Interneti, siç shprehet Eric Magner, “ka pushtuar me forcë përfytyrimin bashkëkohor shumë kohë përpara se të jetë një mjet ose një media gjithëpërfshirëse”(2010: 300). Potenciali i tij i madh e ka bërë atë të konsiderohet nga të gjithë ata që ëndërrojnë të ngrenë falë magjisë së një teknike të re, një Cyberie, “një fshat planetar” nëse i referohemi McLuhan (1967).
Me përdorimin e internetit është lehtësuar ndjeshëm kontakti midis njerëzve me ose pa anonimat, duke i dhënë fund hierarkisë shoqërore dhe ajo që është më e rëndësishmja, publiku ndjehet i çliruar nga një kulturë masash e simbolizuar prej televizionit (Adorno,1984). Jo pa arsye, sot interneti konsiderohet një media në kuptimin e ngushtë të fjalës, duke nënkuptuar një mbështetje teknike për komunikim. Potencialet e tij lidhen kryesisht me natyrën multimediale që bashkon tingullin, imazhin dhe tekstin (Couldry, 2013). Nga ky fakt, jo pa shkak disa specialistë të komunikimit e konsiderojnë internetin si një supermedia e vërtetë që po e dominon median tradicionale (Atton, 2001; Beer, 2008; Cabrera, 2009; Christakis, 2010).
Manual Castells, në lidhje me këto zhvillime shprehet: “… një shoqëri e re e bazuar mbi kapitalizmin e informacionit dhe mbi një kulturë të virtualitetit real është në lindje e sipër”(1998:35). Rënia e audiencës së kanaleve të mëdha mediatike dhe rritja e audiencës së kanaleve tematike duke iu përgjigjur automizimit të shoqërisë sa vjen dhe po rritin influencën në ç’mediatizimin e publikut (Kung, Picard, Towse, 2008). Format e shumta të informimit – diskutimeve narrative, teknike, intime, kritike etj, janë tashmë në kulmin e tyre falë aksesit në mjetet e reja të komunikimit (Herring, 2007; Baron, 2008; Nunziato 2009, etj).
Lajmi, në kushtet e zhvillimeve të tilla teknologjike, nuk përqendrohet më vetëm tek figura e gazetarit dhe në monopolin e tij për ta siguruar dhe transmetuar atë, por edhe tek publiku. Këto zhvillime, për Pablo Bozckowskin (2004) kanë nxjerrë në plan të parë çështjen e koordinimit midis protagonistëve të ndryshëm për të siguruar dhe transmetuar lajmin dhe autenticitetin e vetë lajmit. Ndryshe nga çfarë ndodhte më parë ku informacioni kishte të bënte vetëm me gazetarin, sot mundësinë për të aksesuar një informacion e kanë të gjithë. Në një farë mënyre është decentralizuar e drejta për të prodhuar dhe poseduar lajmin.
Teknologji të tilla si Twitter, Facebook, Youtube etj, kanë lehtësuar shkëmbimin në kohë reale të informacionit, por ajo që është më e rëndësishme, kanë pasuruar gjithnjë e më shumë mundësitë e komunikimit duke lejuar një numër të madh përdoruesish të komunikojnë njëkohësisht në kohë reale me njëri-tjetrin. Tashmë është bërë e zakonshme që njerëzit nëpërmjet këtyre instrumenteve komunikuese të shpërndajnë informacione, publikojnë ngjarje të ndryshme.
Studime në fushën e komunikimit tregojnë se gazetari profesionist, në kushtet e përdorimit masiv të rrjeteve sociale, e ndan pushtetin mbi lajmin me qytetarët e thjeshtë. Këta të fundit, falë medias sociale mund të vëzhgojnë, realizojnë, përzgjedhin, filtrojnë, shpërndajnë dhe interpretojnë lajmin njëlloj siç vepron një gazetar terreni. Kjo mundësi e re, e krijuar për qytetarët dhe e shfrytëzuar nga këta të fundit me qëllim luajtjen e një roli aktiv në proceset e mësipërme, e ka decentralizuar monopolin për të kapur lajmin, por në krahun tjetër ka shtruar nevojën për një rivlerësim të rolit të gazetarit.
Sot, të mbrosh tezën se pjesëtarët e një audience janë vetëm kontenierë të zbrazët që mbushen me lajme, është një thjeshtëzim i tepruar. Është e vërtetë që tradicionalisht, audiencat janë mbajtur jashtë procesit gazetaresk, që është përcaktuar si “përzgjedhës, shkrues, botues, pozicionues, projektues, përsëritës dhe transmetues i informacionit që shndërrohet në lajm. Mirëpo sot, në kontrast me nocionet e vjetra të spektatorit pasiv të mediave ndodh ndërveprimi mes audiencës dhe gazetarit bazuar në një model të ri rregullash që askush prej nesh nuk i kupton plotësisht (Bruns, 2008). Informacioni në mediumin e ri nuk është aspak linear, ai është i gjithëkahshëm, lëviz në një rrafsh horizontal dhe qarkullon si në një tavolinë të rrumbullakët, ku aktorët janë edhe dhënës, edhe marrës të mesazhit. Publiku është aktiv dhe i pranishëm në të dyja skenat: si në skenën e prodhimit të informacionit, ashtu edhe në atë të konsumimit të tij. Publiku, nga i përdorur prej medias, shndërrohet në një përdorues i medias.
