Pronari i një TV privat në Gjirokastër ka vendosur me cdo kusht të mbrojë ngrehinat e tij tërësisht të paligjshme duke sulmuar një grup gazetarësh që nuk e kanë mbështetur në këtë mision për shkaqe etike dhe profesionale. Për të bërë të qartë para opinionit publik motivin kryesor të këtyre sulmeve bëjmë me dije se të paktën 15 gazetarë dhe operatorë profesionistë objekt i sulmit të tij kanë punuar më parë për TV Alpo dhe janë shkarkuar, keqpaguar apo konfliktuar me këtë person. Dhjetëra të rinj të tjerë janë shfrytëzuar abuzivisht për muaj me rradhë pa u paguar dhe më pas janë hedhur në rrugë. Vetëm gjatë vitit 2013, 8 gazetarë dhe operatorë janë pezulluar nga puna , ndërsa nuk kishin kontrata që t’i mbronin dhe nuk figurojnë të siguruar askund.
Nëse do t’i referoheshim situatave më të fundit që motivuan mllefin dhe sulmet qesharake që ky person po ndërmerr ndaj gazetarëve ato lidhen me mospasqyrimin në media të protestës së familjes Petro për ndërprerjen sipas tyre të energjisë për TV Alpo. CEZ Shpërndarje konfirmoi dhe faktoi me dokumenta gjatë muajit qershor se energjia e konsumuar prej tij rezultonte e vjedhur prej një tjetër subjekti dhe se z. Petro i mungonte edhe kontrata me CEZ.
Pronari i TV Alpo zgjodhi të protestojë për këtë “padrejtësi” gjatë ditës ndërkombëtare të mediave, duke sfiduar të drejtën e gazetarëve që punojnë në të zezë për të protestuar. Seria e shpifjeve, përpjekjeve për të denigruar pa dallim shumicën e gazetarëve që punojnë në rajon vijoi duke përdorur median në pronësi të tij ku në të paktën 3 raste ka celur edicionet e lajmeve me kronika me përmbajtje fyese dhe shpifëse për gazetarët dhe Unionin e tyre të pavarur. Z.Petro në pozita inferioriteti të plotë është duke formuluar akuza të mjegullta dhe absurde për varësinë e gaztarëve të rajonit nga politika akuza që nuk i beson as vetë.
Z. Petro, pa asnjë lidhje profesionale me gazetarinë u orvat në mënyrë të dhunshme, të influencojë dhe të manipulojë zgjedhjet e Unionit të Gazetarëve. Z. Petro është përjashtuar nga procesi duke pasur konflikt të pastër interesi me të. Menjëherë pas kësaj ai i “etiketoi” zgjedhjet të manipuluara. Historia e mediave në Gjirokastër nuk njeh rast më ekstrem dhe më të shëmtuar të konfliktit fizik sesa ai i datës 20 Nëntor kur një koleg i yni është goditur prej vetë z. Petro në prani të familjes dhe fëmijëve të tij. Ky rast për dijeni të opinionit publik është në proces hetimi.
Megjithatë gazetarët e punësuar prej z. Petro janë objekt i depersonalizimit të përditshëm dhe gjenden plotësisht të pambrojtur përballë sulmeve të tij verbale. Edhe një herë i bëjmë thirrje organeve tatimore, dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive të marrin në shqyrtim shkeljet sistematike në dëm të figurës dhe personalitetit të gazetarëve.
Për dijeni të z. Petro, Unioni i Gazetarëve dhe dega e tij në Gjirokastër nuk është një strukturë në mbikqyrjen dhe kontrollin e pronarëve të mediave. Vendimet e tij, deklaratat apo qëndrimet publike merren unanimisht dhe pa përfillur vullnetin tuaj z.Petro. Një pjesë e mirë e të punësuarve tuaj janë anëtarë të Unionit dhe dëshirojmë t’i garantojmë se Unioni i Gazetarëve do të jetë insitucioni që do të adresojë shqetësimet e tyre dhe do të kërkojë kompesimin e dëmit moral dhe finaciar për të gjithë punonjësit e tregut të zit ë punës që ju keni krijuar dhe ushqyer prej vitesh. Së fundi pohojmë me përgjegjësi të plotë se ky njeri që nuk heziton të shkelë ligjin dhe të ngrejë biznesin e tij në dy godina pa leje, që abuzon hapur dhe nxjerr fitime me të drejtën e autorit, që përvetëson frytet e punës së papaguar të gazetarëve, që përdor median për të dizinformuar për qëllime personale, që kërcënon duke përmendur emra pushtetarësh dhe që arrin deri në dhunë fizike, do të përballet me drejtësinë. Unioni i Gazetarëve është duke grumbulluar të gjitha provat ligjore,dokumentare dhe materiale që do të dëshmojnë përgjegjësitë e tij.
Ky shkrim është botuar në gazetën Dita, datë 24 nëntor 2013. Autori është kryetar i Unionit te Gazetareve / Dega Gjirokaster – Replikë me shkrimin me titull “Gazetarë apo…” botuar më 24 nëntor në gazetën DITA