Dukuri të krizës ekonomike në peizazhin mediatik shqiptar
Duhet theksuar se gjendja ekonomike dhe financiare e mediave shqiptare sot dallohet edhe nga vëzhgime që mbështeten në parametra cilësorë dhe jo vetëm bazuar në statistikat e munguara apo të pasigurta nga pikëpamja e saktësisë së tyre. Pyetja që shtrohet është se përse gjendja ekonomike e mediave sot lidhet me analizat mbi modelin e biznesit të tyre? A është vërtet ky model një model pastërtisht biznesi dhe a bazohet ai në logjikën e tregut, pra si një marrëdhënie midis ofruesit të mallit apo të shërbimit dhe klientëve të tij, që në këtë rast janë tradicionalisht dy grupe sociale, audiencat e mediave të shkruara apo audiovizive dhe reklamabërësit?
Paraprakisht mund të theksohet se treguesit sasiorë dhe cilësorë që reflektojnë gjendjen financiare të mediave në Shqipëri janë edhe tregues i asaj sesa i efektshëm është modeli menaxherial i adoptuar, sa në përputhje është ai me kërkesat e kohës, si edhe flasin për vështirësitë e koniunkturës ekonomike në të cilën zbatohen këto modele financiare menaxhimi.
Nuk mund të mos pranohet se në këto dy dekadat e fundit tregu shqiptar i mediave ka pasur zhvillime shumë të shpejta. Pavarësisht shumë aspekteve të kritikueshme, mediat kanë arritur të krijojnë mundësi për të realizuar dy funksionet e tyre kryesore, pra nga njëra anë të jenë monitoruese dhe kontrolluese të veprimtarisë të pushtetit dhe administratorëve të së mirës publike dhe nga ana tjetër të arrijnë të jenë instrumente pjesëmarrjeje të grupeve shoqërore, politike dhe individëve në politike dhe në jetën publike. Dhjetëra tituj gazetash dhe revistash të orientimeve sociale dhe politike të ndryshme, një rrjet i tërë medias audiovizive, investime të fuqishme materiale në disa kanale televizive, mbulimi i territorit shqiptar me sinjal televiziv, dendësia e rrjeteve të ofrimit të lidhjeve në Internet etj., nuk mund të mos konsiderohen si të dhëna që dëshmojnë faktin se liria e shprehjes dhe demokratizimi i vendit kanë gjetur te mediat një instrument të dobishëm veprimi.
Pavarësisht nga arritjet e spikatura pozitive, sidomos vitet e fundit, për arsye të ndryshme sociale, psikologjike, teknologjike dhe financiare, mediat shqiptare kanë shfaqur edhe shenjat e vështirësive ekonomike dhe financiare çka nuk ka lënë pa ndikime edhe gazetarinë që ofrohet, shërbimin cilësor ndaj publikut dhe ka prekur fort edhe statusin e gazetarit.
Çfarë mund të konstatohet në këtë rrafsh?
Është i dukshëm largimi i audiencave të gjera nga konsumimi i mediave të shkruara, kryesisht, çka vihet re edhe në uljen drastike të tirazheve dhe mbetjen e stoqeve të numrave të pashitur. Kur flitet për rënien e interesimit të lexuesve për median e shkruar kjo nuk lidhet vetëm me braktisjen e ndonjë titulli, sepse kjo kundërshtohet prej faktit se numri i titujve është rritur shumë në krahasim për shembull me vitet e para të tranzicionit demokratik. Por, vihet re më tepër si frymë e përgjithshme rënieje e interesimit të lexuesit ku konstatohet se shumica e lexuesve janë të moshave relativisht të mëdha, ndërkaq që brezi i ri është fare pak i interesuar për gazetat. Entuziazmi i publikut për numrat e gazetave “Rilindja demokratike”, “Koha jonë” në kohën e apogjeut të tyre, vështirë se mund të shpresohet se do të mund të krijohet ndonjëherë përsëri. Këtu sigurisht ndikon edhe fakti i periudhave historike ku kalon jeta politike dhe shoqërore e vendit.
