Shpifja në sfondin e destabilizimit

7 Shkurt , 2015 • Etika dhe Cilësia • by

Ashtu si fyerja, edhe shpifja është një nga veprat penale, që ka të bëjë me aspekte nga më delikatet e jetës së përditshme: me nderin, dinjitetin dhe reputacionin e personave të ndryshëm. Prandaj, të dyja këto vepra nuk mund të mos bëhen praktikisht shumë të diskutueshme, madje jo pak të aplikueshme në përvojën jurisprudenciale dhe në doktrinën botërore.

Intensiteti i përdorimit të tyre në vendin tonë, veçanërisht në marrëdhëniet midis politikanëve të krahëve të veçantë, kundërshtarë ndaj njëri – tjetrit, ka qenë edhe arsyeja e trajtimit të kësaj teme, e pasojave të rrezikshme apo të dëmshme që rrjedhin nga ushtrimi i këtyre veprave në mënyrë të përsëritur, madje permanenete.

Një vrull i ri përdorimi, qarkullimi dhe përhapje të veprës penale të shpifjes, nuk mund të mos ndjehet veçanërisht gjatë muajve të fundit, kur lufta politike brenda vendit ka njohur shkulme të reja të mohimit dhe përbaltjes, duke tentuar të shkaktohet një kaos i përhershëm. Dhe, në këtë tablo të zymtë spikat figura e udhëheqit de jure në të djeshmen dhe de facto në të sotmen i Partisë Demokratike dhe në përgjithësi i opozitës aktuale.

Etja e tij dhe e ca ndjekësve të vet, për të rifituar pushtet dhe rigllabëruar pasuri, në një kohë kur përpjekjet reale drejt vendosjes së normalitetit të jetës dhe të sundimit të ligjit do të shtonin rradhët e të pakënaqurit, pa dyshim që frymëzon liderët opozitarë të kurdisin përsëri me energjitë e prodhuara zakonisht nga grahmat e fundit, makinerinë e tyre kriminale dhe për ta vënë atë në lëvizje me sferën e gjerë, që e ka karakterizuar këtu e një çerek shekulli.

Në vështrim të lëvizjeve dhe efekteve të kësaj makinerie, vëmendja e kujtdo mund të përqëndrohet përditshmërisht te shpifjet në adresë të të zgjedhurve mazhoritarë në krye të vendit nga vota masive popullore. Shpifje, që nga autorët e tyre preferohet me zell të furishëm të goditen figurat e kundërshtarëve politikë, veçmas të Kryeministrit dhe, me rradhë, të ministrave të kabinetit të tij. Për pothuajse çdo ngjarje të profilit penal, Sali Berisha dhe, pas tij apo edhe në stilin e tij, Kryetari, Nënkryetari, Sekretari i Përgjithshëm dhe emisarë të tjerë të pamoralshëm të Partisë Demokratike, gishtin e drejtojnë te Edi Rama, te Saimir Tahiri etj, që qenkan të lidhur ngushtësisht me krimin.

Nëse këta kaq shumë të përfolur kërkojnë nga opozita që të gjejë qoftë edhe një provë, nga e cila do të vetëdeklaronin dorëheqjen, zulmet e akuzave asnjëherë nuk përfundojnë në Prokurori, por në aktivitete politike dhe në media. Në këtë llavë të pashtershme akuzash, lënda djegëse e saj është e përbërë nga shtampat e gatshme, që në çdo rast formulohen prej të dhënave të përftuara nga përvojat vetjake apo grupore kriminale, antidemokratike. Prandaj, kushdo mund t’i jepë të drejtë Kryeministrit Rama, tek i referohet Emmanuel Kanti-t: “Kur shpif ndaj tjetrit, thua gjëra që i ke bërë apo je në gjendje t’i bësh vetë”.

Përvoja 25 vjeçare e Sali Berishës dhe e bashkëpunëtorëve të ngushtë apo edhe e ndjekësve fanatikë të tij, në këtë lëmë është jo aq e varfër dhe e rastësishme sa të mos kuptohet qartë definicioni i filozofit të madh gjerman.

Mirëpo juridikisht, si cilësohet vepra e Shpifjes? Në bazë të legjislacionit tonë penal, ajo – në ngjashmëri me veprën e Fyerjes – bazohet në faktin që një subjekt përhap informacione apo lajme kundër një personi tjetër, të cilat i di që janë të rreme, duke cenuar kështu nderin dhe dinjitetin e atij tjetrit.

Por, ndryshe nga Fyerja, ku objekti i mbrojtur nga dispozita (neni 119 i KP) është pra dinjiteti dhe nderi personal, në veprën e Shpifjes ligjvënësi (në nenin 120 të Kodit Penal) ka si qëllim edhe mbrojtjen e reputacionit, që duhet kuptuar si nderi në dimensionin objektiv, pra si respekti që individi gëzon në shoqëri.

Kjo është një diferencë e dukshme ndërmjet dy dispozitave të përmendura më sipër, çka gjen mbështetje në faktin që vetë ligjvënësi, në rastin e veprës penale të Shpifjes përdor termin ‘përhapje’. Domethënë, ligjvënësi me këtë shprehje kërkon të nënvizojë pikërisht faktin se, ndryshe nga Fyerja, vepra e Shpifjes realizohet kur thëniet apo informacionet e rreme shpërndahen dhe hyjnë në kontakt me njerëz të shumtë, të ndryshëm.

