një përgjegjësi të veçantë në këto kohë të trazuara.

Print Friendly, PDF & Email

Tags:,

Send this to a friend