Ndërkaq, në kushtet e ardhjes të komunikimit digjital në web, mediat shqiptare, si ato të shtypura edhe ato audiovizive, janë shfaqur në ekranet e kompjuterave duke transmetuar informacionin e tyre falas për një publik gjithmonë e më në gjendje të lidhen në Internet. Nuk mund të mohohet se kemi të bëjmë me një prirje që shkon në përputhje me ecurinë bashkëkohore të komunikimit masiv. Por, ndërkohë, në pjesën dërmuese të rasteve, jo vetëm që ky informacion jepet falas, por edhe nuk shoqërohet me një tërheqje të reklamave, çka do të justifikonte aspektin financiar të modelit të administrimit të mediave në web. Në njëfarë kuptimi, dhënia e informacionit falas, sikurse theksojnë studiues të ndryshëm perëndimorë të ekonomisë të mediave, ndërkohë që marrja, grumbullimi, klasifikimi dhe shpërndarja e informacionit po bëhet gjithnjë e më kushtueshme, bën që modeli në fjalë të mos ketë një logjikë financiare tregu. Në këto kushte, të ardhurat e mediave nga audiencat e tyre njohin vështirësi dhe informacioni e humbi në një shkallë të gjerë kuptimin e tij si mall dhe shërbim në treg.
Informacionet nga mediat dhe operatorët mediatikë tregojnë se ka një rënie të reklamës në media pra edhe të shifrës të të ardhurave të kompanive mediatike të realizuara nga hapësira dhe koha e shitur për reklama. Kjo duket në faktin se jo vetëm reklamat janë të përqendruara në disa media kryesore të shkruara ose audiovizive, jo vetëm se bëhen vetëm nga disa kompani, kryesisht të huaja, por edhe frekuenca e shumëllojshmëria e tyre është në parametra relativisht të ulët. Këtu nuk ka ndikuar vetëm kriza financiare që e ka vështirësuar si kudo në botë blerjen e hapësirës dhe kohës për transmetim reklamash nga ana e sipërmarrjeve të ndryshme, por edhe për faktin e çmediatizimit të reklamës, domethënë prirjen e reklamuesve për të kontaktuar drejtpërdrejt klientelën e tyre qoftë nëpërmjet komunikimit në wb ashtu edhe nëpërmjet formave të tjera të marketingut.
Mbi të gjitha vihet re një politizim i informacionit të ofruar publikut si nga ana e mediave të shkruara ashtu edhe e atyre të transmetimit audiovizual. Ndër të tjera kjo lidhet edhe me politikat menaxheriale të operatorëve mediatikë në kushtet e vështirësive financiare që kalojnë. Bisedat politike në oraret prioritare të transmetimit televiziv për shembull, zënë vendin kryesor çka lidhet edhe me shpenzimet e kursyera që nevojiten për ta konceptuar dhe realizuar këtë lloj emisioni. E njëjta gjë konstatohet edhe me faqet e para të gazetave të përditshme shqiptare që më së shumti transmetojnë lajme politike ose informacione të ardhura nga praktikat e marrëdhënieve publike të partive politike ose të qeverisë. Kuptohet që në këto kushte ka një nënmbulim të shumë fushave të jetës shoqërore që kërkojnë më shumë shpenzime për t’i mbuluar, mungon lajmi lokal, gazetaria investigative është rrudhur fort, etj. Veç disa koncerteve dhe spektakleve televizive kryesore, prodhimi origjinal i filmave televizivë, blerja e të drejtave të transmetimit të filmave ose dokumentarëve bashkëkohorë të huaj, është pothuajse një realitet i munguar në programacionet ditore.
