Gazetaria shqipe, kjo humbëse e madhe në 2016-ën

31 Dhjetor , 2016 • Kryesoret, Liria e medias, Shkrimet më të fundit • by

Gëzim Mekuli

Gazetaria shqipe, është e përqendruar në pasojat e vendimmarrjeve politike, por ky përqendrim në pasoja është duke u bërë në drejtim e në mënyrë të gabuar; në vend se të thuhet diçka rreth asaj se çfarë pasojash do të kenë për Ty dhe për Mua vendimmarrjet e gabuara politike në Parlamentin e Prishtinës dhe të Tiranës, gazetarët shqiptarë, shkruajnë e përqendrohen në atë se çfarë pasojash “fatale” do të kenë këto vendimmarrje për ministrat e për individët partiak: pra, “harrohet” populli i varfër, “harrohet”, shkelet e përbuzet nëna e gruaja shqiptare, “harrohet” e manipulohet me fshatin dhe fshatarët … pak flitet e shkruhet për 40% të popullsisë…për fëmijët tanë.

Gazetaria e mirë politike duhet të jetë e orientuar në pasojat, por në pasojat që do përballohet lexuesi, pra populli, e jo gazetaria e cila është “e merakosur” për pasojat “fatale” të individëve partiakë.

Anët e këqija të fokusimit në person

Përqëndrimi i tepruar në person në gazetarinë politike përpara procesit dhe thelbit të ndodhisë zvoglon vlerat informative të artikullit në shumë mënyra:

  1. Mbiçmimi i personit para temës/ndodhisë mund të largojë përqendrimin nga ajo se rreth çka bën fjalë tema e artikullit. Nëse bëhet përshkrimi i një konflikti politk, ekskluzivisht nga pikënisja në person, lexuesi lehtazi humbë kuptimin për konfliktin dhe problemtikën e saj. Konflikti jonatyrshëm përzogëlohet e zhvlerësohet, ndërsa pesha e personit përzmadhohet e mbivlerësohet.
  2. Fokusimi në person mund të bëj politkën më pak të rëndësishme për popullin. Nëse lexuesit e gazetave fitojnë përshtypjen se politika bëhet vetëm përmes intrigave të personave dhe koridoreve e zyrave të parlamentit, kjo mund të ligështon e largon interesimin e popullit për kyçje në politkë. Populli është i interesuar të kuptoj se si është situata e sigurisë në Kosovë, si është puna me “kufijtë e Shqipërisë dhe të Kosovës”, si është ekonomia e familjes, dhe si funksionon sigurimi shëndetësor. Mirëpo, nëse fokusimi në person është mbidominues në këto artikuj, atherë humbet e shuhet ndjenja për të debatuar, për tu kyçur e për të ndjekur politkën dhe proceset poltike.
  3. Gjuetia pas të rrallës, intrigat e mbushura me konflikte mund të çojnë aty ku shumë çështje relevante politike nuk debatohen e nuk publikohen.
  4. Fokusimi në person mund të avansoj një perspektivë “njëjëse”. Pra, çdo gjë duket si një seri e veçantë e izoluar dhe pa ndnonjë lidhshmëri logjike.
  5. Disa person fitojnë një vëmendshmëri të tepërt e të panevojshme mediatike. Fokusimi në “personat elitë” mund të jap një kuptimësi të shtrembër të shoqërisë. Kjo u jep lexuesve bindjen dhe mendimin se janë vetëm “një”, “dy” apo “tre persona” të veçantë që udhëheqin dhe drejtojnë me proceset politike në Prishtinë e në Tiranë, e, jo fuqia kolektive intelektuale dhe politike e popullit shqiptar.
  6. Fokusimi në person mund të duket edhe si budallallëk; kjo edhe apelon tek mentaliteti ynë; tek ndjenjat e jo tek logjika e arsyeja.

Anët e mira të fokusimit në person

  1. Fokusimi në person është pra një mjet i cili përdoret për të zgjuar interesimin tek lexuesi dhe “të vjedhë vëmendshmërinë”. Sipas hulumtuesit amerikan Rudolf Flesch tekstet që bëjnë fjalë për njerëzit do të zgjojnë më shumë intersim se sa tekstet që nuk bëjnë fjalë për këta. Sepse ne çdo herë kërkojmë të identifikohemi me dikënd. Kjo strategji “human interest” (Flesich) është e mirënjohur në gazetari. Gazetarët e mirëshfrytëzojnë këtë eksperiencë me kënaqësi; sepse njerëzit janë të interesuar për njerëzit e tjerë. Shumë agjensi lajmesh e arsyetojnë këtë metodë, sepse këta në këtë mënyrë bëjnë që publiku të interesohet për të lexuar artikullin e, të cilin nuk do e lexonin nëse nuk do e kishin këtë fotografi dhe këtë fokusim në person.
  2. Profilizimi i politikanëve si person i bënë këta që të paraqiten si njerëz, dhe kjo na ndihmon që të njifemi me këta. Identifikimi, individizimi dhe intimiteti janë elemente të këtij grupimi. Nëse në identifikohemi me politikanët, atherë ai bëhet si Unë dhe Ti, e jo si një “terminator”, i cili nuk e njef skamjen dhe sëmundjen e shoqërisë shqiptare.

Por, a është i mirë fokusimi në person në një artikull politk?

Sipas mendimit tim fokusimi në person mund të jetë edhe një mjet i përshtatshëm për të shndëruar një temë të komplikuar në një temë më të sqaruar e më të lehtekuptuar për lexuesin. Pra, kjo mund të bëjë një temë më konkrete dhe më tërheqëse. Mirëpo nuk duhet harruar se qëllimi i gazetarisë së mirë është që të bëjë lexuesin me të informuar pas leximit të artikullit. Nëse artikulli nuk e bënë një gjë të tillë atherë treguesit thonë së kemi të bëjmë me një gazetari “të keqe”.

Karakteristikë e veçantë e gazetarisë shqipe është se kjo “peshkon lexuesin” duke paraqitur temat mu përmes fokusimit në Fotografi të pastër, e të madhe, të portretit të politikanit. Kjo është e dukshme në ballinat e gazetave shqipe. Për shembull, ka raste, ku mbi 80 % të faqes është e mbuluar me fotografi, dhe mbi këtë fotografi, me shkronja të mëdha e me tituj bombastik, kemi 20% tekst si kryetituj.  Kulti i personit po rikthehet. Kjo, falë gazetarisë së sëmurë shqipe, e jo nga Serbia, Greqia e as Turqia. Kjo gazetari, ty dhe mua, nuk na informon por na keqpërdoron;  shëndeti psiqik i shqiptarëvet është i kërcënuar nga media e keqe. Pyetja është: Si të shërohemi e si “t’i hekim qafe” këta gazetarë?

 

Tags:, ,

Send this to a friend