Media shpesh përdoret si trampolinë nga gazetarët

16 Gusht , 2012 • Gazetaria e Medias, Liria e medias • by

Gazetaria e lirë dhe e paçensuruar ka hedhur hapat e parë pikërisht pas rënies së komunizmit. Megjithatë tranzicioni i vendit tonë nuk mund të linte pa prekur as këtë profesion. Por sa gjen gazetaria e mirëfilltë vend në shoqërinë e sotme? Në një intervistë për gazetën “Reporteri” gazetari i mirënjohur Mero Baze ndan pjesë nga eksperienca e tij profesionale duke kontretizuar kështu problematikat e ndryshme.

Për mendimin tuaj, gazetaria është profesion që mund të fitohet, apo mund ta quajmë “talent të lindur”?

Gazetaria është profesion, kurse gazetari në vetvete nëse do të mbetet si i tillë është dhe talent dhe karakter. Për të qenë një gazetar i vërtet, përveçse duhet t’i përkushtohesh atij profesioni, duhet të jesh dhe i talentuar dhe mbi të gjitha duhet të kesh një karakter që bën diferencën me pjesën tjetër të zakonshme të punonjësve të shtypit. Shumë teori të gazetarisë bien ndesh me ata që kanë bërë gazetarinë e madhe në botë. Megjithatë i përkas asaj pjese që mendon se gazetaria pa pasion dhe fuqi për t’u përballur me probleme nuk lë gjurmë. Bëjnë shumë më pak dëm në shoqëri gazetarët misionarë se rrogtarët sterilë.

Cili është përkufizimi juaj për gazetarinë e mirëfilltë dhe sa praktikë gjen kjo në gazetarinë shqiptare?

Një gazetari e ndershme do të na bënte shumë punë. Do të ishte së paku një pushtet moral mbi shoqërinë. Por këtu kjo ide është kompromentuar. Gazetaria është përdorur në fillim si trampolinë nga gazetarët për të hyrë në politikë apo biznes dhe pastaj nga politikanët dhe biznesmenët për të mbrojtur pushtetin e tyre. Ka shumë pak media të gazetarëve dhe ato të pashpresa pasi janë jo konkurrese. Gazetarinë e mban në këmbë pushteti i saj mbi opinionin publik, pushtet i cili i prodhoi asaj tregun për të mbijetuar në mënyrë të ndershme.

Gazetaria jonë e ka humbur betejën për të pasur pushtet në opinionin publik ndaj dhe nuk mbijeton dot më, por sponsorizohet për të mos falimentuar. Ajo është e copëzuar, jo autoritare, jo e vërtet dhe aspak profesionale.

Së fundmi është dhe e dobët, sterile, pa forcë fjale dhe thuajse produkt skarco. Brenda këtij relievi të copëtuar gjen plot gurë të çmuar, gjen të vërteta të mëdha, gjen dhe gazetarë të mirë, por nuk i gjen bashkë, nuk i gjen në një vend, nuk i gjen si pushtet gazetaresk, por si flori të përzier me baltë. E vërteta është copëzuar duke ndjekur hendeqet në të cilat ka humbur liria në këtë vend dhe duket sikur nuk ka punë më me gazetarinë.

Cilat janë problemet më të mprehta që ka sot gazetaria dhe çfarë alternative do të ofronit?

Problemi më i madh mbetet fakti që politika dhe biznesi i ka vënë litarin në qafë gazetarisë dhe i kanë hequr stolin ku mbështet këmbët. Si e tillë për të mos vdekur ajo mbështet këmbët në karriket e polikës dhe kolltuqet e biznesit. Si e tillë ajo është gjithmonë e destinuar të jetoj si ato konet që i mbajnë lidhur me zinxhirë floriri në shtëpitë e pasanikëve, ose të bredh për kothere buke si ciganët duke i prekur njerëzit me sakrificën e saj. Siç mund ta vini re, të gjithë nxitojnë të fusin qafën në një zinxhir floriri dhe të pozojnë si gazetarë regjimesh. Pra, jemi në një treg pa konkurrencë, në një treg ku nuk falimenton asnjë gazetë, asnjë televizion dhe asnjë radio sepse nuk shikohet, lexohet apo dëgjohet. Madje e kundërta, dhe kur je më i lexuari po nuk ishe pjesë e këtij fallciteti vdes për bukë.

Nuk ka shumë receta si të zgjidhet kjo çështje tani. Një herë duhet të vendoset barazia dhe media të mbijetoi nga tregu. Pastaj tregu do seleksionoi gazetarët. Kjo që po ndodh është një vdekje klinike e gazetarisë. Kemi vetëm shembuj se si pushteti shpërblen mediat që i bëjnë fresk dhe se si ndëshkon media që nuk i shkojnë pas. Mes këtyre dy shembujve shkëlqen dëshira për t’u shpërblyer.

A është politika faktor i mosfunksionimit të gazetarisë së lirë, dhe sa e vështirë është të dalësh kundër një force të caktuar politike e konkretisht kundër qeverisë?

