Ndërkohë që kanalet televizive po pësojnë rënie në klasifikim, ndërkohë që gazetat thuhet se i përkasin të shkuarës dhe websajtet po përpiqen fort për të krijuar të ardhura nga lajmi online, Vice News duket se është një përjashtim nga rregulli.
Edhe pse mediat po përballen me një të ardhme të pasigurtë, Vice News, një kanal global i lajmit online, po tërheq gjithnjë e më shumë audiencën e grupmoshave të reja. Që nga koha e krijimit në Mars 2014 ky kanal online ka arritur të ketë 1.3 milionë abonentë në YouTube dhe 244 milionë shikime të videove, sipas Kevin Sutcliffe, drejtor i Programacionit të Lajmeve për Europën.
Sutcliffe thotë se të dhënat e shikueshmërisë provojnë që Vice News “ka tërhequr vëmendjen e një brezi që i kishte kthyer shpinën lajmeve të mediave kryesore. Ky kanal, i cili është pjesë e Vice Media është bërë kanali dixhital me rritjen më të shpejtë në botë dhe ka zyra në New York, Londër dhe Spanjë dhe së fundmi edhe në Paris –deklaroi javën që shkoi Sutcliffe përpara audiencës së Reuters Institute for the Study of Journalism të Universitetit të Oxfordit.
Në bisedën e tij me titull “Beteja për origjinalitet – e ardhmja e lajmeve, zhvillimet më të fundit dhe dokumentari” Sutcliffe tha se audiencat në moshë të re po kërkojnë për origjinalitet më shumë se sa për besueshmëri. “Besueshmërtia ka qenë një argument tradicional i përdorur nga BBC dhe kanalet e mëdha – që nënkupton se audienca do t’iu drejtohej atyre në raste krizash” – thotë ai – “Por kjo nuk qëndron më. Njerëzit sot shkojnë në burime të ndryshme. Ju mund të kapeni pas nocionit të besimit, por besimi sot është i pamjaftueshëm. Sot kërkohet të jesh aty ku ngjarja ndodh. Dhe kërkohet të jesh original.”
Suksesi i Vice News reflekton një shndërrim themelor lidhur me faktin se nga i marrin lajmet njerëzit sot – thotë Sutcliffe, dikur nëndrejtor i News and Current Affairs në Channel 4 të Mbretërisë së Bashkuar. “Lajmet sot shpesh merren nga Twitter dhe jo nga redaksitë. Një pjesë e mirë e gazetarëve tanë janë ekspertë të Twitterit dhe të gjetjes së lajmeve në Twitter. Mediat sociale janë një prej mbështetësve kryesorë të ekspansionit të Vice News”, thotë ai. – “Duke iu drejtuar webit, ne kemi fituar një shtysë të re. Ne nuk përpiqemi t’i sjellim njerëzit nga porta e ndritshme kryesore, ne po bazohemi tek njerëzit.”
Vice News është promovuar si një alternativë ndaj raportimit të planifikuar konvencional të televizioneve kryesore. “Nëse do të shihni me kujdes, shumica e lajmeve dhe e zhvillimeve më të fundit tek Vice News janë paketa fragmentesh që duhet të përfshihen në një material. Ne mund ta zgjasim një përmbajtje kaq sa ajo e meriton. Nëse duhen shtatë minuta, unë i vë në dispozicion shtatë minuta. Kjo përbën një ndryshim të madh” –thotë Sutcliffe. “Unë nuk kam pse ta përmbledh në dy minuta apo ta zgjas për 1 orë.”
Ky kanal dixhital i lajmit u krijua për t’iu drejtuar grupmoshave nën 35 vjeç, pasi u zbulua nga Vice Media se ekziston një treg lajmi edhe për më të rinjtë. “Nuk është e vërtetë se ata nuk janë të interesuar për lajmet”, thotë Sutcliffe, “përkundrazi jemi ne që kemi dështuar në tërheqjen e interesit të tyre”.
