Përhapja e internetit si një mjet komunikimi nga fundi i shekullit XX, ka ndryshuar shumëçka në jetën e njeriut. Interneti jo vetëm që ka ndryshuar në masë të madhe mënyrën e komunikimit mes njerëzve, por edhe e ka zëvendësuar atë me një formë të re, për formësimin e të cilës, me apo pa vetëdije, të gjithë ne kontribuojmë çdo ditë.
Shtimi i numrit të përdoruesve të internetit në një anë dhe lehtësitë që teknologjia ofron në komunikimin e përditshëm në anën tjetër, kanë detyruar median tradicionale që të ndryshojë shumëçka nga “të vërtetat e pandryshueshme” të deri para disa viteve. Në fakt, duhet pranuar se ndryshimi në masë të madhe në median tradicionale është një ndryshim i imponuar dhe jo një zgjedhje e tyre.
Avantazhet si shpejtësia në transmetimin e informacionit, ulja e kostove por edhe humbja e vazhdueshme e audiencës ndaj medias së re, ka detyruar median tradicionale të pranojë realitetin e ri dhe të mundohet të përshatetet me epokën e re, e cila në vendin tonë sapo ka nisur.
Interneti në Shqipëri aq sa është i vjetër, është edhe i ri. Pavarësisht që përdorimi i tij në institucionet shtetërore ka filluar që në fillim të viteve 90-të, bumin e vërtetë do t’a përjetonte vetëm pas 20 vitesh. Por edhe ky “bum” i sotëm i përdorimit të internetit në Shqipëri është shumë poshtë nivelit të përdorimit në vendet e tjera të rajonit. Megjithatë, edhe ky nivel penetrimi i internetit ka bërë që shumë gjëra të ndryshojnë.
Ky fillim i ndryshimit, solli në skenë edhe aktorë të ri në botën mediatike shqiptare. Pa patur nevojën e investimeve të mëdha të nevojshme për themelimin e mediave vizuale apo të shkruara, interneti hapi rrugën e një forme të re të gazetarisë, e cila ndërthur karakteristika të medias vizive dhe asaj të shkruar.
Ky sektor i ri brenda botës mediatike, me aftësinë e lartë konkuruese sidomos brenda audiencës 18-35 vjeç, ka tronditur mediat tradicionale duke i detyruar edhe ata të fillojnë të bëhen pjesë e ndryshimit që tashmë ka filluar.
Pikënisja
Rrugëtimi i pakthim i mediave tradicionale drejt internetit fillon në vitin 1995. Në fillim të këtij viti, disa prej gazetave amerikane si The Washington Times, New York Times, etj. filluan t’i publikonin në internet materialet e publikuara në gazetat e printuara. Në të njëjtin vit, në Evropë të njëjtën rrugë ndjekin edhe International Herald Tribune dhe Daily Mirror.
Në Shqipëri, kjo fazë e digjitalizimit të pjesshëm të mediave fillon pas vitit 2000. Ndër mediat e para që kishin faqet e tyre në internet rënditen Balkanweb, Top-Channel, Gazeta Korrieri, Gazeta Shekulli dhe Gazeta Koha Jonë. Por të gjithë këto faqe kryenin (dhe kryejnë akoma) funksionin e websajtit zyrtar të televizioneve apo gazetave dhe asnjëra prej tyre nuk ishte një media online e mirëfilltë.
Në vitin 2003, themelohet media e parë online shqiptare e cila do të quhet Portali Albeu.com, që filloi si një blog informativ pa qenë pjesë e ndonjë grupi mediatik apo vazhdimësi e një media tradicionale. Portali Albeu.com, pas një periudhe një vjeçare si blog, në vitin 2004 mori formën e një portali dhe që më vonë do të kthehej në një ndër portalet më të klikuara në gjuhën shqipe.
Dy vite më vonë, pikërisht në fillim të vitit 2006 themelohet gazeta e parë online në gjuhën shqipe Gazetastart.com ndërsa disa muaj më vonë edhe portali Telegrafi.com me qendër në Prishtinë.
