Nuk është lehtë të bësh një titull të mirë. Gazeta me tradita kanë redaktor për tituj dhe ka shkrime me dy tituj. Një në faqen e parë dhe një në faqen ku vijon shkrimi.
Një titull i mirë i ngjan britmës së një njeriu që futet në një klub, thotë 4-5 fjalë , mbyll derën dhe zhduket. Njerëzit që janë brenda marrin vesh se çfarë ka ndodhur jashtë. Ky është thelbi i një titulli, që përveçse besnik i tekstit të rrëfimit, duhet të jetë i bukur dhe tërheqës.
Me shtimin si këpurdhat pas shiut të portaleve, pjesëroja “Ja” që përdoret “për të treguar dikë a diçka, që gjendet zakonisht afër, që kalon pranë, që shfaqet papritur etj.; përdoret për të dëftuar diçka ose për të tërhequr vëmendjen për diçka që ndodh në afërsi, përpara syve a në kohën që flasim. Ja shtëpia (shkolla, rruga, fshati) Ja shokët! Ja ku qenka! Ja ku po vjen! Ja, shih këtu! Ja, zbardhi dita”… (fjalori gjuhës shqipe) – po zë vendin e kryefjalës.
Në përpjekje të dëshpëruar për të peshkuar përdorues online, duket se redaktorët kanë dhënë dorëheqje nga shkrimi i titujve të bukur dhe mjaftohen duke vënë “ja” në krye të çdo gjëje….
Dhe ja-të më të përdorura shfaqen si më poshtë.
Ja e vërteta….
Ja se çfarë ndodh kur….
Ja si shpërtheu rrjeti (nëkupton facebook)
Ja video shokuese
Ja se çfarë hëngrën/biseduan në drekë…
Ja lista e …
Ja incidenti tragjik…
Ja sa kushton….
Ja se ku shkon…
Ja provokimi…
Ja shkaqet…
Ja gabimet që i kushtuan jetën
Ja si parashikohet ndeshja sot
Ja sa i poshtër…
Rezultati: merr disa klikime më shumë. Dhe ja mbërrin në ditën që e ke më kollaj të gjesh fjalëkryqet/ kuizet e Kadri Vokopolës se sa lidhjen mes titullit dhe artikullit.
Duket se kur shkruhen këto tituj mendja e redaktorit është vetëm tek pyetja: a do ta klikojnë? dhe jo te: “a do ta pëlqejnë?”
Si përfundim ja se ç’vete- do të thuash ti. Apo Ja ç’na qenka. Apo… Ja pse e bëkan këtë punë? Për ca klikime më shumë.
Në fakt ha debat a mund të flitet për punë këtu. Ja kështu bëhet puna – do të thuash ti.
Po ja…si i bëhet?
Si mund të jetë një titull i mirë? Ka disa sekrete për të një titull të mirë. Dikush thotë se duhet përdorur në titull fjalë me më shumë se një kuptim, se duhen përdorur proverba, se titulli duhet të jetë një klithmë që të ngjeth, apo një batutë që të bën të buzëqeshësh; një përmbledhje besnike e shkrimit…
Por në fakt sekreti i sekreteve qëndron tek….mos përdorimi në titulli i pjesores “ja”.
Ja, këtë desha të them!
Shkruar për SYRI.net
Tags:gazetaria, profesionalizmi, titujt