Nga Caroline Lees
Facebook ka nisur një fushatë në të gjithë Europën për t’i dhënë fund gjuhës së urrejtjes dhe postimeve ekstremiste në mediat sociale. Kjo lëvizje filloi pas një ankese të politikanëve gjermanë ndaj rritjes së komenteve ekstremiste dhe ksenofobike në Facebook dhe platforma të tjera online.
Facebook e nisi fushatën e quajtur Inisiativa Online e Kurajos Civile (Online Civil Courage Initiative) (OCCI) në Berlin dhe premtoi të dhurojë 1 milion euro për të mbështetur organizatat jo-qeveritare në punën e tyre për të ndaluar racizmin dhe ksenofobinë online.
Njësi speciale për të monitoruar dhe fshirë postimet ekstremiste në Facebook
Kompania me bazë në SHBA ka krijuar gjithashtu edhe një njësi speciale për të monitoruar dhe fshirë postimet ekstremiste në platformën gjermane të Facebook. Inisiativa u mbështet nga Ministria gjermane e Drejtësisë dhe e Mbrojtjes së Konsumatorit, nga Instituti për Dialogun Strategjik në Londër, fondacioni Amadeu Antonio, një nga OJF-të gjermane më të njohura si dhe nga Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Radikalizmit dhe të Dhunës Politike.
Sheryl Sandberg, shefi i shërbimeve të Facebook tha se “gjuha e urrejtjes nuk duhet të ketë vend në shoqëri, përfshi këtu edhe internetin”. Rregullat e Facebook ndalojnë gjuhën e kërcënimeve, ngacmimeve dhe presioneve, por shpesh ai është akuzuar për mos-zbatimin e këtyre rregullave.
Janë rregjistruar më shumë se sa një sulm në ditë kundër kampeve të refugjatëve në Gjermani
Shqetësimi për mënyrën se si racizmi dhe ksenofobia po shpërndahen përmes mediave sociale dhe Facebook, është rritur në Gjermani në mënyrë të veçantë pas disa incidenteve që ndodhën në fund të vitit të kaluar. Këtu përfshiheshin shfaqja e trekëmbëshave tallës në një protestë kundër emigrantëve, me pankarta që paraqisnin lakun e varjes për Angela Merkel dhe zëvendësin e saj. Një trekëmbësh tjetër u shfaq pranë një qendre emigrantësh.
Më shumë se sa një sulm në ditë kundër kampeve të refugjatëve është regjistruan qysh në verë, kur qeveria gjermane nisi të pranojë rreth 1 milion refugjatë në vend.
Provokimet ndaj refugjatëve janë “të tmerrshme dhe të papranueshme”
Josef Schuster, kreu i Këshillit Qendror të Hebrenjve (Central Council of Jews) në Gjermani, tha kohët e fundit se “provokimet ndaj refugjatëve kanë arritur në një nivel që është absolutisht i tmerrshëm dhe tërësisht i papranueshëm.”
Në fokus të kriticizmit ka qenë në mënyrë të veçantë Facebook. Prokororët në Hamburg po hetojnë Facebook për dështimin e tij në heqjen e postimeve ksenofobike.
Google, Facebook dhe Twitter, në reagim ndaj akuzave se ato ishin shumë të ngadalta në kontrollin e përhapjes së gjuhës së urrejtjes dhe racizmit online, ranë dakort që të fshijnë komentet ekstremiste brenda 24 orëve. Këto tre kompani gjithashtu kanë premtuar se do ta bëjnë më të lehtë për publikun dhe grupet anti-raciste raportimin e gjuhës së urrejtjes.
Kur limitet e lirisë së shprehjes tejkalohen, përmbajtja duhet të fshihet nga rrjeti
Heiko Maas, ministri gjerman i drejtësisë e mbështeti këtë lëvizje: “Kur limitet e lirisë së shprehjes tejkalohen, kur kemi të bëjmë me qëndrime kriminale, rebelime dhe provokime që përbëjnë akte kërcënuese për njerëzit, atëhere përmbajtja duhet të fshihet nga rrjeti,” tha Maas. “Dhe nëse ne e pranojmë këtë si rregull, kjo duhet të ndodhë brenda 24 orëve”.
Mos është shumë vonë për të ndaluar gjuhën e urrejtjes online?
Ngjarjet e fundit në Këln, gjatë të cilave emigrantët fajësohen për sulme seksuale ndaj qindra grave në prag të Vitit të Ri, nxitën një valë të re të postimeve raciste të dhunshme në mediat sociale. Lëvizja e Facebook është mirëpritur, por ka edhe njerëz që mendojnë se mund të jetë shumë vonë.
picture credit: Rrapo Zguri