Në një masë të konsiderueshme, mediat ushqehen financiarisht nga kompanitë jomediatike që u përkasin në pronësi të njëjtëve operatorë ekonomikë dhe financiarë. Brenda koniunkturës financiare të vështirë të viteve të fundit ky kalim fondesh nga pjesët jomediatike drejt atyre mediatike të sipërmarrjeve me pronësi të njëjtë është bërë më i vështirë dhe i dhimbshëm. Aq më shumë që ky transferim fluksesh financiare për të cilin është e pamundur të gjesh të dhëna të botuara, duke ushqyer media ul cilësinë e shërbimit në fushat jomediatike të bizneseve të ndryshme, çka etikisht bien në kundërshtim me interesat e klientëve që kanë paguar për ato shërbime. Kjo është shumë e ndjeshme sidomos në ato biznese që kalojnë kapitalet nga sfera e arsimit të lartë privat në fushën e mediave duke krijuar pole financiare universitare-mediatike, ku biznesi universitar privat ushqen në një masë të konsiderueshme edhe pjesët mediatike të kompanive. Sido që të arsyetohet, kuptohet që duke tërhequr kapitale nga biznese të sferave të tjera, këto lloji mediash funksionojnë jashtë një modeli ekonomik dhe tregu pavarësisht se reklamohen si të tillë.
E gjithë kjo situatë financiare plotësohet edhe me informacionet që kohët e fundit, pas 23 qershorit 2013, janë bërë publike, e që dëshmojnë se ka pasur një shpërndarje klienteliste dhe ndofta të padobishme të parave publike për reklama nga ana e mediave pranë qeverisë të asaj kohe.Veç problemit etik dhe profesional, ka vend të vihet në dukje edhe fakti se kjo e dhënë dëshmon për paradokset e asaj që quhet ekonomia e mediave në Shqipëri ku kompani mediatike shumë të njohura funksionojnë në fakt me para publike, mbështeten në privilegje ekonomike të ofruara nga fuqia publike në sektorë të tjerë të ekonomisë, në tendera etj., pra e kanë të pamundur të arrijnë performancën profesionale të pretenduar duke u mbështetur në një ekonomi treguar që në standardet e veta normale përjashton privilegjet, monopolet dhe trafiqet elektoraliste të shprehura me trajtime diskriminuese të operatorëve ekonomikë.
Situata ekonomike e vështirë për mediat aktuale në Shqipëri shfaqet edhe në presionin që ushtrohet financiarisht ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të mediave. Kudo në sektorin privat vihen re vonesa në pagat për gazetarët, ka një rrudhje të personelit të gazetarëve, punësime pa kontrata, ulje e ofertave për punësim gazetarësh të rinj dhe mbi të gjitha përdorim i informacionit të dorës së dytë dhe të tretë, nëpërmjet kryesisht zbritjeve nga interneti i informacioneve që prekin fusha të ndryshme të jetës.
Nisur nga sa theksuam më lart, ka vend të bëhet një konstatim përmbledhës fillestar. Sipas tij, pjesa më e madhe e mediave që përbëjnë peizazhin mediatik në Shqipëri, duke përjashtuar në njëfarë shkalle mediat që funksionojnë mbi platforma kabllore ose me karta abonimi, nuk funksionojnë sipas një modeli ekonomie tregu, pavarësisht se konsiderohen si media private nga pikëpamja e pronësisë. Pronësia është private kurse modeli menaxherial financiar nuk bazohet në një shkallë të gjerë në kriteret e ekonomisë të tregut. Jashtë ardhjes së flukseve financiare me burime jomediatike, këto media është vështirë të mendohet se do të mund të funksiononin. Në këtë mënyrë ato janë të shkëputura edhe nga audienca, sepse financiarisht nuk varen prej saj, edhe nga reklamabërësit privatë, sepse nuk mund të mbijetojnë me anë të transmetimit të reklamave.