Pas kësaj periudhe filloi edhe periudha e hapjes së një numri të madhë të faqeve informative, shumica prej të cilave u mbyllën pas një kohe jo shumë të gjatë. Edhe sot, trendi i hapjes së faqeve informative vazhdon me ritëm të lartë, por numri i të “mbijetuarve” pas 5-6 muaj funksionim është shumë i vogël.
Humbja e ekskluzivitetit të lajmit
Me shfaqjen e mediave online çështja e ekskluzivitetit të lajmit ka hapur një debat mes gazetarëve tradicionalistë dhe atyre që mbrojnë median e re. Ekspertët kanë mendime të ndryshme në lidhje me këtë, por pavarësisht mendimeve që mbrojnë palët, një gjë është e sigurtë: “De facto” nuk ka më ekskluzivitet dhe shumë gjëra tashmë kanë ndryshuar.
Për të ilustruar këtë çështje do merrja një shembull nga përditshmëria që ka të bëjë me mënyrën e re të komunikimit të politikanëve shqiptarë.
Nëse deri para pak kohësh, marrja e një deklarate, interviste apo prononcimi nga një politikan deri diku ishte mision i pamundur për mediat e reja por edhe për mediat jo afër tyre (politikanëve), sot mund të thuhet se të gjithë janë të barabartë në aksesin e këtyre informacioneve.
Nëse më parë, kryeministri ose lideri i opozitës do të jepte një intervistë, shanset më të mëdha ishin për 2-3 mediat kryesore. Të gjithë tjerët, dhjetëra televizione, gazeta, portale, radio, etj. ishin të detyruara më vonë të merrnin intervistën apo deklaratën nga media që kishte realizuar këtë intervistë. Edhe në rastet kur jepej një deklaratë për të gjitha mediat, shumica e mediave të reja por edhe mediave tradicionale më të vogla, nuk arrinin t’a ndiqnin deklaratën përmes gazetarëve prezent në konferencë.
Sot, kjo gjë është gati e kaluar. Duke analizuar 3 mujorin e fundit (Janar-Mars 2013), vërehet se në 90 për qind të rasteve, liderët politik kanë preferuar t’u drejtohen direkt qytetarëve përmes rrjeteve sociale, pa ndier nevojën e “një ndërmjetësi” për të përcjellë fjalët e tyre. Natyrisht, deklaratat e tyre arrijnë deri te çdo lexues përmes transmetimit në media të këtyre deklaratave të bëra në rrjetet sociale por ekskluziviteti i deklaratës në këtë rast nuk është më i askujt. Nuk është një televizion ose gazetë e madhe ajo që ka “pronësinë” e deklaratës dhe më pas të gjitha mediat tjera i referohen asaj. Ajo deklaratë u është servirur të gjithë njerëzve dhe mediave njëkohësisht, si televizioneve ashtu edhe gazetave, portaleve, radiove, blogjeve, etj dhe në këtë rast, ekskluziviteti i një deklarate të këtillë që dikur bënte ndryshimin kryesor mes “të mëdhenjve” dhe të tjerëve, nuk ekziston më. Të gjithë aktorët në tregun mediatik, janë në të njëjtën masë “pronarë” të atij lajmi.
Kjo strategji e re e komunikimit të politikanëve, në një anë ka zbehur ndikimin e mediave në elektorat duke i spostuar nga roli i transmestuesit ekskluziv të informacionit, ndërsa në anën tjetër ka rritur peshën e rrjeteve sociale dhe mediave online, të cilat tashmë futen të barabartë (nëse jo në avantazh) me mediat tradicionale në garën për transmetimin e informacionit.
Si menaxhohet lajmi në një portal?
Menaxhimi i lajmit në një portal është një proces sfidues dhe i komplikuar e që bëhet i tillë më shumë për shkak të presionit të kohës si dhe ekspozimit direkt ndaj kritikave të lexuesve. Meqë sfida kryesore në portale është koha, gazetari është i detyruar që sa më shpejtë të marrë informacionin, t’a verifikojë, t’a përpunojë, të gjejë foton përcjellëse të lajmit dhe më pas t’a publikojë versionin përfundimtar të lajmit.
