Në sistemet demokratike media është një burim objektiv i informacionit që jo vetëm informon qytetarët rreth asaj që ndodh, por edhe i mbron ata nga abuzimet e pushtetit.
Por ndërsa media është një instrument i rëndësishëm i demokracisë, ky rol mund të përmbushet vetëm nëse gazetarët i raportojnë ngjarjet me objektivitet duke përcjellë faktet rreth çështjeve që shqetësojnë shoqërinë.
Shtypi dhe televizionet janë tashmë mjetet parësore të ndërmjetësimit—ato qëndrojnë mes botës dhe njerëzve, duke ju transmetuar këtyre të fundit atë ç’ka ata nuk mund ta shohin apo përjetojnë vetë.
Por në përmbushjen e këtij misioni media shqiptare ka krijuar një realitet mjaft shqetësues. Gjithnjë e më shumë media po përcjell ngjarjet e rënda që ndodhin në vend pas asnjë filtër dhe pa asnjë standard etik, duke ndikuar negativisht publikun, veçanërisht atë në moshë jo të matur i cili ka qasje të lehtë në media.
Marketingu është faktor i rëndësishëm në suksesin apo dështimin e medias, por prirja për të rritur lexueshmërinë apo shikueshmërinë me çdo kusht, po shkatërron profesionalizmin dhe etikën e medias.
Mungesa e profesionalizmit fillon që me titujt që përzgjidhen kinse sa më goditës për të ndezur kureshtjen. Pastaj vazhdojnë me raportimin që, përgjithësisht, dështon jo vetëm në cilësinë profesionale të gjuhës dhe teknikës së shkrimit, por mbi të gjitha me mungesën e etikës dhe të respektit për dinjitetin njerëzor.
Për ta ilustruar, mjafton ngjarja më e fundit kriminale në vend. “Xhaxhai pasi kishte vrarë nipin, shëtiste me kokën e prerë”— një ngjarje e tillë sigurisht që është tronditëse, por më e rëndë se vetë ngjarja është mënyra se si media e tejçoi lajmin, pa marrë parasysh ndikimin që mund të shkaktonin tek çdo dëgjues apo lexues, dhe mbi të gjitha tek familjarët e fëmijës viktimë.
Pa filtra dhe pa profesionalizëm u raportuan edhe dy ngjarje të tjera të dy ditëve të fundit, një Elbasan dhe tjetra në Dibër, ku përkatësisht “babai kreu marrëdhënie seksuale me të birin dhe bashkëshorten” dhe “babai kreu marrëdhënie seksuale me të bijën 15 vjeçare në pyll”. Të dy lajmet u transmetuan në media si lajme kryesore në mënyrë të pandërprerë, në çdo orar të ditës.
Sikur të mos mjaftonte kaq, ngjarja e Dibrës u përshkrua në hollësi duke bërë publik edhe identitetin e plotë të babait përdhunues, ç’ka identifikon lehtësisht viktimën minorene.
Kjo formë shpërfillëse ndaj viktimave dhe pa asnjë konsideratë për dinjitetin njerëzor po kthehet në një praktikë të zakonshme shumë shqetësuese.
Shpëtimi nga kjo gjendje mund të ishte punësimi pranë medias i punonjësve socialë apo psikologëve. Rëndësia e pranisë së tyre në media është e madhe pasi do të ndihmojë për të vlerësuar ndikimin e pritshëm mbi lexuesit apo shikuesit të lajmeve me ndjeshmëri të lartë dhe në përmirësimin e mënyrës së përcjelljes së tyre.
Për këtë qëllim është e rëndësishme që autoritetet përkatëse—Ministria e Inovacionit dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive—të gjejnë mënyrën më të përshtatshme për të bërë të mundur praninë e këtyre specialistëve pranë mediave.
Vetëm në këtë mënyrë do të shmangnim shndërrimin total të lajmeve në një paradë të kronikës së zezë.
Burimi: http://exit.al/2016/08/19/mediat-dhe-nevoja-per-punonjes-sociale/
Tags:mediat, psikologe, punonjes sociale