EJO vjen edhe në hungarisht

14 Qershor , 2019 • Kryesoret, Media dhe Politika, Shkrimet më të fundit • by

 

Lançimi i faqes së EJO në hungarisht, e çon në 15 numrin e gjuhëve të rrjetit të EJO

Faqja e EJO në Hungarisht bëhet nga sot pjesë e pandarë e websajteve të rrjetit të EJO.

Lançimi zyrtar i web-faqes së EJO në hungarisht ka qenë e pritur me padurim nga pjestarët e rrjetit, për shkak se zhvillimet në median hungareze kanë tërhequr një vëmendje shumë të madhe në vitet e fundit.

Situata aktuale politike në Hungari është reflektuar gjerësisht edhe në mjedisin e medias, duke bërë që profesionistët e gazetarisë, analistët e medias dhe studjuesit e gazetarisë në Europë dhe më tej të jenë thellësisht të interesuar për të qenë të informuar lidhur me gjendjen e mediave në këtë vend.

Kësisoj qëllimi i faqes në hungarisht është i dyfishtë: ta bëjë punën kërkimore rreth mediave europiane dhe globale të aksesueshme prej gazetarëve dhe studjuesve të medias në Hungari, dhe të hedhë dritë mbi median hungareze për ta ekspozuar tek një audiencë më e gjerë.

Duke qenë në një linjë me misionin e EJO, web-faqja në hungarisht do të informojë gazetarët hungarezë, akademikët e medias si dhe studentët për zhvillimet në median e vendit të tyre si dhe në median europiane. Nga ana tjetër, faqet e tjera të rrjetit të  EJO do të botojnë artikuj rreth medias hungareze në shumë gjuhë europiane.

EJO në hungarisht do të fokusohet në çështje të tilla si liria e medias, mediat e reja, ekonomia e mediave, politika e mediave dhe edukimi mediatik. Ajo do të shtrihet edhe në lloje më specifike të gazetarisë si gazetaria e të dhënave apo gazetaria bashkëpunuese.

EJO në hungarisht është themeluar nga Mérték Média Monitor, një OJF hungareze që merret me çështjet e politikave të medias dhe menaxhohet nga Departamenti i Komunikimit dhe i Studimeve për Median i Universitetit të Pécs-it

Drejtori i projektit është Dr Gábor Polyák, profesor i asociuar i Universitetit të Pécs-it dhe drejtues i Mértek Média Monitor. Dr Polyák është studjues dhe lektor në fushat e rregullimit të mediave, politikave të medias dhe ligjit për IT. Editore e EJO në hungarisht është Annamária Torbó, e cila aktualisht është asistente kërkuese në Departamentin e Komunikimit dhe Studimeve për Median të Universitetit të Pécs-it. Interesat e saj kërkimore përfshijnë prirjet e gazetarisë ndërkombëtare dhe aftësitë gazetareske që duhen për mediat e reja. Ajo po zhvillon doktoraturën e saj në fushën e kulturës popullore.

Gazetarja hungareze Kornélia R. Kiss, aktualisht bursante e EJO në Freie Universität Berlin, ka dhënë ndihmën e saj për lançimin e EJO në hungarisht, duke shkruar edhe për faqet e tjera të rrjetit të EJO rreth gjendjes së mediave hungareze apo duke përkthyer në hungarisht artikuj nga web-faqet e tjera të EJO.

Nëse doni të dini më shumë rreth EJO në hungarisht ju mund të kontaktoni editorin përmes e-mail-it.

 

Imazhi: Screenshot i faqes së EJO në hungarisht

 

Tags:, ,

Send this to a friend