Ofruesit e lajmeve dixhitale në Poloni po eksperimentojnë me përmbajtje në video për të arritur audienca të reja dhe për të rritur të ardhurat nga reklamat. Disa organizata mediatike janë fokusuar në prodhimin e videove shumë të shkurtra me titra, për shpërndarje përmes platformave të mediave sociale. Të tjera kanë hapur kanalet e tyre dixhitale të televizionit, ose kanë filluar të prodhojnë përmbajtje për kanale partnere të televizionit.
Deri vonë, botuesit online, duke përfshirë katër portalet më të mëdha të lajmeve dixhitale të Polonisë: Onet, Wirtualna Polska (WP), Interia dhe Gazeta, në përmbajtjen e tyre janë mbështetur më shumë në tekstet e artikujve – në shumicën e rasteve bazuar në raportimin e gazetave dhe të agjencive të shtypit. Tani, në mënyrë që të konkurojnë me mediat tradicionale -shtypin dhe televizionin tokësor – dhe për të tërhequr audiencat, ato kanë punësuar gazetarë me profil të lartë nga mediat tradicionale (duke përfshirë disa emra të mirënjohur të televizionit publik polak) për të ndihmuar në zhvillimin e përmbajtjeve të tyre në një seri formatesh, duke përfshirë tekste, audio dhe video.
Robert Ploch, manaxher i komunikimeve tek Starcom Media House, një kompani komunikimesh të marketingut me bazë në Varshavë, thotë se botuesit dixhitalë janë të detyruar të përshtaten ndërkohë që tregu evoluon: “Botuesit kanë vënë re se rruga më e arsyeshme për arritur audienca të ndryshmë është të ofrojnë përmbajtje të larmishme”. Shumë organizata të lajmeve e konsiderojnë videon si mënyra më e mirë për të tërhequr audiencat më të reja. Ndryshe nga televizioni tradicional, videoja në përgjithësi i lejon shikuesit të shohin çfarë të duan, kudo dhe kurdo që duan.
Segmenti i videove online (dhe reklamat e videove) mund të jenë gjithashtu shumë fitimprurëse për industrinë e medias. Një raport nga Zenith, agjencia britanike e medias, zbulon se reklamat e videove online po rriten me 18 përqind çdo vit. Deri në vitin 2019, shpenzimet totale të këtij segmenti janë llogaritur të arrijnë 35.4 miliardë dollarë në të gjithë botën, duke lënë pas shpenzimet e reklamave të televizionit.
Hapja e një kanali televiziv dixhital
Në vitin 2015 WP lançoi kanalin e vet televiziv dixhital, WP TV, me programin e lajmeve #dziejesie (Çfarë po ndodh?) e prezantuar nga Maciej Orloz – një ish-spiker televiziv.
Programe të tjera në WP TV kanë zgjedhur si prezantues yje të shtypit dhe televizionit tradicional, në përgjithësi të punësuar me pagë të lartë. WP TV ndjek një model televizioni linear me një orar programesh strikt.
Prodhimi i përmbajtjeve në video për kanale partnere dixhitale
Një kompani tjetër e medias, Onet, që ka portalin më të madh të webit në Poloni, lançoi në vitin 2016 Onet TV. Ndryshe nga WP TV, Onet nuk ka kanalin e vet të televizionit, por prodhon programe video për Zoom TV, një tjetër kanal televizioni dixhital.
Onet prodhon përmbajtje të larmishme për platforma të ndryshme, duke përfshirë edhe kanalet video-on-demand (VOD) si dhe për mediat sociale. Programet më të njohura përfshijnë Onet Rano, një talk show i përditshëm, i cili është gjithashtu i disponueshëm në Facebook dhe në platformën VOD të Onet (VOD.pl).
Programet “serioze” të debatit politik rrallë jepen në Facebook, sepse në shumicën e rasteve këto programe janë tepër të komplikuara dhe kërkojnë të bëhen virale.
