Përhapja mjaft e shpejtë e internetit në vendin tonë ka bërë që shumë media sociale të zënë një vend të rëndësishëm në jetën e shoqërisë shqiptare. Sipas, të dhënave të publikuara në mediat shqiptare në vitin 2012, janë regjistruar si përdorues të Facebook mbi 1 milion shqiptarë, sigurisht më pak, por edhe Twitter dhe mediat e tjera sociale kanë një numër të madh përdoruesish shqipfolës. Sigurisht një shtytje shumë të madhe në përdorimin e këtyre mediave kanë dhënë edhe përdorimi masiv i telefonisë së lëvizshme dhe përdorimi nëpërmjet saj i internetit.
Kjo përhapje shumë e madhe e këtyre mediave përveç veçorive pozitive që sjell në shoqëri, ka edhe rreziqet e saj dhe ndër to është dhe përdorimi i tyre për fushata shpifje dhe denigrimi të personave, grupeve të ndryshëm, si dhe përdorimi i tyre për nxitje dhune apo raciale. Duke u nisur nga argumentet e fundit, është e domosdoshme marrja e masave ligjore për t’i paraprirë fenomeneve të tilla. Në fakt legjislacioni shqiptarë nuk parashikon asgjë për këto fenomene, por duhet theksuar edhe fakti se deri tani në dyert e gjykatave shqiptare nuk ka pasur asnjë rast të tillë. Kjo sigurisht nuk e justifikon faktin se pse legjislatori shqiptar nuk ka prodhuar deri më tani asnjë masë parandaluese apo ndëshkuese për këdo që nëpërmjet përdorimit të mediave sociale kërkon të abuzojë ndaj individëve apo grupeve të ndryshme shoqërore me shpifje dhe denigrime.
Pyetjet që shtrohen janë shumë të thjeshta, çfarë dhe si duhet të mbrohemi kur në mediat sociale kemi raste të shpifjes apo denigrimit për persona apo grupe të ndryshme shoqërore? A duhet ndjekur e njëjta logjikë gjykimi si në rastet kur kemi të bëjmë me shpifjen apo denigrimin në gazeta, TV apo radio? Duke qenë se siç e përmendëm edhe më lart legjislacioni shqiptar nuk ka parashikuar asgjë në raste të tilla, atëherë shikimi si zakonisht i kalon kufijtë tanë dhe fokusohet tek eksperienca më e mirë botërore.
Përvoja botërore dhe më ngushtë ajo europiane ka filluar të ketë shembujt e parë lidhur me këtë temë, por rasti më i për disktutim nga Irlandë, ku një i student i ri, Eoin McKeogh, inicioi një çështje gjyqësore lidhur me publikimin e një vidioje në Facebook dhe YouTube. Studenti ishte identifikuar nga taksisti John Doe me emër përdoruesi “Daithii4U” si një person që kishte marrë shërbimin taksi dhe ishte larguar pa paguar. Për studentin kjo ishte një shpifje e pastër dhe si rrjellojë ai kërkoi nga Gjykata e Lartë që të urdhërojë dy mediat sociale Facebook dhe YouTube të hiqnin fotografinë dhe emrin e tij për t’i ruajtur nderin.
Në kushtet kur gjykata vërtetoi se kjo ishte një shpifje, sigurisht jo e qëllimtë, ajo urdhëroi dy mediat sociale Facebook dhe YouTube që të largojnë fotografinë dhe të dhëna të tjera që kanë të bëjnë me studentin.
Një rast tjetër më tipik na vjen nga Britania e Madhe, kjo sigurisht që është edhe më domethënëse, pasi kemi të bëjmë me një rast kur shpifja ishte e qëllimshme dhe jo si në rastin irlandez, kur kishim të bënim me shpifje të paqëllimtë dhe një ngatërresë personi.
Ky rast është një shembull shumë i mirë se shpifja është një mjet joligjor si në mediat sociale ashtu edhe mediat e tjera tradicionale, rrugë apo edhe kafene. Pra çdokush duhet ta kuptojë se publikimi në rrjetet sociale nuk është i njëjtë me dhomat chat ku bisedohet me miq dhe shokë. Pra me pak fjalë, nëse ndokush poston në mediat sociale një lajm të rremë apo shpifje, nuk do të thotë se ndaj tij nuk mund të merren masa ligjore, përkundrazi ndaj tij mund të ngrihen padi ligjore. Por ky rast na jep edhe një tjetër element shumë të rëndësishëm, atë të përhapjes së shpifjes apo denigrimit me qëllim në mediat sociale lejon të dëmtuarit që të ndërmarrin hapa ligjorë.