Prandaj, edhe koncepti i tregut të informacionit, dhe i gazetarisë si një shërbim i ofruar në treg, pra si mall, duhet të merret me shumë rezerva sa kohë media të tëra private nuk mund të mbijetojnë dhe nuk mbijetojnë realisht duke ndjekur një model menaxherial të bazuar në kulturën e marrëdhënieve midis shitësit dhe blerësit të informacionit. Të nisura si media dhe sipërmarrje private që funksionojnë në treg, ky sektor ka ecur drejt një modeli shumë më të ndërlikuar, i cili nuk mund ta sigurojë cilësinë e pretenduar të informacionit mbi bazën e mekanizmave të tregut. E gjitha kjo ka pasur si pasojë që mediat të mos ta shohin misionin e tyre kryesisht si informim objektiv, sa më i plotë, dhe i dobishëm i publikut, por ta konsiderojnë informimin publik si një vlerë që nërenditet ndaj strategjive të tjera që ushqejnë mediat me burime financiare. Prandaj, ideja nga e cila niset ky punim, është se në shpjegimin e mangësive në cilësinë e gazetarisë, në rastin shqiptar, burimet dhe shkaqet nuk duhen kërkuar thjesht te kufizimet e modelit financiar të “maksimizimit të fitimit” nëpërmjet tregut. Ky model është kuptuar nga operatorët që nuk mund t’i bëjë mediat e sotme shqiptare të mbijetojnë. Kemi të bëjmë, në fakt, me një model tjetër ku ekziston simbioza e mekanizmave të tregut dhe e forcave jashtë tij me karakter politik, social, administrativ, elektoral, informal etj. Por, në çdo rast, pasojat e tyre veprojnë për të ngushtuar burimet financiare të mediave dhe sjellë po ato pasoja të padëshirueshme si edhe një model i mbështetur te “fitimi maksimal” i kërkuar nëpërmjet funksionimit të tregut.
Pyetja që shtrohet është nëse mediat shqiptare do të arrijnë të shpalosin një gazetari cilësore që përmbush misionin e saj me anë të këtij modeli ekonomik simbiotik, ku bashkohen elemente tregu dhe influenca e mekanizma mbisundues të ardhur jashtë tregut? Faktet tregojnë se kjo është e pamundur për sa kohë që theksuam dukuritë negative të vërejtura. Problemi është se ku duhet gjetur zgjidhja. Te një model biznesi mbështetur tërësisht te modeli industrial dhe komercial i mediave? Te tregu katërcipërisht i lirë i mediave private Puna është se ai është treguar si i paaftë ta përballojë projektin e një peizazhi mediatik të shëndoshë sa kohë që vetë operatorët e kanë braktisur atë.
Cilat mund të jenë praktikat menaxheriale konstruktive?
- 2. Dukuri të krizës financiare në mediat perëndimore
Për studimet perëndimore lidhur me mediat, është një fakt i gjithëpranuar tanimë që industria e informacionit kalon një periudhë lëkundjesh të forta financiare, të cilat jo vetëm konsiderohen shkaktare të një sërë dukurish penguese për gazetarinë cilësore dhe informimin e plotë dhe të saktë publik, por edhe që kanë ngritur shumë pikëpyetje për vetë modelin “e pastër” të menaxhimit të mediave sipas kritereve të një sipërmarrjeje të prirë drejt nxjerrjes të “fitimit maksimal”.
Pa dashur të ngarkojmë këtë dokument me shumë të dhëna që aktualisht gëlojnë nga të gjitha anët, po paraqesim vetëm ekspertizën e bërë në një dokument me shumë peshë dhe të besueshëm që monitoron mediat në SHBA, “Projekti për ekselencën në gazetari” (2008), në të cilin pohohet se një gazete e përditshme sot “ka më pak faqe sesa tre vite më parë, volumi i saj është më i hollë, raportimet janë më të shkurtra. Ka më pak lajme nga bota dhe nga vendi, më pak hapësirë kushtuar shkencës, arteve, profileve dhe një radhe tjetër çështjesh specifike. Mbulimi i ekonomisë është vendosur në një rubrikë gjithnjë e më të ngushtë ose është flakur në ndonjë qoshe tjetër të gazetës. Fjalëkryqet janë rrudhur, informacionet për programet televizive dhe tabelat e të dhënave financiare thuajse janë zhdukur, ndërkaq mbulimi i disa çështjeve lokale është përforcuar dhe gazetaria investigative mbetet e vlerësuar lart. Stafi i redaksisë që boton gazetën gjithashtu është më i vogël sesa më parë, më i ri, më me shumë profil thjesht teknik, më shumë i orientuar për të plotësuar nevojat e përbashkëta të shtypit dhe të web-it. Stafi po ashtu është nën një presion të madh, ka më pak kujtesë institucionale, më pak njohuri për komunitetin, apo për të ditur si merren lajmet dhe historitë e individëve të ndryshëm. Ka më pak redaktorë për të kapur gabimet e shtypit.”[2]
