Metamorfozat e medias

31 Janar , 2012 • Marrëdhëniet Publike • by

Libri studimor “Dinamikat e Komunikimit Masiv”, botuar së fundi nga UET-Press dhe përkthyer mjeshtërisht nga dy studiues të fushës së medias dhe komunikimit, Bashkim Gjergji dhe Rrapo Zguri, i përditëson studentët me zhvillimet më të fundit në botën mediatike që përfshijnë Facebook-un, Twitter-in dhe të tjera media sociale, modelet e reja të biznesit mediatik, lexuesit e librave e-Books, faqe me video online si YouTube etj…

Vepra “Dinamikat e Komunikimit Masiv” sjell për lexuesin, e veçanërisht studentët e Shkencave të Komunikimit dhe gazetarët e rinj, një hyrje të gjallë dhe objektive në komunikimin masiv, duke i përditësuar ata me zhvillimet më të fundit; duke nisur nga roli i madh që po fitojnë celularët dhe iPod-ët në masmedia, deri te ndikimi në rritje i blogjeve online në praktikën e gazetarisë.

Gazetat, revistat dhe librat i shfletojmë online, shohim dhe dëgjojmë video dhe audio në makina, në zyra, në shtëpi, në avionë apo  pista vrapimi, regjistrojmë video me telekomandë për ta ndjekur kur të duam programin e preferuar në TV, lajmet më të fundit mund t’i zgjedhim nga një duzinë burimesh duke përdorur motorin e kërkimit Google, shesim vetë në eBay dhe filmin më të fundit që transmetohet në kinema mund ta shkarkojmë dhe shohim ulur në kolltukun e shtëpisë në ekranin gjigant të TV…

Këto nuk janë më produkte hollivudiane të fantashkencës, porse realiteti më i ri  ku jetojmë, ai i epokës dixhitale. Gjithçka dhe gjithkund është motoja e re e medias dhe këtë rreket të shpjegojë profesori i Universitetit të Xhorxhias, Joseph R.Dominick, në librin e tij “Dinamikat e Komunikimit Masiv”- një botim i kolanës së librave studimorë të Shkencave Sociale, i përkthyer nga Bashkim Gjergji dhe Rrapo Zguri.

Ky libër i hedh një vështrim të kuptueshëm dhe të ekuilibruar botës në ndryshim të medias. I  përditëson studentët me zhvillimet në botën e medias, që përfshijnë Facebook-un, Twitter-in dhe të tjera media sociale, modelet e reja të biznesit mediatik, lexuesit e librave e-Books, faqe me video online si YouTube etj. “Unë mendoj se e kam parashikuar të ardhmen e medias masive. Së pari, ne do të jemi kudo. Argëtimi dhe informacioni do të na paraqiten në ato që industria i quan platforma të shumëfishta: ekrane të mëdha (TV shtëpiakë), kompjuterë dhe ekrane të vegjël (celularë dhe PDA). Gazetat dhe revistat do të jenë në Web dhe në celularë. Videot dhe audiot do të shihen në makina, në zyra, në shtëpi, në avionë dhe në pistat e vrapimit. Ne do të kemi gjithçka nën kontroll. Videoregjistruesit dixhitalë (TiVo) dhe videot me telekomandë na lejojnë të shohim TV kur të duam vetë (dhe nëse duam, mund t’i kalojmë reklamat). Përpunuesit e lajmeve, si Google, na lejojnë të zgjedhim një duzinë burimesh të ndryshme të lajmit. Ne mund të shesim vetë në eBay. Nuk doni të dilni jashtë shtëpisë për të parë një film? Shkarkojeni dhe shiheni kur të dëshironi. Ne po bëhemi pjesë e tyre”, shkruan në parathënien e librit  të tij profesor Dominick.

Tetë etapat në evolucionin e komunikimit njerëzor janë gjuha, shkrimi, shtypshkronja, telegrafi dhe telefoni, fotografia dhe filmi, radioja dhe televizioni, media dixhitale dhe media e lëvizshme. Ato kanë ndryshuar mënyrën sesi ruhej  apo transmetohej informacioni.  Nga  shtypi i shkruar, të gjitha kanë zgjeruar rrezen e komunikimit njerëzor duke bërë të mundur  shkëmbimin e informacioneve me njerëz në vende të tjera e kohë të ndryshme. Kjo arritje nxiti qëndrim më optimist  në lidhje me përfitimet sociale të medias. Telegrafi u pa si forcë e moralitetit, kuptimit dhe paqes. Radioja dhe televizioni u konsideruan si mënyra për të çuar edukimin, kulturën e lartë dhe përsosjen te masat. Televizioni kabllor u pa si formë e re zbavitjeje, si edhe për të hapur rrugën që TV të ndihmonte në procesin demokratik duke mundësuar numërimin elektronik të votave. Asnjë nga pritshmëritë duket se nuk u realizua. Megjithatë, interneti me aftësinë e vet për t’i lidhur  të gjithë me të gjithë, është propaganduar si revolucion në fushën e informacionit, që do të ndikojë shoqërinë po aq sa shtypi i shkruar.

Por, a është ky tranzicion i medias në dobi të komunikimit masiv?! Profesori amerikan parashikon se interneti do të vazhdojë të prishë gjithçka, duke nënkuptuar me gjithçka rolin dhe mjetet tradicionale të masmedias; me audiencën në rënie, avullimin e reklamave dhe rritjen e konkurrencës nga interneti. “Në të vërtetë, ky botim mund të titullohej edhe ‘Shkatërrimi i Komunikimit Masiv’. Gazetat dhe revistat do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të zbuluar modele të reja biznesi që përfshijnë web-in. Rrjetet televizive dhe kompanitë kinematografike do të përballen me konkurrencën e një grushti kanalesh që transmetojnë video. Reklamat do të vazhdojnë të shfaqet në internet, e po ashtu shumë nga aktivitetet kushtuar marrëdhënieve publike. Më në fund, e-Books, mund të rimodelojë industrinë e botimit. Kjo është gjithçka që unë mendoj se është duke ndodhur”, – përfundon ai.

I  ndarë në pesë pjesë kryesore, libri “Dinamikat e Komunikimit Masiv” është një rrugëtim i gjatë, që nis me shpjegimin e natyrës së komunikimit masiv, perspektivat e tij dhe rolin që ai ka në shoqëri; konteksti historik e kulturor, lindja dhe zhvillimi i medias nga gazeta, revista, librat, radioja, regjistrimi i  tingullit, filmat artistikë, televizioni, televizioni kabllor deri tek interneti dhe Web-i. Profesori i kushton një kapitull të zgjeruar profesioneve specifike në media dhe në marrëdhëniet me publikun; flet rreth reklamës dhe e mbyll librin me ligjet e medias masive, etikën dhe efektet që komunikimi masiv ka në shoqërinë e sotme.

Botuar më 23 Janar 2012 në gazetën „Mapo

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend