Media si karikaturë e fjalës së lirë

22 Janar , 2015 • Liria e medias • by

Media britanike nuk e shfaqi faqen e parë të “Charli Hebdo” në numrin e parë pas tragjedisë ku paraqitej profeti Muhamed! Gazetarët e raportuan gjerësisht këtë lajm, me pamje… nga shtypshkronja ku u shtyp tirazhi prej 5 milionë kopjesh, pamje nga kioskat e shitjes dhe radhët e gjata të lexuesve, por faqja e parë nuk u shfaq! Gazetarët përshkruan me fjalë në imtësi se çfarë kishte në faqen e parë dhe megjithëse karikatura në thelb nuk ishte agresive, por me tone pajtuese, redaktorët e panë të udhës të mos shfaqnin imazhin ku përshkruhej profeti! Është një vendim i përgjegjshëm i transmetuesit publik BBC, por edhe i medias private në Britaninë e Madhe! Nuk është vendim i marrë nga frika, por një kujdes i treguar për audiencën! Kujdes për të mos lënduar dhe provokuar!

Edhe on line në referencat historike, BBC paralajmëron që në krye përdoruesit se artikulli përmban imazh të shekullit 16 të profetit! Dyzet vjet më parë, revista “TIME” u kërkoi ndjesë lexuesve për botimin e imazhit të profetit Muhamed.

“Washington Post” dhe disa media on line botuan faqen e parë të “Charlie Hebdo”. Kryeredaktori i gazetës tha se është politikë e gazetës për të mos botuar materiale që synonin në mënyrë të qëllimshme për të ofenduar komunitete fetare, por sipas tij karikatura e fundit nuk futej në këtë kategori.

Në këtë fshat global, gjithnjë e më të lidhur fort pas internetit, ku vdekja e distancës i ka bërë njerëzit dhe shoqëritë më afër njëri-tjetrit, një botim lokal ka pasoja globale. Reagimet e pothuaj mbarë botës myslimane më 2005-n nga botimi i disa karikaturave fyese të profetit në Danimarkë nxorën në pah debatin për lirinë e medias si vlerë universale, por edhe përgjegjshmërinë për të mos provokuar…

Disa gazeta në Shqipëri zgjodhën të botojë karikaturën në faqet e brendshme! Në debatet për ngjarjen më se një herë u vu shenja e barazimit mes lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes! Liria e shprehjes e përfshin të drejtën për të ofenduar e provokuar, liria e medias jo domosdoshmërisht!

Ka një debat për botimin e imazhit të profetit. Ndalimi nuk gjendet në mënyrë të qartë në Kuran, por ndalimi vjen nga hadithet! Synimi ka qenë për të luftuar idolatrinë! Për shumicën e besimtarëve myslimanë imazhet apo statujat e profetëve janë të ndaluara sepse nxisin adhurimin ndaj idoleve!

Fondamentalistët e lirisë së shprehjes do të dëshironin të shihnin të kundërtën! Fyerja, lëndimi dhe provokimi në besimin fetar nuk është lakmus që dëshmon shkallën e lirisë së medias! Media ka një hapësirë të pafund që mund ta shfrytëzojë sa herë të dojë, sa të dojë dhe kur të dojë! Mund të shkruajë për liderë fetarë, mund të shkruajë për pushtetin e fesë, mund të shkruajë për afera korruptive në mejdanin e fesë, por nuk është e udhës të lëndojë dhe provokojë!

Liria e medias është derivat i lirisë së shprehjes dhe një media e përgjegjshme ka plot hapësirë lirie për të prekur të paprekshmit mbi tokë dhe nuk ka pse të kërkojë ekstremet “në qiell” për të dëshmuar guximin apo “profesionalizmin”!

Media për shkak të përgjegjësisë që ka ndaj publikut mund të mos shfrytëzojë gjithë hapësirën që i jep “liria e shprehjes” pikërisht për ta ndjerë veten më të lirë në ditën që do të ndodhet më keq! Shqipëria mburret me tolerancën dhe harmoninë fetare, por vëllazëria fetare, siç e cilësoi Papa Françesku, nuk është e dhënë njëherë e përgjithmonë! Për të duhet kujdesur. Në këtë kontekst, pyetjet: Çfarë fitojmë nga botimi…? Cili është interesi publik? A është liria e medias edhe licencë për të ofenduar dhe provokuar…? mund të sjellin përgjigje të ndryshme, por emëruesi i përbashkët është roli që kërkon media në një shoqëri demokratike!

Ka 1000 tema tabu që mund të shkruash dhe të bësh karikatura! 1000 tema të vlefshme për këdo! Tema me interes dhe interesante për publikun! Një gazetar publikisht thotë së fundmi se i di emrat e personaliteteve politike që kanë përfunduar në repartin e toksikologjisë për shkak të përdorimit të lëndëve narkotike, por nuk i bën publike&…! Jo për merakun se lëndon dikë, por për arsye të tjera… Të thuash “Je suiss Charlie” në këto kushte është më shumë se hipokrizi! Kur bërtet për lirinë për të lënduar një komunitet vetëm për një blasfemi, media e lirë karikaturizon vetveten! Shqipëria ka një pasuri në dorë, që si çdo pasuri kërkon mirëmbajtje dhe kujdes! Duke huazuar një proverb, harmoninë fetare nuk na e kanë lënë trashëgim të parët, por ua kemi borxh pasardhësve. Media ka mision historik për të mos mbetur borxhlinj!

 Botuar në gazetën Panorama, datë 18 janar 2015

Send this to a friend