Shqipëria, ndër vendet me tregun më të ulët të reklamave në rajon

12 Shkurt , 2019 • Ekonomia e Medias, Shkrimet më të fundit • by

Tregu i reklamave mbetet i nënzhvilluar në vendet e rajonit, për shkak të vetë nivelit të ekonomisë dhe sofistikimit të bizneseve.
I matur për frymë, sipas vlerësimeve të Institutit të Mediave dhe IREX (organizatë globale zhvillimi dhe edukimi që bën vlerësimin rajonal të të ardhurave vjetore nga publiciteti), tregu i reklamave në Shqipëri gjeneron 13 euro në vit për person, duke u renditur ndër nivelet më të ulëta në rajon, së bashku me Bosnjën. Kryesimin e mban Serbia, me rreth 20 euro/person, e ndjekur nga Maqedonia dhe Mali i Zi, me rreth 17 euro.

Në krahasim me vendet e zhvilluara, rajoni ka të ardhura tepër modeste. Sipas Statista, portalit global të statistikave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tregu më i madh në botë, renditen të parat në botë me të ardhura prej 191 miliardë dollarësh, ose 602 dollarë për person, të ndjekura nga Australia (565 USD/frymë), Mbretëria e Bashkuar (407 USD), Norvegjia, (368) etj. Tregu global në 2016-n u vlerësua në 493 miliardë dollarë.

Sipas raporteve të qëndrueshmërisë së medias të publikuara nga IREX, vendet e rajonit shfaqin në përgjithësi probleme të ngjashme; Tregu i reklamave është i ulët; kompanitë mediatike në pjesën më të madhe nuk janë të qëndrueshme nga ana e përfitueshmërisë, dhe nuk janë eficiente nga pikëpamja e biznesit, çka e ndikon dukshëm pavarësinë e tyre editoriale; ndërhyrja e politikës është e lartë; të dhënat mbi audiencën, qarkullimin e gazetave janë shpesh jo të besueshme; shtypi i shkuar është në rënie të fortë etj.

Maqedonia

Sipas IREX nuk ka një matje të saktë, por ka vlerësim të shpenzimeve totale për reklamë nga aktorë të brendshëm të industrisë.
Shpenzimet totale vlerësohen në 35.6 milionë euro në vit; Televizioni: 66% (23.4 milionë euro); Radio: 8% (2.8 milionë euro); Print: 4% (1.4 milionë euro); Dixhital: 10% (3.5 milionë euro); outdoor: 13% (4.5 milionë euro).

Serbia

Në Serbi, sipas vlerësimeve të IREX, të ardhurat vjetore nga reklamat ishin 174 milionë euro në 2016 (TV, 95 milionë; print, 30 milionë; internet, 23 milionë; outdoor 18 milionë; radio, 7 milionë; të tjera 0.6). Sipas raportit të IREX, media serbe nuk funksionon si industri, sepse nuk ka një treg mediatik të organizuar apo efikas. Kushtet e tregut nuk janë transparente, industria e reklamave është e përqendruar dhe shumë e kufizuar politikisht, dhe sistemi i parave publike për median është gjithashtu nën kontrollin e qeverisë. Panelistët kanë komentuar në raport se politikat editoriale të të gjitha mediave bazohen në një masë të madhe në ruajtjen e vetëqëndrueshmërisë në tregun jofunksional mediatik.

Të ardhurat kryesore të mediave nga burime të ndryshme, por të gjitha ndikojnë në politikën editoriale, duke përfshirë edhe marrëdhëniet me agjencitë e reklamave. Subvencionet shtetërore sidomos minojnë pavarësinë editoriale dhe prishin tregun. Të dhënat mbi shikueshmërinë, qarkullimin e shtypit të shkruar janë të kufizuara, jo transparente dhe shpesh të pabesueshme. Mediat private dhe publike nuk janë të gjendje të funksionojnë si sipërmarrje eficiente dhe nuk janë fitimprurëse. Ato nuk kanë plane biznesi ose standarde ndërkombëtare raportimi, për shkak se tregu është i parregulluar.