Autori Todd Gilin nuk mungon të na japë edhe disa të dhëna domethënëse për sa më sipër: “Treguesit numerikë po shkojnë teposhtë dhe kjo nuk është një paranojë kur e mendon. Përgjithësisht qarkullimi i gazetave ka rënë. 13,5 për qind për të përditshmet dhe 17,3 për qind për botimet e së dielës duke e krahasuar me vitin 2001; afërsisht ka një rënie me 5 për qind vetëm për vitin 2008. Në kushtet e atij që disa e quajnë Depresioni i Madh të ardhurat nga reklamat kanë rënë 23 për qind vetëm në dy vitet e fundit – ndonëse shpenzimet për letrën janë rritur. Afërsisht një në pesë gazetarë që në vitin 2001 punonin për gazetat tani është flakur tej prej tyre. Redaksitë e lajmit nga bota janë mbyllur…Gazetat humbën përgjithësisht 83 për qind të vlerës të aksioneve të tyre përgjatë vitit që shkoi.” [3]
Por, le të mos zgjatemi më tej duke dhënë dëshmi të treguesve financiarë në rënie të industrisë të medias sepse ato aktualisht janë kthyer në një informacion të shpeshtë dhe të raportuar gjerësisht.
- 3. Tipare thelbësore të ekonomisë së mediave sot
Për ta kuptuar më mirë debatin teorik lidhur me ekonominë e mediave në periudhën bashkëkohore, le të ndalemi sikur është e nevojshme, në disa karakteristika të kësaj ekonomie në ditët tona. Kjo duhet bërë paraprakisht sepse funksionimi i një sistemi ekonomik, sikurse në këtë rast është industria e mediave, varet metodologjikisht nga dy tregues thelbësore, e para, nga modeli teorik, formal, institucional i biznesit, që është adoptuar, dhe e dyta, nga koniunktura ekonomike, teknologjike dhe institucionale në të cilin ky model zbatohet. Nga marrëdhëniet midis tyre edhe mund të kuptohet nëse modeli i biznesit dhe konteksti ekonomik e shoqëror i zbatimit të tij përputhen ose jo me njeri tjetrin.
Lidhur me karakteristikat e sotme të ekonomisë të medias do të duhej të viheshin në dukje medoemos tiparet e mëposhtme:
Për herë të parë në ekonominë e medias përgjatë historisë së saj, me ardhjen e Internetin dhe kalimin e mediave në komunikimin digjital, me zhvillimin e teknologjive të reja të komunikimit si telefonia e lëvizshme dhe kompjuteri, janë krijuar marrëdhënie të reja midis “shitësi” dhe “blerësit” të informacionit, pra midis agjencive të mirëfillta mediatike dhe audiencave.Konsumatori i informacionit tanimë është jo vetëm pritës dhe përfitues i shërbimit, por ai del edhe në “tregun” e informimit publik, në hapësirën publike, në “mainstream” dhe paraqet aty komentet, interpretimet e tij ose bëhet nga ana e tij burim informacioni të ri. Për herë të parë në ekonominë moderne, malli – informacion nuk bën lëvizjen e thjeshtë njëkahëshe nga sipërmarrja te klienti konsumator, por edhe lëvizjen me kahje të kundërt, si edhe shoqërohet me komunikimin paralele midis vetë konsumatorëve të kthyer në ofertues shërbimesh dhe mallrash. Kjo marrëdhënie e re e ka transformuar tërësisht ekonominë e mediave sepse klienti tanimë është edhe konkurrent në treg, çka sjell ndikime të fuqishme mbi atë që quhet “rrallësia e produkteve dhe e shërbimeve në treg” – baza e çdo ekonomie, si edhe mbi marrëdhëniet midis shpenzimeve, fitimit dhe çmimit të informacionit në tregun përkatës. I gjithi ky proces lidhet me konceptin e “empowerment” (fuqizim) të klientit, pra me fuqizimin e statusit dhe kompetencave të tij në komunikimin mediatik dhe marrjen e një roli shumë aktiv në të.