Ajo që deri diku i tërheq konsumatorët e rinj ka të bëjë me faktin se ky kanal nuk është shumë strikt, pra mund të shfaqë edhe materiale të forta, shpjegon ai. “Ne nuk jemi të paarsyeshëm, por ne mund të shfaqim pamjet e personave të vdekur, të cilat për shkak të rregullave nuk mund të shfaqen në kanalet televizive kryesore. Ne duam të shfaqim edhe gjërat e vështira për t’u parë, ne synojmë që të krijojmë një lidhje emocionale me njerëzit”, thotë ai.
Sipas Sutcliffe, kanali përpiqet të jetë shumëplanësh, me këmbët në tokë dhe ta paraqesë botën “siç është, në një mënyrë të papërpunuar”. Reporterët përpiqen që të përdorin gjuhën që kuptohet më mirë nga të rinjtë. “Gjëja më e bukur është se reporterët janë në të njëjtën moshë me konsumatorët,” thotë ai. “Ne kërkojmë nga gazetarët tanë që t’iu përgjigjen situatave për të cilat ata raportojnë. Ata nuk duhet të qëndrojnë të fiksuar në një vend dhe duhet ta tregojnë atë që kanë parë apo dëgjuar njëlloj sikur do t’ia tregonin një miku të tyre.”
“Nëse na duhet të shkojmë për një raportim, ne duhet të dalim në rrugë. Nuk duhet të qëndrojmë në një dhomë hoteli dhe të vështrojmë nga ballkoni, por duhet të gjejmë se ç’është duke ndodhur” – thotë Sutcliffe.
Ai e mohon se kjo praktikë ka vënë në rrezik reporterët apo se Vice News është e prirur të riskojë si reporterët e stafit të vet edhe ata freelance. “Unë kam qenë akuzuar për ekspozim ndaj rrezikut”, thotë ai. “Por ne bëjmë të njëjtin vlerësim të riskut dhe ndërmarrim të njëjtat procese që ndiqen edhe nga BBC, Channel 4, CNN, etj., përpara se ta dërgojmë dikë diku”, thotë ai, duke shtuar se Vice News nuk pranon kontribute nga freelancers, veçse në rastet kur ka marrëveshje paraprake me ta.
Gjithsesi ai e pranon që kanali shpesh merr materiale që vijnë nga platformat e mediave sociale si Twitter dhe You Tube, por, thotë ai, bëhen përpjekje të konsiderueshme për të verifikuar materialet që vijnë nga jashtë kanalit. “Ne shpenzojmë një kohë të madhe për t’u siguruar se një material është real dhe nuk është përpunuar me Photoshop, etj., dhe gjithashtu ne kemi një proces verifikimi të gjërave”, thotë ai.
I pyetur nëse kanali është fokusuar më shumë tek menjëhershëmria në kurriz të kontekstit, Sutcliffe përgjigjet se reporterët janë inkurajuar që të shpjegojnë sfondin e ngjarjeve që ata raportojnë, por shikuesit duhet të shohin për kontekst dhe histori edhe tek transmetimi i përgjithshëm i kanalit. Ai e mohoi akuzën se Vice News sakrifikon analizat politike apo komentet për hir të klikimeve dhe të “like”–eve.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse Vice News është më shumë kanal argëtimi se sa kanal lajmi, Sutcliffe thotë se kanali synon që të jetë i ndryshëm. “Ne bëjmë edhe investigime dhe duam të bëjmë më shumë”, thota ai. “Nuk është argëtim. Ne duam të tërheqim njerëzit, por duam gjithashtu që të kemi një impakt tek ata.”
Sutcliffe iu referua një documentari, të kohëve të fundit të realizuar në Raqqa të Shtetit Islamik. Reporteri Medyan Dairieh shpenzoi tre javë në brendësi të Shtetit Islamik, duke arritur një akses tek grupi në Siri dhe në Irak dhe duke u bërë i vetmi gazetar që i ka dokumentuar gjërat së brendshmi. Deri më sot ky dokumentar ka arritur të ketë 15-20 milion shikime.
Përktheu nga anglishtja: Rrapo Zguri
Photo Credit: Vice News