Shtimi i lajmeve të rreme dhe terreni i përshtatshëm për to në shoqërinë tonë

5 Tetor , 2019 • Kryesoret, Liria e medias, Mediat e Reja, Shkrimet më të fundit • by

Shtimi i faqeve që shpërndajnë lajme të rreme, dhe që në forma të ndryshme mëtojnë të manipulojnë me publikun, tregon se në shoqërinë tonë ekziston një terren i përshtatshëm për t’i shpërndarë dezinformatat, të cilat edhe kanë shkallë të lartë të mundësisë për ta mashtruar audiencën. Mungesa e aftësisë te shoqëria jonë për të pasur gjithmonë gjykim kritik ndaj përmbajtjeve mediale e bën atë të çarmatosur përballë dezinformatave

Lajmet e rreme kanë filluar të shtohen çdo ditë e më shumë derisa po afron 6 tetori i zgjedhjeve të parakohshme. Motivet e shtimit të këtyre lajmeve mund të jenë të ndryshme, por kryesisht dominojnë motivet financiare dhe ato politike.

Ata që shpërndajnë lajme të rreme mund të kenë objektiv përfitimin financiar, në radhë të parë, ndërkohë që, qëllimet e tyre mund të përputhen me ato të grupeve të tjera individësh që synojnë të shpërndajnë dezinformata për qëllime politike. Jemi dëshmitarë të lajmeve të shumta të rreme, të sponsorizuara në Facebook, në mënyrë që këto dezinformata të arrijnë numër sa më të madh njerëzish. Në të njëjtën kohë, komentet e qytetarëve në Facebook tregojnë se shumë prej qytetarëve po bien pre e dezinformatës.

Interneti është jashtëzakonisht shumë i përhapur në shtëpitë tona. 93 për qind e familjeve të Kosovës kanë qasje në internet në shtëpitë apo banesat e tyre, më shumë sesa mesatarja e Bashkimit Evropian.

Këto të dhëna statistikore flasin për mundësinë e ndikimit edhe më të madh të lajmeve të rreme, sepse hapi i parë, që nënkupton qasjen e gjerë në internet, është shumë i përhapur ndër ne. Kur kësaj ia shtojmë edhe faktin e mungesës së përgatitjes për t’i dalluar lajmet e rreme, atëherë kjo vetëm sa e shton edhe më ndikimin e lajmit të rremë.

Shpifja dhe propaganda, e në disa raste edhe gjuha e urrejtjes, janë elemente të cilat do të mund të sforcohen edhe më shumë gjatë ditëve në vijim. Lajme të rreme të tilla si ai për gjoja një marrëveshje bashkëpunimi në mes të PDK-së dhe LVV-së apo se një kandidat i Vetëvendosjes për deputet kinse ka deklaruar se Skënderbeu kreu masakra ndaj shqiptarëve.

Prandaj, është shumë e rëndësishme të tërheqim vëmendjen e publikut që të jetë sa më i vetëdijshëm për mundësinë e ekspozimit ndaj lajmeve të rreme. Lajmi i rremë ishte i përhapur edhe në fushatën e dy vjetëve më parë, por, kësaj radhe, mundësia është evidente që të ketë edhe më shumë lajme të rreme e propagandë.

Individ të ndryshëm po shfrytëzojnë faqe në Facebook për të shpërndarë lajme të rreme, sepse tashmë e kanë kuptuar se është mënyra më e përshtatshme, më e shpejtë dhe më ekonomike për të pasur një burim që u siguron të ardhura. Krahas lajmeve të trilluara, në këtë fushatë po shohim edhe formë tjetër të lajmit të rremë, kur lajmit i ndryshohet konteksti kohor dhe paraqitet si lajm aktual. Një lajm i dy apo tre vjetëve të mëhershëm postohet nga këto faqe dhe sponsorizohet duke mashtruar lexuesin, sepse jepet sikur të jetë i tashëm.

Në raste të këtilla, përveçqë duhet verifikuar autorin e lajmit, burimin e informacionit, qytetarët duhet gjithnjë të kenë kujdes edhe nga mashtrimet që mund të bëhen duke ndryshuar kontekstin kohor. Prandaj, qytetarët duhet të jenë shumë të vëmendshëm në çfarëdo që lexojnë në internet dhe posaçërisht në rrjete sociale.

Mënyrat e avancuara të shpërndarjes së lajmeve të rreme tregojnë se një ditë mund të shohim edhe deepfake apo shallowfake. Deepfake është kur publikohet video me përmbajtje të rreme, pra kur paraqitet një person duke thënë diçka që ai në të vërtetë nuk e ka thënë asnjëherë. Video e tillë ishte ajo e publikuar nga një parti belge në Twitter dhe në Facebook, ku paraqitet presidenti Trump duke thënë se Belgjika duhet të tërhiqet nga marrëveshja e Parisit për klimën.

Kishte nga ata që e kishin besuar duke komentuar se Trumpi duhet të merret me shtetin e tij. Shallowfake është një tjetër formë e lajmit të rremë ku përdoret videoja. Për dallim nga deepfake, në shallowfake nuk ka përmbajtje të rreme, sepse në fakt është informacion i vërtetë, por i manipuluar hollësisht për të dëmtuar dikë. Te ‘shallowfake’ bëhet ndryshimi i shpejtësisë së pamjeve, siç ishte rasti i kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi, kur videoja ku ajo fliste u ngadalësua duke u portretizuar si e dehur dhe që nuk shqiptonte fjalët siç duhet.

Një tjetër rast ishte ai i gazetarit të CNN-it, Acosta, kur videoja ku ai shtronte pyetje në një konferencë shtypi të presidentit amerikan ishte shpejtuar duke u krijuar përshtypja se ai ishte agresiv ndaj një punonjësi të Shtëpisë së Bardhë. Për t’i bërë këto manipulime nuk kërkohen aftësi të specializuara, derisa për shembull, videoja e Pelosit ishte shkarkuar nga afro 2 milionë njerëz dhe ishte shpërndarë rreth 40 mijë herë vetëm 24 orë pasi ishte publikuar në Facebook.

Nëse ndodh kjo te ne, do të jetë edhe më e vështirë për publikun kosovar që t’i dallojë këto forma të fake news 2.0: deepfake dhe shallowfake. Natyrisht, edukimi medial i publikut do të zvogëlonte ndikimin e këtyre formave të mashtrimit. Megjithatë, shtimi i faqeve që shpërndajnë lajme të rreme, dhe që në forma të ndryshme mëtojnë të manipulojnë me publikun, tregon se në shoqërinë tonë ekziston një terren i përshtatshëm për t’i shpërndarë dezinformatat, të cilat edhe kanë shkallë të lartë të mundësisë për ta mashtruar audiencën.

Mungesa e aftësisë te shoqëria jonë për të pasur gjithmonë gjykim kritik ndaj përmbajtjeve mediale e bën atë të çarmatosur përballë dezinformatave. Përfundimisht, kjo formë e shpërndarjes së dezinformatave tregon se bëhet fjalë për orvatje të qëllimshme dhe sistematike për mashtrim. Tashmë jemi të vetëdijshëm se krijimi dhe shpërndarja e lajmeve të rreme mund të shkaktojnë dëme, në kontekstin aktual te ne, konkretisht në procesin zgjedhor.

Tags:, ,

Send this to a friend