Modeli i deritanishëm i ekonomisë të medias dhe i industrisë të informacionit bazohej gjerësisht edhe në gjetjen e burimeve të të ardhurave për të mbështetur planet e biznesit të sipërmarrjeve mediatike te botimi apo transmetimi i reklamave. Modeli klasik dhe mbizotërues financiar deri në fillim të shekullit të ri ka qenë ai i shitjes të hapësirës botuese dhe i kohës të transmetimit mediatik për reklamë. Ky model financiar sigurisht ka pasur përparësitë dhe epërsitë e veta, por edhe kufizimet përkatëse. Pa u ndalur hëpërhë në këto të fundit, theksojmë vetëm se modeli financiar në fjalë ka hasur vështirësi dhe duket në zbehje ndër të tjera, jo vetëm për shkak të krizës financiare globale aktuale, por edhe për faktin strukturor dhe novator të asaj që quhet “çmediatizim” i reklamës, domethënë prej zbatimit të strategjive të reja të marketingut në web që krijon mundësi të pashtershme për një komunikim të drejtpërdrejtë të sipërmarrjeve reklamuese me klientët e tyre. Po kështu, edhe reklama në mediat on line, pra edhe atëherë kur web-i i mediave masive shpërndan reklamë, strategjitë e reklamës mediatike, matja e efikasitetit të saj, si edhe mënyrat e pagesës për shërbimin e reklamës kanë ndryshuar kryekëput. Po kështu, kanë ndryshuar kryekëput edhe njësitë matëse të audiencës të mediave dhe formulat e përllogaritjeve që bëhen në këtë kuadër.
Është e qartë që aktualisht ndodhemi në kushtet kur janë krijuar marrëdhënie të reja midis shpenzimeve për të prodhuar informacionin, strukturës së tyre, dhe mënyrave për të nxjerrë fitimin nga shërbimi mediatik që firmat dhe kompanitë mediatike propozojnë në treg. Të gjitha këto raporte nuk kanë më të krahasuar me gjendjen e tyre të mëparshme të kohëve klasike. Situata e re jep mundësi, nëse mbahet mirë parasysh, që të shfrytëzohen të gjitha ato oportunitete financiare që duke qenë të favorshme, të krijojnë mundësinë e zgjerimit të tregut për mallin – informacion mediatik masiv. Vërtet janë shtuar relativisht në mënyrë të spikatur shpenzimet për pagesën e punës së gjallë të gazetarit të spikatur profesionist, vërtet janë ulur mundësitë për të fituar nëpërmjet reklamës, por nga ana tjetër janë ulur shumë shpenzimet për të stokuar informacionin në pistat e qarkullimit të tij në Internet, janë ulur shpenzimet e komunikimit në distancë midis gazetarit në terren dhe redaksisë virtuale, si edhe mbi të gjitha kanë ardhur duke u zvogëluar shpenzimet që duhen bërë për komunikimin midis redaksisë dhe agjencive të ndërmjetme përpara sesa informacioni të shkojë te audiencat, pra shtypshkronjës, rrjeteve të shpërndarjes, etj., duke mundësuar forma të reja editimi dhe shpërndarjeje. Ndërkaq, kalimi i informacionit masiv mediatik në Internet, domosdoshmëria e ndërtimit të web-eve mediatike që shpeshherë japin informacion falas, shtimi pa fund i operatorëve që japin informacion në pëlhurën e rrjeteve informative digjitale, bollëku i tejshtuar i informacionit që shpesh e tejkalon edhe nevojën e konsumatorit mesatar për informacion, ka bërë që çmimi i shërbimit dhe i mallit informacion në treg të njohë një rënie të dukshme dhe shpesh të ketë prirjen për të shkuar drejt zeros, çka, sikurse thuhet, edhe krijon parakushte për ta konsideruar modelin tregtar të sipërmarrjeve të medias dhe informacionit masiv si të papajtueshëm me rregullat klasike të një ekonomie tregu tradicionale.
