Vjen në rritje përdorimi i mesazherëve për lajmet

13 Shtator , 2018 • Mediat e Reja, Shkrimet më të fundit • by

Lajme të këqija për Facebook – por nuk është tamam ashtu.

Pak ditë më parë, një studim i ri i Pew Research Center zbuloi të dhëna që provojnë një eksod në rritje nga Facebook i të rinjve si dhe një zhgënjim në rritje i më të moshuarve prej kësaj platforme lider të mediave sociale. Sipas Pew 42 përqind e të intervistuarve në SHBA ishin shkëputur për disa javë ose më shumë nga Facebook gjatë vitit të kaluar. Një e katërta e të anketuarve deklaronte se e kishte fshirë aplikacionin e Facebook nga smartfoni i vet.

Një raport i ri i Reuters Institute for the Study of Journalism dhe Kantar Media provon këto të dhëna në një numër vendesh të tjera. Njerëzit në Brazil, Gjermani, Britani e Madhe dhe SHBA – zbulojnë autorët e studimit – po i largohen Facebook-ut për katër arsye: rënie e relevancës, ekspozim ndaj rreziqeve, mjedis i pakëndshëm dhe probleme me privacinë.

Lajme të këqija për Facebook? Jo dhe aq.

Teksa përdoruesit largohen nga gjigandi i mediave sociale, për ndarjen (share) dhe diskutimin e lajmeve po bëhen më relevante platforma të tjera të mediave sociale si aplikacionet e mesazherëve të çastit (instant messaging apps) e Instagram – dhe me Instagram, Facebook Messenger dhe WhatsApp, kompania kaliforniane ka pjesën e luanit në këtë treg.

Sipas raportit, përdoruesit preferojnë të përdorin aplikacionet e mesazherëve  për ndarjen dhe diskutimin e lajmeve sepse ato mund ta përcaktojnë audiencën në mënyrë shumë më preçize. Përdoruesit përmendin gjithashtu nivelin më të lartë të privacisë, sigurinë dhe menjëhershmërinë si arsyet pse ata preferojnë mesazherët përpara vetë Facebook-ut.

Gjithsesi autorët nënvizojnë se roli i Facebook është larg së qeni i përfunduar. Platforma shpesh është vendi ku lajmet zbulohen dhe më pas ndahen e diskutohen brenda mesazherëve. Një pjesë e të anketuarve i mirëprisnin përpjekjet e Facebook për të vënë rregull në News Feeds e sidomos për të rralluar reklamat, si dhe vlerësonin akoma rolin e platformës si një portal lajmesh.

Për botuesit këto zhvillime janë lëvizje brenda të njejtës “qese”..

Një nga sfidat e së ardhmes së afërt do të jetë lidhja me audiencat që bisedojnë në platforma të mbyllura, sidomos në WhatsApp dhe Facebook Messenger.

Siç shkruajnë dhe autorët, “reduktimi i lajmeve në Facebook nuk është zgjidhja. Njerëzit vijojnë të jenë të interesuar për lajmet dhe ata akoma e vlerësojnë Facebook si një mekanizëm për zbulimin e tyre. Ata po largohen drejt mesazherëve pjesërisht për të shmangur toksicitetin e debatit politik që ekziston në mjedise më të hapura. Ata gjithashtu preferojnë të ndajnë dhe të diskutojnë lajmet me miqtë e tyre realë. Kësisoj Facebook është zmadhuar, më shumë se sa është zëvendësuar nga aplikacionet e mesazherëve: lajmet shfaqen në Facebook dhe socializohen në WhatsApp.”

Tags:, ,

Send this to a friend