Mali i Zi

Të ardhurat nga reklamat vlerësohen në 10-11 milionë euro në vit, sipas vlerësimeve nga Direct Media. Sipas raportit të qëndrueshmërisë së medias të IREX, megjithëse ka shumë kompani mediatike, industria nuk mund të cilësohet se është me fitim dhe me leverdishmëri ekonomike.
Shumë kompani mediatike nuk janë në gjendje të paguajnë detyrimet e tyre te Qendra e Transmetimeve Radio Televizive (detyrim i mediave elektronike), ose dhe të paguajnë taksat në mënyrë të rregullt. Qarkullimi i gazetave ka rënë me rreth 60% në dekadën e fundit, duke çuar në tkurrjen e stafit të gazetave.
Dragan Markešić, menaxher i përgjithshëm i kompanisë së blerjes së hapësirave publicitare Direct Media Ltd., në Podgoricë, thotë lidhur me tregun e reklamave.

“Reklamimi ende nuk është i zhvilluar mjaftueshëm, sepse jo të gjitha kushtet janë plotësuar, veçanërisht në aspektin e kërkimeve të gjera të tregut. Për më tepër, duke pasur parasysh madhësinë e tregut, ka shumë agjenci reklamash. Kompanitë e telekomunikacionit janë blerësit më të mëdhenj në tregun e reklamave, ndërkohë që kompanitë mediatike vendosin çmimet e reklamave. Përveç këtyre reklamuesve të mëdhenj, shumë para rrjedhin nga klientët e vegjël përmes reklamave të vogla; njoftimeve administrative nga institucionet qeveritare, lokale dhe publike; dhe reklamat njoftuese si shënimet e urimit, njoftimet e vdekjeve, etj. Mediat lokale në përgjithësi marrin shumë më pak para nga reklamuesit dhe zyrat e degëve të agjencive të mëdha rajonale të reklamimit dominojnë të gjithë tregun. Shumica e klientëve reklamojnë përmes agjencive të reklamave dhe jo përmes kontratave të drejtpërdrejta me kompanitë e medias “.

Bosnjë-Hercegovina

Agjencia Fabrika vlerëson se për vitin 2017, tregu i reklamave në Bosnjë-Hercegovinë është rreth 33 milionë euro. Televizioni merr 60%, printi 9%, outdoor 14%, radio 7%, online 11%. Sipas raportit të Fabrika, tregu i reklamave ka shënuar rënie të ndjeshme viti pas viti, teksa në 2008-n, ai vlerësohej në 54 milionë euro.

Sipas raportit, në linjë me rënien në vlerën e tregut të reklamave në Bosnjë, ka pasur rënie të dukshme në çmimet e reklamave. Stacionet televizive lokale po përpiqen të konkurrojnë në çmim dhe të konkurrojnë me operatorët kabllorë. Nga ana tjetër, duke qenë se operatorët kabllorë kanë tarifa abonimi për shërbimet e tyre, stacionet e TV kabllorë mund të përballojnë të shesin hapësirën e tyre të marrjes me qira me çmime jashtëzakonisht të ulëta. Kjo në një të ardhme të afërt rrezikon edhe pozicionin e shumë transmetuesve televizivë vendas, të cilët me çmime më të ulëta nuk mund të konkurrojnë me mediat kabllore dhe shërbime online, si rrjetet sociale dhe të tjerët që tërhiqen gjithnjë e më shumë nga reklamuesit. Reklamuesit vendas zënë 30% të tregut dhe kompanitë e huaja 70%

 

Burimi: https://www.monitor.al/shqiperia-nder-vendet-me-tregun-me-te-ulet-te-reklamave-ne-rajon/

Tags:, ,

Send this to a friend