Të krijosh profesionin tënd

15 Maj , 2013 • Mediat e Reja • by

Personalisht besoj dhe i mbaj afër njerëzit që investojnë për të ardhmen, është çështje energjie, e ndjej në lëkurë, me pëlqen kur të tjerë e dinë çfarë duan për veten. Nuk është kollaj të krijosh një hapësirë që pak kush e ka bërë më parë, të jesh kopja e vetvetes dhe e askujt tjetër në një ambient ku të gjithë duan të jenë ata që realisht nuk janë. Është e tepërt të analizoj shkaqet e hipokrizive sepse koha që kalojmë në këto ambiente, është e mjaftueshme për t’i lënë pas shpinës sapo kontaktet mbarojnë për t’u përqendruar tek ajo që realisht duam për veten dhe profesionin që bën për ne.

Gazetaria online është një hapësirë ku unë besova. Në fillim nuk më morën dhe aq seriozisht, gjithsesi as unë nuk i mora seriozisht të gjithë, po hajde flasim sot. Me kolegët e mi zhvillojmë sa e sa biseda interesante rreth evolimit që ka patur gazetaria vitet e fundit. Jemi të gjithë në po të njëjtin mendim, e ardhmja është online.
Me siguri po prisni të dini eksperiencën time, dmth pse dhe si e krijova profesionin tim. Përgjigja është kjo. Duke besuar në atë çfarë bëj dhe duke e marrë shumë seriozisht, nga mëngjesi deri në mbrëmje, biles nga pak dhe të shtunave e të dielave…mirë le ta themi dhe për pushime. Aty të rri ky profesionin çekiç mbi kokë.

Të krijoja këtë profesion ishte njësoj sikur të ndërmerrja një udhëtim në xhungël, pa udhërrëfyes. Harrojeni se dikush mund të marrë përsipër të bëje ciceronin këtej pari ku jam unë, apo andej pari ku jeni ju. As mos e prisni. Besoni në veten tuaj, apo siç i them shpesh herë, tek ajo çfarë ju kapin radarët dhe jini gati të mësoni e të kuptoni çdo gjë që ju duhet se është interesante dhe që bën për ju.

Tjetër? Ku ka gjë më të mirë dhe më të “frikshme” se t’ia fillosh nga A-ja ? Po po, nga A-ja. Ta ndërtosh veten. Të krijosh një opinion, një sti, të biesh e të ngrihesh, të krijosh besim dhe të ushqesh me shpresa. Të krijosh një hapësirë dhe ta mbrosh. Të rrish pranë njerëzve dhe të mësosh prej tyre, të jesh në lartësinë e situatave ndërsa ke mësuar të duash atë që bën dhe atë që je.
Sot ka shumë profesione të gatshme, që janë ‘ok’ për shumë njerëz, por ja që unë desha ta krijoja. Nuk e gjeja dot veten në shumë hapësira të tjera. Ishte njësoj si të vishja një palë këpucë me masë 36. Tmerr, durohen kur tjetri ka tjetër numër?

Unë kam bërë një zgjedhje që deri sot nuk jam penduar dhe e ndjej t’ua them dhe ju, apo më mirë atyre që janë le të themi në udhëkryq. Mos prit të jetë e lehtë, por bëj të pamundurën që t’ia arrish dhe nëse do të të duhet të ndërrosh rrugë, bëje, jeta ka dhe këto, por nëse po kërkon profesionin tënd, atëherë mësohu të jetosh dhe të transformohesh për atë që do, dhe jo sot për sot, por sot për…le të themi gjatë gjithë jetës.

Botuar në gazetën Tirana Observer, datë 15 maj 2013

Send this to a friend