Degradimi i rolit të reporterit në median shqiptare

17 Mars , 2019 • Kryesoret, Profesionalizmi në media, Shkrimet më të fundit • by

Besueshmëri në rënie, integritet që gjithashtu vjen duke rënë, lidhje me biznesin dhe politikën etj. Këto janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballet media shqiptare sot, ndërkohë që mungesa e reporterëve profesionistë në media, në disa raste është një tjetër problem i kësaj të fundit.  Reporterët duket se vuajnë gjithashtu krizën, për vetë mënyrën se si media funksionon, për mënyrën se si trajtohen dhe vlerësohen. Shtrohet pyetja, cili është roli i reporterit në ditët e sotme dhe si ka ndryshuar ai ndër vite?!

Interneti, teknologjia dhe roli i reporterit

Zhvillimi i teknologjisë është gjithashtu diçka që ka ndikuar drejtpërdrejt në rolin e reporterit, në mënyrën se si lajmi shkon te publiku dhe në profesionalizmin e medias.

“Kriza” e reporterëve është në fakt një krizë që ka filluar prej vitesh, por që me kohën ngjan se është rënduar në disa drejtime të caktuara. Nëse dikur reporterët kryenin punë me normë për të mbushur faqet e gazetave, sot mund të themi se nuk ka reporterë të mirëfilltë, apo puna e tyre në një masë të madhe është e pavlerësuar dhe e fundit në radhën e hierarkisë së punëve në media, nëse mund të flasim për hierarki, gjë që përkthehet edhe në mungesë integriteti të reporterit. Kjo lidhet edhe me arsye si pagat e ulëta të gazetarëve apo mungesa e kontratave të punës dhe sigurimeve.

Në vend funksionojnë disa organizata, të cilat synojnë mbrojtjen e të drejtave dhe statusin e gazetarëve, ndërkohë që edhe institucione ndërkombëtare që operojnë në vend kanë marrë përsipër një mision të tillë. Një prej tyre është edhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, e cila mes të tjerash monitoron edhe funksionimin e pavarur dhe të qëndrueshëm të medias, por që për momentin u shpreh se nuk e kishte të mundur të prononcohej për TemA TV në lidhje me pozicionin e reporterëve sot në median shqiptare.

‘Rreziku’ i ‘gazetarisë qytetare’

Ndryshimi i tregut kudo në botë, ndërkohë ngjan se ka rritur kërkesën për ‘gazetarë multimedialë’, ndërsa nga ana tjetër duket se kemi një konsolidim të të ashtuquajturës gazetari qytetare, që ndikojnë në raport me rolin, që reporteri tradicionalisht është besuar se ka mbajtur.

Ritheksojmë se interneti dhe media online e kanë ndryshuar thelbësisht mënyrën e raportimit dhe të bërit gazetari. Krijimi i blogjeve, të cilëve publiku iu referohet jo rrallë, madje shpesh, më tepër edhe se sa medias tradicionale dëshmon për diçka të tillë. Por rritja e fuqisë së medias online, jo domosdoshmërisht përkthehet në raportim cilësor, edhe pse pushteti dhe politika ngjan se e ndiejnë peshën e saj. Gjykimi i mediave si kazan nga ana e kryeministri Edi Rama, për shumëkënd tregon pikërisht se media po kryen rolin e vet, ndërsa për të tjerë, fatkeqësisht tregon perceptimin negativ të krijuar për median.

Media përballë interesave politikë dhe ekonomikë

Një problem tjetër që vlen të nënvizohet është pikërisht raporti dhe lidhjet që krijojnë mediat dhe pronarët apo drejtuesit e tyre me politikën dhe interesat e ndryshme ekonomike, të cilat pastaj ndikojnë në cilësinë e lajmit dhe pozitën e reporterit.

Raportimi dhe gazetarët përballë vetes

Duket se kriza ka nxjerrë në pah edhe një problem tjetër, për të cilin fajtorë janë vetë gazetarët dhe që ka të bëjë me rënien e standardeve të profesionalizmit të tyre.  Por cilat janë “sakrificat”, që duhet të bëjë një reporter për punën e tij dhe si ka ndryshuar qasja e tyre ndaj kësaj pune ndër vite?!

Megjithatë, nuk mungojnë reporterët e rinj, të cilët janë të gatshëm të sakrifikojnë për profesionin e tyre…

Ndërkohë një tjetër model ofrojnë mediat e huaja dhe disa organizata që operojnë në Shqipëri e që lidhen me punën e reporterit.

Rruga drejt “shpëtimit”?

Por a mund të ketë ndonjë mënyrë për të përmirësuar situatën në median shqiptare dhe reporterët të arrijnë të vendosin integritetin dhe statusin e tyre?! Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, vëren se mbrojtja e të drejtave të gazetarëve mund të bëhet nëse gjendet një formë bashkëpunimi mes gjithë organizatave të medias.

Ndërkohë që media shqiptare përjeton ndryshime nga më të ndryshmet në formë dhe në cilësi, ajo që mund të themi është se roli i reporterit është në krizë dhe për këtë ndikojnë vetë mediat dhe pronarët e tyre me interesat ekonomike dhe politike, trajtimi ekonomik që u bëhet reporterëve dhe pasiguria sociale, por edhe kërkesat e ulëta profesionale që në disa raste vetë reporterët kanë ndaj vetes. Fakt është se media shqiptare është në krizë dhe pavarësisht se tituj mediash të ndryshme, kryesisht on-line, shtohen dita-ditës, të tjerë tituj mbyllen dhe ky fakt nuk hedh poshtë praninë e krizës së shtypit në vendin tone, por përkundrazi tregon se media është në një rrugëtim të vazhdueshëm dhe ende nuk ka gjetur identitetin e vet.

Burimi: http://www.respublica.al/2019/03/16/degradimi-i-rolit-t%C3%AB-reporterit-n%C3%AB-median-shqiptare

Tags:, ,

Send this to a friend