Nga Caroline Lees.
Raporti për Lajmin Dixhital i vitit 2016, i publikuar nga Reuters Institute for the Study of Journalism (Instituti Reuters për Studimin e Gazetarisë), është raporti më i plotë i kryer ndonjëherë dhe studimi më me autoritet në llojin e vet. Ai është bazuar në një anketim të 50 000 konsumatorëve të lajmeve online nga 26 vende.
Raporti zbulon se botuesit nga e gjithë bota po përballen me nivele të papara të paqëndrueshmërisë së modeleve të biznesit dhe formateve, me një kombinim në rritje të platformave sociale, me një zhvendosje drejt telefonisë celulare dhe rritje të refuzimit të konsumatorit për reklamimin online.1. Mediat sociale janë burim i rëndësishëm i lajmeve: Gjysma (51%) e të anketuarve thonë se ata i përdorin çdo javë mediat sociale si një burim lajmesh. Për rreth një të dhjetën (12%) mediat sociale janë burimi i tyre kryesor. Derimë tani, Facebook është rrjeti më i rëndësishëm për gjetjen, leximin/shikimin dhe shpërndarjen e lajmeve.
2.Mediat sociale janë të rëndësishme, sidomos për gratë (të cilat gjithashtu shkojnë rrallë direkt në një websajt apo aplikacion lajmesh) dhe për të rinjtë. Më shumë se një e katërta e moshave 18-24 vjeç (28%) thonë se mediat sociale janë burimi i tyre kryesor i lajmeve – duke kaluar për herë të parë edhe televizionin (24%).
3.Origjina e lajmeve shpesh nuk është e qartë: Në Britani dhe në Kanada, rritja e lajmeve që aksesohen dhe konsumohen gjithnjë e më shumë përmes rrjeteve sociale, portaleve dhe aplikacioneve të telefonit ka bërë që origjina e lajmeve të jetë qartësisht e dallueshme në më pak se gjysmën e rasteve. Në vende si Japonia dhe Koreja e Jugut, ku agregimi dhe shpërndarja e lajmeve është aktualisht më shumë e përhapur, origjina është e qartë në vetëm rreth një çerek të rasteve kur aksesohen nëpërmjet portaleve të lajmeve.
4.Lajmet e televizionit mbeten akoma më të rëndësishmet për grupmoshat e mëdha, por përdorimi i përgjithshëm vazhdon të bjerë, veçanërisht për buletineve e lajmeve me porosi si dhe tek grupmoshat e reja.
5.Përdorimi i smartphone për lajmet është rritur ndjeshëm, duke zënë gjysmën e kampionit global të të anketuarve (53%), ndërkohë që përdorimi i kompjuterit po bie, kurse rritja e tableteve është e pandjeshme.
6.Shumica e konsumatorëve janë ende ngurrues që të paguajnë për lajmet online, veçanërisht në botën anglisht-folëse (mesatarisht 9%) ku konkurenca është shumë e lartë, por në disa vende më të vogla, të kufizuara nga gjuha, njerëzit janë dy herë më shumë të prirur për të paguar.
7.Problemet e biznesit për botuesit janë përkeqësuar me rritjen e përdorimit të bllokuesve të reklamave (ad-blocking), që shkon midis 10% (Japoni) dhe 38% (Poloni), por këto shifra janë edhe më të larta tek grupmoshat nën 35 vjeç dhe tek përdoruesit më të shpeshtë të lajmeve. Pjesa më e madhe e atyre që kanë shkarkuar një bllokues lajmi, po e përdorin rregullisht atë, dhe ka shumë pak gjasa që ata të kthehen prapa.
8.Përdorimi i bllokuesve të reklamave po rritet tek smartphone: Aktualisht vetëm rreth 8% e përdoruesve të smartphone përdorin bllokues reklamash, por rreth një e treta e të anketuarve thonë se kanë ndërmend të shkarkojnë një bllokues në celular gjatë vitit të ardhshëm.
9.Shumica e konsumatorëve preferojnë më shumë lajmet në tekst se sa në video: Edhe pse botuesit dhe platformat teknologjike po i mbështesin fort videot e lajmeve online për arsye komerciale, nga anketimi provohet se shumica e konsumatorëve akoma po rezistojnë. Tre çereku i të anketuarve (78%) thonë se ata ende mbështeten në tekst. Arsyeja kryesore që njerëzit japin për mos-përdorimin e shpeshtë të videos është se ata mendojnë se leximi i lajmeve në tekst është më i shpejtë dhe më i përshtatshëm.
10.Besimi tek lajmet është më e larti në Finlandë (65%) dhe më e ulti në Greqi (20%). Pothuajse kudo, botuesit dhe gazetarët individualë besohen më pak se sa organizatat e lajmeve.
11.Algoritmet filtrojnë në masë lajmet: Në raport paraqitet shqetësimi se personalizimi i lajmeve si dhe selektimi gjithnjë e më i madh algoritmik i tyre do të thotë humbje e informacioneve më të rëndësishme apo e këndvështrimeve sfiduese. Ndërkohë verifikohet se grupmoshat e reja janë akomoduar me algoritmet më mirë se sa botuesit.
12.Platformat e reja dixhitale të lajmeve janë më pak të besueshme për lajmet serioze se sa platformat tradicionale: Kompanitë e mediave që e kanë bazuar të ardhmen e tyre tek shpërndarja siç është BuzzFeed po fitojnë terren në terma të shtrirjes. Por këto marka dhe platforma të reja përdoren më shumë si burime dytësore dhe për subjekte më të buta lajmesh. Përdorimi kryesor online mbetet tek markat që kanë një trashëgimi të fortë të lajmeve dhe që ia kanë dalë të krijojnë një reputacion me kalimin e kohës
Raporti për Lajmin Dixhital mund të shkarkohet falas ketu.
Tags:gjetjet, Raporti për Lajmin Dixhital 2016, Reuters Institute for the Study of Journalism