Gazetarë apo?…

30 Nëntor , 2013 • Liria e medias • by

Vërejmë me shqetësim, zhvillimet e fundit në tregun mediatik dhe atë gazetaresk në Gjirokastër, ku ne si media që na vlerëson publiku i gjerë falë audiencës që kemi, po ndeshemi me një agresion nga një grusht gazetarësh përfaqësues të mediave qëndrore. Unë si pronar i Alpo Media ku përfshihet RTV ALPO, jam përpjekur të jem kontribues me të gjitha mënyrat, publikut tim të nderuar duke i shërbyer për 24 orë dhe gjithmonë kam qenë jam dhe do të jem, korrekt. Dua të përcaktoj disa pika të cilat kërkoj t’i bëj publike me gazetën tuaj të nderuar me një audiencë të gjerë lexueshmërie. Kam qenë i sulmuar nga qeveria e para 23 qershorit tërësisht për shkaqe politike, pasi linja ime editoriale në lajmet e medias time, binte ndesh me interesat e qeverisë së atëhershme. Jam sulmuar sistematikisht nga organet publike që kanë qenë nën kontrollin e rreptë partiak të ish qeverisë ndonëse aktiviteti im, ka qenë tërësisht konform rregullave dhe shtetit të së drejtës. Ndërprerja e energjisë elektrike dy muaj para zhvillimit të zgjedhjeve nga ana e përfaqëesuesve të PD në pikën e transmetimit, ishte kulmi i hakmarrjes nga ish partia në pushtet gjë që mua më shkaktoi dëme ekonomike si pasojë e mos mbulimit të transmetimit në Gjirokastër duke lënë kështu në mes, kontratat me bizneset reklamuese në median që unë kam.

Ky veprim abuziv në dëmin tim, u mbështet nga një grusht gazetarësh të lidhur me pushtetin e para 23 qershorit, por që përfaqësojnë media prestigjoze oponente me qeverinë si News 24, Vizion Plus, Top Channel, Ora News. Këta gazetarë, ende edhe sot e kësaj dite, bëhen promotorë të lëvizjeve ndaj medias sime duke aplikuar lloj-lloj mënyrash intrigante. Konkretisht, duke qenë se kanë për pasuri, abuzivizmin, inercinë për të sulmuar, xhelozinë, propagandën e gënjeshtër dhe intrigën, ky grusht gazetarësh, diktuan tre muaj më parë, zgjedhjet e Unionit të Gazetarëve duke krijuar një union tërësisht për interesat e tyre dhe jo të të gjithë gazetarëve. Në zgjedhjet e Unionit të Gazetarëve të Gjirokastrës të zhvilluar në korrik të këtij viti, me prezencën edhe të kreut qëndror Aleksandër Cipa, janë përjashtuar nga votimi, më shumë se gjysma e anëtarëve të këtij unioni, mes të cilëve edhe krejt stafi i gazetarëve të medias sime, duke shkelur haptazi, parimin e zgjedhjes dhe të drejtës për t’u zgjedhur e cilësuar në nenet e statutit të Unionit të Gazetarëve. Nuk u la konkurrenca e lirë por u diktua vetëm një kandidat për kryetar të unionit, i cili është në konflikt të hapur interesi, pasi ka qenë pjesë dhe është ende pjesë e administratës publike dhe mban një post drejtues në një parti pjesë e koalicionit humbës në 23 qershor. Duke ardhur tek zhvillimet e ditëve të fundit, vërrej se ky grusht gazetarësh, po sulmon sistematikisht dhe nuk lejon në aktivitete të ndryshme publike, prezencën e gazetarëve dhe operatorëve të medias sime duke i sulmuar fizikisht dhe verbalisht cka është e papranueshme dhe kundër parimeve të barazisë dhe raportimit mediatik. Shumë herë Unioni i Gazetarëve të Gjirokastrës, ka dalë hapur në mbrojtje të abuzivizmit mediatik dhe kundër interesave të vetë gazetarëve dhe medias pa asnjë bazë ligjore dhe tërësisht me deklarata arrogante. Provokimet ndaj meje personalisht dhe ndaj medias sime, janë bërë të përditshme ndërkohë që unë nuk kam rënë pre e tyre. Kërkoj nga gazeta juaj, që ky shqetësim të përcillet për lexuesit e Gjirokastrës dhe mbarë Shqipërisë, për t’u njohuir me “cudirat” e një grushti gazetarësh në Gjirokastër që dalin mbi shumicën duke abuzuar jo thjesht me detyrën e tyre, por edhe me stacionet që ata përfaqësojnë.

*Autori është pronar i AlpoMedia. Gjirokastër. Shkrimi është botuar në gazetën Dita, date 24 nentor 2013.

Print Friendly, PDF & Email

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Send this to friend