EJO fiton Çmimin për kontribut në kulturën gazetareske europiane

18 Qershor , 2019 • Kryesoret, Marrëdhëniet Publike, Media dhe Politika, Shkrimet më të fundit • by

EJO fiton Çmimin, së bashku me blogerin e burgosur saudit Raif Badawi, i cili përfaqësohej në ceremoni nga bashkëshortja e vet Ensaf Haidar (e katërta nga e djathta). EJO përfaqësohej nga drejtorja Susanne Fengler (e treta nga e majta). Në ceremoni ishte i pranishëm edhe vetë Günter Wallraff (i treti nga e djadhta)

Observatori Europian i Gazetarisë fiton Çmimin Günter Wallraff 2019.

Observatorit Europian të Gazetarisë (EJO) iu akordua në 14 qershor Çmimi Günter Wallraff për analizën kritike të gazetarisë. Çmimi u akordua nga Initiative Nachrichtenaufklärung (INA), një shoqatë gjermane e vëzhgimit të medias. Ceremonia u zhvillua gjatë Forumit të 5-të Kölner për Kritikën e Gazetarisë, organizuar nga INA së bashku me shërbimin publik kombëtar të radios Deutschlandfunk. Ky Çmim u iniciua dhe u dorëzua nga vetë Günter Wallraff, gazetari investigativ më i njohur në Gjermani.

Sipas jurisë së INA, EJO ka funksionuar si “një ndërfaqe mes kërkimit në media, komunikimit, gazetarisë dhe praktikës së medias”. Në dedikimin për Çmimin thuhej më tej: “Në këtë kohë pengesash për unitetin Europian, puna e EJO merr një rëndësi të madhe për gazetarinë cilësore dhe të pavarur. Duke nxjerrë në dritë kritikën konstruktive ndaj gazetarisë, EJO përbën një shembull të shkëlqyer të edukimit gazetaresk Europian dhe transatlantik.”

 “Një projekt i guximshëm”

Dedikimi për Çmimin u përcoll nga kryeredaktori i Deutschlandfunk Birgit Wentzien, i cili e vlerësoi EJO-n “si një projekt i guximshëm që krijon sferën publike europiane në fushën e medias”. Wentzien shtoi se EJO inkurajon redaksitë europiane të lajmeve që të trajtojnë mangësitë në një mënyrë auto-kritike dhe transparente.

EJO është themeluar në vitin 2004 nga Stephan Russ-Mohl, profesor i gazetarisë dhe i menaxhimit të mediave në Università della Svizzera italiana (USI) në Lugano. EJO u themelua si një qendër jo-fitimprurëse me bazë në USI dhe është zhvilluar në vite si një rrjet i decentralizuar i 13 institucioneve kërkimore për gazetarinë në Europë. EJO synon që të vendosë ura mes kërkimit dhe praktikës gazetareske si dhe të ofrojë një shqyrtim kritik ndaj medias europiane. Kjo merr një rëndësi të madhe sidomos në vende si Polonia apo Hungaria, ku media ka qenë nën një presion politik të vazhdueshëm gjatë viteve të fundit.

Çmimi është një vlerësim i çmuar sidomos për partnerët e EJO nga Europa Jugore, Qendrore dhe Lindore, të cilët punojnë pa u lodhur në interes të gazetarisë cilësore, të pavarur dhe transparente, e cila shpesh zhvillohet në kushte të vështira. Në Europën Jugore dhe Lindore, EJO është platforma e vetme që iu ofron praktikuesve të medias informacion rreth industrisë së medias dhe i inkurajon ata që të reflektojnë rreth gazetarisë, duke patur parasysh që në këtë fushë ka një boshllëk botimesh relevante të printuara apo online. Kjo bën që praktikuesit e medias të mos kenë akses në informacionin që iu nevojitet për t’i ndihmuar në reflektimin ndaj punës së tyre dhe për të përmirësuar standartet profesionale.

Çështje të debatueshme

Vlera monetare e Çmimit do të përdoret për ekipin e EJO për projektet kërkimore të përbashkëta. Gjatë projekteve të mëparshme janë studjuar në thellësi çështje të debatuara si raportimi nga mediat europiane  për krizën e refugjatëvezgjedhja e Donald Trump,   konflikti në Ukrainë dhe  Brexit.

Bashkë me EJO, mori Çmimin Günter Wallraff  edhe blogeri dhe aktivisti i të drejtave të njeriut nga Arabia Saudite Raif Badawi, i cili aktualisht po vuan një dënim prej dhjetë vitesh burg në këtë vend dhe u dënua gjithashtu edhe me 1000 goditje me  kamxhik si dhe me një gjobë të konsiderueshme. Çmimi u mor nga bashkëshortja e tij Ensaf Haider, e cila ka organizuar mjaft fushata për lirimin e Badawit. Në fjalën emocionuese me këtë rast, Günter Wallraff theksoi se sa e rëndësishme është që komuniteti ndërkombëtar të vijojë të ushtrojë presion ndaj qeverisë saudite.

Vlera monetare e Çmimit prej 10,000 Euro u ofrua nga Mediengruppe RTL, konsorciumi Rewe Group me bazë në Këln, klubi i futbollit Këln dhe vetë Günter Wallraff. Çmimi u nda në mënyrë të barabartë për të dy fituesit e tij.

Foto nga David Ertl (Deutschlandfunk)

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, , , , , , ,

Send this to a friend