Një ndryshim i spikatur ka të bëjë me atë që marrëdhënia e burimit të informacionit masiv me audiencat gjithnjë e më shumë, në rastin e mediave të lidhura në Internet, nuk bëhet aq sipas modelit “push” (pra, informacioni “shtyhet” drejt audiencave), por sipas modelit “pull” (pra, “tërhiqet” nga konsumatori i informacionit). Në këtë mënyrë, ndonëse përmbajtja e informacionit mediatik mbetet e karakterizuar nga masiviteti, kemi një informacion masiv si konceptim i tij, konsumi i këtij informacioni masiv bëhet gjithmonë e më shumë në mënyrë të personalizuar. Është konsumatori që përzgjedh shkrimin që dëshiron të lexojë, videon që do të shijojë, filmin që do të shohë, emisionin televiziv që dëshiron të ndjekë. Nga kjo pikëpamje ndodhemi përpara një çmasivizimi të përdorimit të industrisë të mediave dhe mallit – informacion që ajo hedh në treg. Klienti gjithmonë e më pak orientohet drejt një medie në mënyrë globale, gjithmonë e më pak orientohet drejt blerjes të informacionit si një paketë tërësore e identifikuar me logon e gazetës apo të emisionit televiziv apo të një stacioni radioje, duke u orientuar më tepër drejt produkteve të veçanta mediatike, një lajmi, një shkrimi, një kënge etj. Nga pikëpamja menaxheriale dhe financiare kemi hyrë në periudhën kur nuk mjafton një apo disa shkrime të mira për të shitur edhe pjesët e tjera të përmbajtjes së saj, jo me të njëjtin nivel ose interes për audiencat, sepse çdo element informativ konsumohet në mënyrë të veçuar në treg. Gjithmonë e më pak edhe reklamat kanë prirje të lidhen me logot e emisionet dhe me titujt e gazetave, sepse kërkojnë brenda këtij modeli të bashkëngjiten më shumë me shkrimet dhe emisionet më të mira e më të ndjekura. Parë brenda kësaj perspektive të modelit “pull” të ofertës mediatike në treg, prioritet e prodhimit të mallit – informacion gjithmonë e më pak i përcakton “shitësi”, pra redaksia, kompania mediatike, por rëndësinë e informacionit, prioritetin e elementëve informativë, e vendos gjithmonë e më tepër “klienti”, konsumatori i medias me përzgjedhjen e tij. Në këtë mënyrë ne kemi hyrë në fazën e modelit menaxherial të quajtur “co-gestion” ose bashkadministrim.
Karakteristikë tjetër shumë e rëndësishme e ekonomisë të mediave sot është kthimi i tyre në multimedia dhe lindja dhe zhvillimi i prirjeve që kanë të bëjnë me konvergimin e informacionit si pasojë e konceptimit, editimit dhe shpërndarjes të tij me kodet digjitale të komunikimit. Ky proces thelbësor ka krijuar tematika të reja lidhur me përqendrimin e pronësisë mbi mediat, praktika të reja monopolizimi të tregut, ka shtyrë drejt konceptimit të ligjeve të reja për konkurrencë të ndershme në treg dhe strategjive të reja të rregullarizimit të tregut mediatik që gjithmonë e më shumë nuk ngjasojnë më ato tradicionale. Parë kështu, kuptohen edhe më mirë ato praktika dhe strategji menaxheriale, të cilat kanë të bëjnë me “ripaketimin” e informacionit mediatik, duke e shpërndarë në platforma të ndryshme dixhitale apo ato strategji zhvillimi të kompanisë ku konceptimi dhe editimi i përmbajtjes së informacionit integrohen me menaxhimin e rrjeteve të shpërndarjes on line të tij.
*Ky shkrim është pjesë e referatit mbajtur në seminarin “Mediat në demokratizim” organizuar nga Qendra Shqiptaro-Gjermane për Trajnimin e Gazetarëve të Rinj, me mbështetjen e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit të Universitetit të Tiranës dhe Fondacionit “Konrad Adenhauer”
Tags:kriza e medias, tregu i medias