Për impaktin që ka në veprimtarinë publike të individëve, veçanërisht dispozita ligjore në kuadër të veprës penale të Shpifjes është e domosdoshme t’i nënshtrohet një analize të thellë, si nga doktrina, ashtu edhe nga jurisprudenca shqiptare, për të cilat është shprehur disa herë mendimi që duhet të thellojnë në mënyrë të detajuar të gjitha aspektet që lidhen me këtë dispozitë.

Ndërsa, përsa i takon ligjvënësitit, ky mund të përcaktojë edhe rrethanat rënduese specifike kur vepra e Shpifjes realizohet me anë të mediumeve të hapura, mund të përcaktojë gjithashtu edhe dëmshpërblimet në favor të subjekteve të lënduara nga kjo vepër penale. Sepse, prekja e nderit dhe e reputacionit, sidomos nëpërmjet mjeteve të informimit publik, nuk mund të mos shkaktojë dëme të konsiderueshme edhe te individi, që i është bërë lëkuara si zhguall.

Por, në rastin e luftës politike në Shqipëri, veçmas ndaj kundërshtarëve, të cilëve shumica e elektoratit u ka dhënë mandatin katërvjeçar për të qeverisur gjithë vendin, çështje është akoma më e mprehtë dhe lexohet në terma të tjerë. Pra, vlen të përcaktohen rrethana të tilla edhe më rënduese. Sepse, sado që këta të fundit të mësohen me shpifje pas shpifjesh të bëra ndaj tyre intensivisht dhe në mënyrë publike, me gjasë veprimtaria qeverisëse të hasë në pengesa, që gjejnë shprehje veç të tjerash edhe te rënia e besimit në një pjesë sado të vogël të elektoratit kombëtar.

Aq më tepër kërcënohet suksesi i kësaj qeverisjeje në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe përmbushjen e reformave gjatë rrugëtimit evropian, kur kontigjentë kriminalë dhe elementë të mësuar të mos plotësojnë detyrimet ligjore, u duket se gjejnë mbështetje te thirrjet e liderve të opozitës. Te ato thirrje të liderve të opozitës, që duke synuar t’i transferojnë fajet e tyre te mazhoranca dhe qeveria e dalë prej saj shpresojnë të kthehen sa më parë dhe pa asnjë program alternativ drejtimi në pushtetin e tyre të mëparshëm. Dhe, njëherësh, derisa të vijë ajo ditë të krijojnë situata krize dhe destabilizimi, që janë shtrati i rehatshëm për abuzatorët e të tëra llojeve dhe markave.

Një shpalosje e qartë e këtyre aspiratave regresiste u bë në seancën plenare kuvendore të javës së kaluar, që nuk do të teprohej po të thuhej se u njësua me një maratonë akuzash dhe replikash të iniciouara nga ish kreu demokrat. Gjatë orëve të zgjatura të saj ishte Sali Berisha ai që, duke mos kursyer aspak shpifjet e zakonshme ndaj atyre që i kanë zënë vendet atij dhe shpurës së vet në podiumin e sallës parlamentare, nuk ndëjti pa lëshuar edhe një piskamë të egër, në vend të konkluzioneve të gjithçkaje që ka llomotitur deri tani. “Iu bëj thirrje të gjithë shqiptarëve – u ngjir ai – që të ngrihen fuqishëm në protesta. Iu bëj thirrje që të ngrihemi dhe të çojmë vendin në zgjedhje të parakohëshme, si kushti i vetëm që do të shpëtojë vendin nga kthetrat e krimit dhe të mafias që e kanë mbërthyer”.

Le të lëshojë ai piskama nga honet e një kohe të perënduar për ‘të, por cilët njerëz qoftë edhe me dy pare mënd në kokë do t’u vënë veshin atyre, sa t’i shkojnë pas aventurës tipikisht të dështuar të një politikani një herë e mirë të diskretituar. Si mund të pajtohen me efektet e një thirrjeje të tillë donatorët e zhvillimit dhe të emancipimit të Shqipërisë, ata që e mbështetën dhe i akorduan kësaj statusin e Shtetit Kandidat për në Bashkimin Evropian, duke eksportuar këtu stabilitetin, pa pritur të importojnë prej këtej destabilitetin?

A janë të përkufizuara në Marrëveshjet me Unionin dhe në ‘acquis communautaire’ disa rregulla që pasi vendosen, periodikisht kontrollohen? Përgjigjet e këtyre dhe të tjera pyetjeve i nxjerrin zbuluar marifetet e Berishës dhe mbështetësve të tij, marifetet që të kujtojnë “shpikjen” e atij fshatari të qëmotshëm, i cili për ta detyruar gomarin të ecte më shpejt me ‘të mbi shpinë, bëri ç’bëri dhe i vari përpara syve një tufë kashtë, që e ngrata gërdallë nuk mundi ta përtypte ndonjëherë, derisa u shtri për tokë me gjuhën e shkumëzuar jashtë, duke gremisur e lënë edhe të zotin në mes të rrugës.

 

Tags:

Send this to a friend