Nga Stephan Russ-Mohl.
Numri i përdoruesve të medias që konsumojnë lajmet drejtpërdrejt nga mediat sociale po rritet me shpejtësi: Sipas një studimi të ndërmarrë nga Pew Research Center nën drejtimin e Michael Bartel, aktualisht rreth 63 përqind e amerikanëve i marrin lajmet nga Facebook dhe Twitter. Dy vjet më parë, pjesa e Facebook ishte “vetëm” 47 përqind, kurse ajo e Twitter ishte 52 përqind.
Google mbetet gjithashtu një kolonë tjetër e fortë e biznesit përmes motorrit të kërkimit dhe akoma më drejtpërdrejt përmes ofruesit të lajmeve Google News.
Kompanitë e mëdha të mediave kanë reaguar ndaj këtij trendi. Disa prej tyre kanë filluar të shpërndajnë përmbajtjen e vet direkt në Facebook, të tjera kanë krijuar me Google-in “Inisiativën Dixhitale të Lajmeve” (Digital News Initiative). A është ky një pakt me djallin? Është herët të japësh një përgjigje përfundimtare por ravijëzimet e reja të shqetësimit në fytyrat e më të frikësuarve bëjnë që brenda natës gjithcka të duket edhe më e vjetër.
Natyrisht ekziston një rrezik i cili bën që dinozaurët “e pavarur” të botimit të gazetave, dikur të fortë e të paepur të përfundojnë në krahët apo kthetrat e “adoleshentëve gjigandë” (siç i quan Amazon, Facebook, Google e kompani, studjuesja e medias e Universitetit të Zyrihut, Natasha Just).
Sidoqoftë, ne tashmë e dimë se gjithsecili prej nesh që konsumon lajmet përmes rrjeteve sociale ndjehet si i mbledhur kutullaç brenda një fshikëze, duke përfunduar, me fjalë të tjera brenda të ashtuquajturës “filter bubble” – flluckë e filtruar. Për përdorues të tjerë, për shembull për miqtë e Facebook, janë algoritmet ato që vendosin se ç’pjesë të realitetit ata do të shohin. Në perspektivë afatgjatë algoritmet do të ndikojnë gjithashtu në faktin se cilat media do të vazhdojnë të jenë në vëmendjen e publikut dhe, në mënyrë të ngjashme, se si do të merren ato nga publiku i gjerë.
Pew Research Center ofron gjithashtu të dhëna të reja interesante lidhur me këtë çështje. Një grup studjuesish të drejtuar nga Amy Mitchell ka analizuar besueshmërinë e markave të mirënjohura të mediave në SHBA. Janë bërë matje për tre grup-mosha: “milenianët” (mosha 18 – 33 vjec), “Brezi X” (mosha 34 – 49) dhe “të rilindurit” (mosha mbi 50). Një nga rezultatet e para surprizë është se niveli i besueshmërisë është pothuajse i njëjtë tek të gjitha brezat. Më pak surprizues është fakti se sa e ulët është kjo besueshmëri.
Mes mediave që tek të tre brezat gëzojnë “më shumë besim se sa mosbesim” gjendet Google News, përkrah të dyshimtave të zakonshme (siç janë New York Times, Washington Post, rrjeti televiziv ABC, CBS, NBC, CNN dhe BBC). Përkundër këtyre, amerikanët e të treja grup-moshave nuk kanë fare besim tek Buzzfeed si dhe tek talk show i moderatorit të djathtë Rush Limbaugh. Mënyra se si u ndërtuan pyetjet kërkimore – të intervistuarit u pyetën nëse ata besonin apo nuk besonin në një media – bazohet në ligjësitë historike të kredibilitetit të gazetarisë, të krijuara pas dekadash shkatërrimi të besimit, që për fat të keq nuk ka ndodhur vetëm në anën tjetër të Atlantikut. Fatkeqësisht, mund të supozohet se humbja e besimit përkthehet gjithashtu edhe në humbje të dëshirës për të paguar për produktet e gazetarisë.
Si është e mundur qe një profesion – i cili për nga natyra e vet duhet të ngrejë antenat dhe të pikasë e t’i japë zë çdo prirjeje të re – të mos vërejë sinjalet paralajmëruese për një kohë kaq të gjatë? Ka ende gazetarë që duket se po e neglizhojnë faktin që shtëpia e tyre “po digjet”, pavarësisht nga stuhitë përbaltëse kundër mediave kryesore në internet dhe pavarësisht nga fakti që jo vetëm ndjekësit e Pegidas po thërrasin në rrugë “shtyp gënjeshtar”.
Zhytja kolektive e kokës në rërë si në rastin e strucit mund të afrojë shpjegimin e vetëm, i cili mbështetet edhe nga psikologjia sociale si dhe nga ekonomia e sjelljes: vetë gazetarët po jetojnë dhe veprojnë brenda një “filter bubble” – ndoshta për shkak se shumica e redaksive nuk raportojnë për situatën e medias dhe të gazetarisë dhe për shkak se shumë gazetarë vazhdojnë të ushqejnë paragjykimet e tyre ndaj studjuesve të mbyllur në kullën e fildishtë.
Një version në gjermanisht i këtij shkrimi është botuar në Schweizer Journalist Nr. 8-9-2015. Autori Stephan Russ-Mohl po merret aktualisht me një studim të përbashkët me Stanford University të Kalifornisë, studim që mbështetet nga Stiftung Pressehauz NRZ.
Burimet
Michael Bartel et al. (2015): The Evolving Role of News on Twitter and Facebook, Pew Research Centre
http://www.journalism.org/2015/07/14/the-evolving-role-of-news-on-twitter-and-facebook/
Amy Mitchell et al. (2015): Millennials No Less Trusting (or Distrusting) of News
Sources, Pew Research Center
http://www.journalism.org/2015/07/14/the-evolving-role-of-news-on-twitter-and-facebook/
Eli Pariser (2011): The Filter Bubble. What the Internet is Hiding from You, New York: Penguin Press
Kreditet e fotos: Nikita Kashner, Flickr Creative Commons
Perktheu nga anglishtja: Rrapo Zguri
Tags:filter bubbles