Një avantazh i rëndësishëm në gazetarinë online është mundësia e përpunimit dhe përditësimit të vazhdueshëm të lajmit. Në këtë mënyrë, gazetari fillimisht mund të publikojë një version me pak informacione dhe më pas në varësi të informacioneve që vijnë, i njëjti lajm të përditësohet dhe pasurohet. Me këtë arrihen disa synime. E para, gazetari fiton në kohë dhe arrin t’a publikojë lajmin shumë shpejt ndërsa lexuesi po aq shpejtë merr informacionet bazë për një ngjarje. Me përditësimin e mëtejshëm, portali arrin t’a mbajë të lidhur lexuesin me ngjarjen në zhvillim ndërsa lexuesi arrin që vazhdimisht dhe në kohë reale të marrë informacione të reja. Kështu, edhe portali rrit audiencën por edhe lexuesi informohet shumë shpejtë.
Një avantazh tjetër në gazetarinë online është edhe eliminimi i mekanizmave të kontrollit dhe hallkave që duhet të kalojë një lajm deri sa të publikohet në një gazetë apo television. Këto hallka kontrolli, në të shumtën e rasteve shërbejnë edhe si filtra censurimi të lajmit. Në mediat online, struktura organizative eliminon disa hallka të këtij lloji duke e bërë më të thjeshtë dhe më të shkurtër procesin e publikimit të lajmit. Kjo edhe e ul mundësinë e kontrollit dhe censurimit së lajmit.
Ndryshe nga mënyra e funksionimit të mediave tradicionale, në mediat e reja lajmi është i ekspozuar direkt ndaj komenteve dhe kritikave. Publikimi i një lajmi ose opinioni në një portal dhe mundësia që ka lexuesi të ndërveprojë me të, duke komentuar apo duke e shpërndarë në rrjetet sociale, siç mund të ndihmojë pozitivisht në rritjen e imazhit të portalit dhe shpërndarjen e lajmit tek lexues të tjerë, mund të ketë edhe efekt të kundërt nëse i njëjti nuk pëlqehet dhe kritikohet nga lexuesi.
Kjo gjë, edhe pse në shikim të parë duket si gjë negative pasi bëhet objekt diskutimi dhe kritike negative, në fakt shërben si “hallkë kontrolli” në një portal. Ky ndërveprimi me lexuesin, i shërben portalit që të eliminojë gabimet e mundshme, por edhe është një lloj sondazhi se çfarë pëlqen dhe çfarë nuk pëlqen lexuesi. Marrja parasysh e këtyre kritikave dhe komenteve ndikon ndjeshëm në rritjen e cilësisë në një portal, ndryshe nga media tradicionale ku komunikimi me lexuesin është i njëanshëm dhe pothuajse nuk merret kurrëfarë reagimi (feedback-u).
Përfundim
Pavarësisht problemeve me të cilat ballafaqohet sot media e re, e ardhmja e saj është premtuese. Problemet me financimet e portaleve (të ardhurat e të cilëve mvaren në masën 100 për qind nga reklamat) duket sikur me kohë do të zgjidhen me shtimin e numrit të kompanive që reklamojnë në internet, dhe kjo përveç se do t’u sigurojë portaleve një të ardhme më të sigurtë, do të ndikojë ndjeshëm edhe në rritjen e cilësisë së këtyre mediave, duke e rritur kështu aftësinë konkurruese me median tradicionale, e cila çdo ditë e më shumë po humb terren.
Rritja çdo ditë e numrit të përdoruesve të internetit, përdorimi i internetit si mjet parësor informimi nga brezat e rinj si dhe kalimi në internet i një pjese të mirë të shërbimeve të kompanive dhe institucioneve shtetërore, vetëm se i hapin rrugë ngirtjes së mëtejme të portaleve dhe gazetave informative.