Gazetaria shqiptare pas viteve 90’ është e lidhur me një përmbysje të madhe politike. Ndryshimet politike sollën lirinë e shtypit, por kurrë nuk na sollën dot shtypin e lirë. Njëzet e dy vjet më pas politika po mbyt me duart e saj foshnjën që lindi në vitin 1991 lirinë e shtypit. Ajo po e vdes atë pak nga pak çdo ditë, duke bërë që shoqëria të jetë indiferente ndaj këtij fakti. Po ngjet pak a shumë si në atë fabulën gjermane me një bretkoskë, që kur e hedh në ujë të nxehtë kërcen përpjetë e del nga gota, por po e fute në ujë të ftohtë dhe e nxeh atë ujë pak nga pak nuk kupton gjë derisa ngordh. Na kanë futur në një enë dhe po na ziejnë. Dhe ne nuk po kërcejmë të dalim nga ena.

Sa ndikim ka pronari në një redaksi?

Në redaksitë e sotme ka gjithë pushtetet, pasi shumica e tyre i kanë ngritur mediat thjesht pasi panë se ato ishin instrumenta përfitimi nga pushteti. Përveç Top Channel-it ku pronari tejkaloi pasionin e tij për median dhe ndërtoi një stukturë profesionale të redaksisë duke prodhuar dhe një treg ku ajo mbijeton vetë, gjithë të tjerët janë me sy nga pushteti mos i shpërblen ose ndëshkon.

Cilat janë kostot mbi të cilat duhet të kalosh për të qenë i suksesshëm në këtë fushë?

Nuk ka një prag apo një tavan fiks. Nëse do të kishte një treg real, dhjetë gazetarë të bashkuar do të bënin një media të shkëlqyer në këtë vend pasi do të mbijetonin nga tregu. Sot dhjetë gazetarë bashkë në një gazetë i vdes, i lë pa bukë. Ndaj i gjen nën dhjetë pronarë të ndryshëm.

Keni menduar ndonjëherë të hiqni dorë nga profesioni?

Jo asnjëherë. Dhe kjo nuk është çështje betimi. Ka pas dhe momente kur kam qenë i lirë të mos punoja më si gazetar, të merresha me ndonjë gjë tjetër, por më është dukur e pamundur të shkëputem. Kjo ka ndodhur dhe kur i kam patur punët shumë mirë dhe kur i kam patur shumë keq.

Mendoni se paragjykohet ky profesion?

Si çdo profesion ai nuk mund t’u shpëtoj paragjykimeve, por besoj se një gazetar i mirë nuk i përfill ato, ndryshe duhet të lërë punën. Ky është një profesion që është në betejë me paragjykimet e shoqërisë ndaj çdo gjëje, ndaj pushtetit, ndaj historisë, ndaj kulturës dhe nuk mund t’ia fal vetes të mposhtet nga paragjykimet ndaj tij.

A mund të bëni një krahasim ndërmjet gazetarisë së viteve 90’ dhe ditëve të sotme?

Gazetaria e fillim viteve 90’ ishte larg në formë dhe përmbajtje nga e sotmja. Ajo ishte më pak raportuese, më shumë komentuese dhe më ballafaquese. Nga forma ishte më e dobët se kjo e sotmja, nga përmbajtja më e pasur, dhe nga ndershmëria e pakrahasueshme. Ajo u bë nga një brez i ri gazetarësh që patën fatin e mirë t’u ngelej në dorë gjithë media e re shqiptare dhe fatin e keq që nuk dinin asgjë nga media veç talentit të tyre. Ata sot janë ende njerëzit më me ndikim në media. Ndryshe nga vendet e tjera të lindjes komuniste, pas rënies së komunizmit në Shqipëri ranë dhe gazetarët e komunizimit. Asnjë prej tyre thuajse nuk mbijetoi. I vetmi dinosaur i gjallë i tyre ka mbetur Filip Çakuli, drejtor i Fiks Fare dhe dy ish gazetarë të Zëri i Popullit, Frok Çupi dhe Fahri Balliu që po riciklojnë atë lloj gazetarie dhe njëzet vjet më pas. Të tjerë as fizikisht nuk punuan dot më në media.

Sipas jush vështirësia për një student të sapo diplomuar është të gjesh një vend pune në gazetari, apo të kesh mundësi për t’a mbajtur atë?

Vështirësia më e madhe besoj se është të ingranohet si reporter në media dhe të lërë gjurmët e veta. Nuk është problemi të gjesh një vend pune apo ta mbash atë, pasi media shqiptare sot ka më shumë nevojë për punonjës shtypi se sa për gazetarë, kështu që nuk ka një sistem rekrutimi mbi bazën e vlerave. Unë uroj që një ditë të blej një gazetë në treg, jo për shkak se ka bërë Mero Baze, Fatos Lubonja, Mustafa Nano apo Andi Bushati një koment, por se ka bërë një gazetar i ri një raport, pra ka raportuar për një ngjarje. Kur të vij ajo ditë ne do të fillojmë të besojmë se po lind brezi i reporterëve, i atyre që në fakt duhet të mbajnë në këmbë gazetarinë, duke e hequr nga thonjtë e opinionbërësve, që janë kthyer në punonjës të marrëdhënieve publike me pagesë.

Intervistoi: Xhulia Karavella

 

Send this to a friend