Deri kur të mos kemi treg të formalizuar me rregulla loje të ndershme dhe audiencë të matur shkencërisht, sponsorët ekonomikë, që duhet të jenë të vetmit financues të medias, do të zëvendësohen nga sponsorët politikë.
Rush Limbaugh është gazetar amerikan, që drejton prej vitesh një emision radiofonik qartësisht i rreshtuar në krahun e republikanëve. I përfshirë në debate dhe akuza të drejtpërdrejta edhe në të kaluarën, këtë herë Limbaugh u vu nën kërcënimin e mbylljes së emisionit për shkak të tërheqjes së pothuajse të gjithë sponsorëve nga emisioni i tij.
Javën e shkuar gazetari republikan sulmoi studenten Sandra Fluke me fjalën ‘slut’ prostitutë, vetëm sepse i kërkoi Kongresit amerikan që sigurimi shëndetësor i universitetit të saj të mbulonte shpenzimet për kontraceptivët e studenteve femra. Presidenti Obama telefonoi studenten ditën e incidentit që në Amerikë ka marrë përmasat e skandalit “Limbaugh” per ta inkurajuar në iniciativën e saj. Të nesërmen gazetari kërkoi ndjesë për gjuhën e përdorur, por gjesti nuk mjaftoi dhe kompanitë që reklamojnë gjatë emisionit të tij u tërhoqën.
Në gjuhën e një tregu mediatik me rregulla ky do të thotë falimentim dhe njëkohësisht vlerësim për vlerat dhe etikën në gazetari. Në Shqipëri tregu nuk tundet nga qëndrimet apo gjuha e drejtuesve televizivë ndaj politikanëve ose qytetarëve aktivë apo pasivë, pasi themelet e tij nuk janë ngritur mbi baza të shëndetshme profesionale, por mbi simpati personale në rastin më të mirë dhe varësisht nga rreshtimi politik në rastin më të keq. Deri kur të mos kemi treg të formalizuar me rregulla loje të ndershme dhe audiencë të matur shkencërisht sponsorët ekonomikë, që duhet të jenë të vetmit financues të medias, do të zëvendësohen nga sponsorët politikë. Dhe deri kur televizionet të sponsorizoheën nga politika nuk do të ketë falimentime, por konsolodim të informalizimit të tregut në Shqipëri. Kështu u intereson të gjithëve, sidomos politikës.
Kësisoj, gazetarët e emisioneve janë peng i udhëheqësve shpirtërorë të ekraneve ku shfaqen, që jo rrallë here koincidojnë me sponsorët e tyre në politikë. Në njërin debat nuk shkon PD, në tjetrin bojkoton PS e në një tjetër partisë nuk i pëlqen drejtuesi i debatit. Rezultati është i qartë, të djathtët me të vetët e të majtët me të tyret. Të vetmit që e pësojnë janë ata gazetarë të parreshtuar me asnjërin krah dhe qytetarët në shtëpi që u duhet të shohin panele të cunguara për shkak të qarkoreve politike.
Kurrë nuk e kam kuptuar se përse opozita e sotme bojkoton ekranin kombëtar ku shkojnë të djathtët dhe maxhoranca atë ku shkojnë të majtët. Kurrë nuk e kam kuptuar sesi një forcë politike në opozitë pandeh se ka luksin të mos shfrytëzojë qoftë edhe pak minuta televizive për të shpalosur idetë dhe alternativat e saj. Sikundër kurrë nuk e kam kuptuar se si një qeveri që trumbeton se është kampione e transparencës i jep të drejtën vetes të zgjedh ku preferon të dërgojë emisarët e saj. Tavolinat e informuara mediatike në Tiranë vecojnë për momentin përpjekjet e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili ka përqafuar një qasje të hapjes së tregut mediatik dhe komunikim me të gjithë protagonistët e ekranit. Një përpjekje kjo që nuk dihet se sa sukses do të ketë, por dihet që ka hasur në kundërshti dhe xhelozi të medha.
Në këto 20 vjet politika i ka ndarë gazetarët në grila llogoresh me të cilat bën politikë duke komanduar cilësinë dhe përbërjen e paneleve. Gazetarët, ata që janë në tavën e kompromiseve, kanë bërë ç’është e mundur ta ruajnë këtë ndarje me shpresën se dëmtojnë njëri tjetrin dhe fitojnë audiencë për të preferuarit e tyre politikë. Politikanët sillen si pronarë, ndërsa gazetarët kënaqen me rolin e titullarit në oborrin që i sponsorizon, në një marrëdhënie sa të pasinqertë, po aq edhe të pa moralshme.
Dhe po ju tregoj një sekret, në tavolinat e mirëinformuara mediatike të Tiranës që duket se përdoren nga politika, e dini c’mendojnë realisht për politikën…? Tallen me të. Si në një rreth vicioz dhe në një simbiozë ku jo gjithmonë ai që duket kalë, është vërtet kalë dhe jo gjithmonë ai që duket si kalorës, është vërtet sipër..
Botuar në revistën “Java”, datë 12 mars 2012
Shënim i redaksisë: Shkrimet e publikuara në këtë faqe shprehin mendimin personal të autorit dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e redaksisë së EJO në shqip