Për shembull, Onet Opinie (Onet Opinion) një program politik i prezantuar nga gazetari Andrzej Stankieëicz del vetëm në VOD.pl. Megjithatë, një program tjetër politik “Tomasz Lis na żywo” (Live me Tomasz Lis) i prezantuar nga Tomasz Lis, një gazetar i njohur dhe kontraversal, është i disponueshëm në Facebook dhe gjithashtu edhe në Periscope.
Prodhimi i videove të shkurtra për mediat sociale
Dy portale të tjera të lajmit dixhital, , Interia dhe Gazeta, zgjodhën një model biznesi më shumë konservativ. Në vend të lançonin kanalet e tyre televizive, ata janë fokusuar në prodhimin e videove të shkurtra, veçanërisht për platformat e mediave sociale. Këto video mund të jenë vetëm 30 sekonda dhe rrallë herë mund të jenë më të gjata se katër minuta. Në shumicën e rasteve ato kanë titra dhe janë të përcaktuara të jenë të lehta në përdorim për përdoruesit e celularëve të cilët mendohet se janë gjithmonë me nxitim e sipër. Përmbajtjet më të njohura të mediave sociale në Poloni përfshijnë ushqimet dhe gatimet, DYI, estetikën, si edhe disa lajme më të lehta.
Përmbajtjet e mediave sociale në përgjithësi postohen në Facebook, por botuesit janë të gatshëm të përdorin këtë platformë të medias sociale për të arritur të audiencat, kudo që të jenë. Ata i kontrollojnë, analizojnë dhe monitorojnë vazhdimisht preferencat e audiencave për të zbuluar se cilat platforma dhe formate janë më të mirat.
Interia dhe Gazeta i shohin zhvillimet e fundit tek Onet dhe WP TV me interes, por thonë se ata nuk kanë planifikuar të rivalizojnë modelet e tyre të biznesit. “Nuk kemi ndërmend t’i çojmë formatet e gjata të televizionit në internet”, thotë Pawel Stremski, drejtori i menaxhimit tek Gazeta.pl.
Stremski përmend eksperimentet me televizionin nga botuesit e lajmeve në SHBA, Huffington Post (HuffPost Live) dhe The Washington Post (PostTV), duke kujtuar se ata dështuan. “Përmbajtja jonë e videove është origjinale dhe e përshtatur për mediumin e ri”, thotë ai.
Televizion dixhital apo video sociale?
Shifrat e shikueshmërisë për WP TV dhe Zoom TV ende nuk i kanë plotësuar pritshmëritë.
Sipas menaxherëve, WP TV nuk ka gjasa të realizojë fitim deri në vitin 2018, për shkak të investimeve të hershme në prodhim videosh dhe të stafit të ri dhe me profil të lartë. Por edhe shifrat e shikueshmërisë gjithashtu kanë qënë zhgënjyese. Jacek Świderski, shefi ekzekutiv i WP, e pranon se “në television, ndryshimi i zakoneve të shikuesve kërkon më shumë kohë se sa parashikonim ne”. Tani, organizata po punëson staf të ri dhe po ndryshon oraret e saj.
Pasi lançoi vitin e kaluar ortakërinë e vet me Zoom TV, tani Onet, është fokusuar në zhvillimin e formatit të videos 360 gradë dhe në prodhimin e videove sociale. Prodhimi i përmbajtjeve për televizionin dixhital dhe për median sociale do t’i japë Onet-it një mundësi për të testuar suksesin e të dyja platformave me audiencat.
Interia dhe Gazeta kanë patur synime më modeste, por kanë luajtur më të sigurt, duke u lidhur me formatet e shkurtra të destinuara për mediat sociale.
Është ende herët për të thënë se cili nga eksperimentet do jetë më i suksesshmi, por në Poloni industria e medias po e ndjek gjithçka me shumë interes.
**********
Imazhi: screenshot Zoom TV
Tags:modele biznesi, Poloni, video dixhitale, video sociale, web TV