Rasti në fjalë ka të bëjë me Twitter, kur një lojtar kriketi Lalit Modi akuzoi nëpërmjet një postimi për shitje ndeshjesh kolegun e tij Chris Cairns. Gjykata vërtetoi se kemi të bëjmë me një shpifje të pastër dhe të qëllimshme dhe e dënoi Modin me 90 mijë paund britanikë si dëm për t’ju paguar të ankuesit.
Në arsyetimin e saj gjykata tha “si rrjedhojë e teknologjive moderne dhe sistemeve të shpejta të komunikimit, lajmet kanë veçorinë të përhapen më gjerësisht dhe më shpejt se më parë. Tashmë shkalla e problemit është pakrahasueshmërisht e madhe për shkak të mediave sociale. Prandaj, tha gjykata, duhen mbajtur parasysh këto faktorë edhe në dhënien e masave ndëshkuese. Thjeshtësia e komunikimit nëpërmjet Twitter, Facebook apo mediave të tjera sociale nuk do të thotë se nuk ka përgjegjësi ligjore për brendinë e asaj çfarë shkruhet”.
Rasti më i fundit na vjen nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, e cila ka shqyrtuar rastin Delfi AS vs Estonisë. Delfi një faqe lajmesh online ka postuar komente që janë cilësuar si shpifje nga përdoruesit e saj. Në arsyetimin e saj Gjykata ka thënë se Delfi si publikues duhet të ndëshkohet me afërsisht 420 euro gjobë, pasi si publikues duhet të ushtronte një shkallë kujdesi në monitorimin e komenteve në artikujt që janë të debatueshëm për publikun”. Në këtë arsyetim Gjykata e ka marrë vendimin duke u bazuar mbi Nenin 10 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Për Gjykatën, është krejt e arsyeshme që Delfi të jetë përgjegjës, pasi autorët e komenteve ishin anonimë dhe Delfi ka pasur përfitim ekonomik nga këto komente.
Në jetën e përditshme na rastis që të marrim shpesh mesazhe ku individë të ndryshëm kërkojnë që e-mail apo postimet e tyre të mos merren parasysh pasi identiteti i tyre është vjedhur nga një tjetër person që po abuzon me të. Si edhe në rastet e mësipërme edhe në këtë rast kemi të bëjmë me shpifje dhe me problematikën e të dhënave personale.
Sipas eksperiencës europiane në këto raste gjykata ka të drejtë të marrë informacion nga Internet System Provider (ISP) që të jepen tërë informacionet mbi individët që kanë vjedhur të dhënat personale të një personi tjetër.
Edhe pse Shqipëria nuk është pjesë e Bashkimit Europian, ne përsëri jemi të vetëdijshëm se kjo është rruga që do të ndjekim, në këtë kuadër mund të kemi parasysh Direktivën Europiane për Tregtinë Elektronike që është adoptuar nga Parlamenti Europian më 5 maj 2000 ku thuhet se “ISP mund t’i shpëtojnë ndëshkimit vetëm nëse ato nuk e kanë iniciuar, selektuar apo modifikuar informacionin që përmban postimi, si dhe nuk kanë përzgjedhur marrësin e këtij postimi. Gjithashtu ato duhet të bashkëpunojnë me autoritetet në të gjitha rastet”.
Si përfundim duhet thënë se kur legjislacioni aktual është në një boshllëk dhe kur teknologjia dhe mjetet e komunikimit kanë marrë një përhapje shumë të shpejtë, duhet me patjetër të nxisim gjykatat që të krijojnë raste precedent, sigurisht duke u bazuar në praktikën më të mirë europiane. Gjithashtu, është e nevojshme që gjykatat të marrin parasysh, si në rastin e studentit irlandez termin “publikim i pafajshëm”.
P.S. Autori është jurist me profesion dhe ka punuar në fushën e lirisë së shprehjes duke krijuar edhe të parin grupim të avokatëve të medias në Shqipëri.