Për këtë arsye, termi “audiencë” kur flitet për internetin shpesh zëvendësohet me “përdorues”. Duke qenë në statusin e ri të përdoruesit, publiku ka mundësinë të gjykojë, të zgjedhë, të ndërhyjë në një produkt informativ, të reagojë ndaj një mesazhi apo të ndërveprojë me të tjerët (Zguri, 2012). Mesazhet mund të përftohen, analizohen, agregohen duke plotësuar kontekstin e lajmit, dhe kjo përbën atë që quhet “ambient gazetaresk”.
Larmia e informacionit që qarkullon në Facebook dhe Twitter i shndërron ato në pjesë të ambientit mediatik kur përdoruesit e tij marrin fragmente të informacionit si nga media, ashtu dhe nga komunikimi i realizuar mes njëri-tjetrit. Natyrisht, jo gjithçka në Facebook dhe Twitter mund të konsiderohet gazetari, pasi ka mesazhe dhe komente për tema që lidhen me reagime spontane apo informacione që u interesojnë disa grupeve të kufizuara njerëzish. Por është i pamohueshëm fakti që këto dy instrumente komunikimi në jo pak raste janë kthyer në një platformë shumë të rëndësishme për njerëzit që raportojnë dhe komentojnë për ngjarje të një rëndësie të madhe, duke marrë pa dashje një pjesë të funksionit që ka gazetari profesionist. Sidomos vlera e tyre është e patjetërsueshme në vende ku liria e medias është problematike.
Komentimi i ngjarjeve në Lindjen e Mesme apo siç u etiketuan ndryshe Pranvera Arabe, shërbeu si test për të parë morinë e informacioneve që u shkëmbyen mes njerëzve. Fluksi i informacionit të konstatuar në ngjarjet e mësipërme dëshmoi shkallën e influencës, si dhe shtroi para specialistëve të komunikimit nevojën e një sistemi për të filtruar lajmin që të mund të konsiderohet një “lajm gazetaresk” në kushtet e një bombardimi informacioni.
Vite më përpara, një gjë e tillë ishte lehtësisht e mundur, pasi gazetari ishte mekanizmi i vetëm që filtronte, organizonte interpretonte informacionin dhe e shpërndante atë të sintetizuar ose të ambalazhuar për audiencën. Ndërsa sot, një gjë e tillë është e pamundur. Mijëra fragmente lajmi zhvillohen çdo ditë në Facebook dhe Twitter. Siç e shpreh me të drejtë David Weinberger (2012), Facebook dhe Twitter mundësojnë copëza të vogla informacioni që ndërlidhen lirshëm me njëri-tjetrin.
Ky realitet ka bërë të mundur që diferencat ndërmjet gazetarit dhe njeriut të zakonshëm të mos jenë shumë të qarta. Sot, falë teknologjisë, çdokush mund të filmojë apo të postojë një lajm dhe ta shpërndajë atë tek rrjeti social ku ai/ajo bën pjesë. Kjo gjë ka rritur shpejtësinë e shpërndarjes së lajmit, ka ulur ndjeshëm kostot, si dhe ka minimizuar mundësinë që lajmi të censurohet ose të filtrohet për llogari të pronarit të medias. Mirëpo, në të tilla kushte ku mjafton të kesh një aparat celular që mundëson filmim apo fotografimin e një ngjarjeje dhe internetin për ta shpërndarë atë në kohë reale, ngrihet pyetja e autenticitetit të lajmit dhe identifikimit të përgjegjësisë në rast të një manipulimi të mundshëm të lajmit apo respektimit të disa parimeve etike që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Më përpara kjo gjë ishte e zgjidhur nëpërmjet Kodit të Etikës që detyronte çdo gazetar t’u përmbahej disa kritereve objektive në transmetimin e një lajmi. Ndërsa sot, kjo situatë e re ka ngritur disa pikëpyetje përsa i përket aspektit etik, autenticitetit të lajmit dhe ajo që është më e rëndësishme, nivelit të përgjegjësisë për transmetimin e lajmit.
Një fenomen i tillë nuk ka arsye të mos prekë edhe kontekstin shqiptar. Me të drejtë, specialisti i medias Remzi Lani argumenton se sot, askush nuk mund t’i injorojë influencat e rrjeteve sociale. Të dhënat nga sociologjia e terrenit tregojnë se shkalla e përdoruesve të internetit në Shqipëri rritet çdo ditë, duke kapur shifrën 48 % të popullsisë. Njerëzit janë të pranishëm sidomos në Facebook, Twitter, Youtube etj, duke bashkëpunuar, krijuar rrjete sociale, postuar për ngjarje në lagjet e tyre apo më gjerë.
Publikimi i ngjarjeve të Gërdecit është ilustrues i argumentit të shprehur më sipër. Me anë të një filmimi me celular të momentit të shpërthimit të depove të demontimit të armëve në fshatin Gërdec u bë i mundur publikimi i ngjarjes më përpara se gazetarët e terrenit të shkonin në vendngjarje dhe të filmonin atë që po ndodhte atje. Në këtë rast, personi që realizoi filmimin u shndërrua në gazetar terreni. Më qartë akoma, fenomeni konstatohet tek protesta e të rinjve kundër armëve kimike në nëntor të 2013. Për herë të parë u vu re roli i gazetarisë qytetare. Në pak orë fluksi i publikimit të filmimeve live dhe fotove nga protesta u rrit së tepërmi. Në pak ditë u krijua hapësira virtuale, ku u publikuan të gjitha fotot dhe filmimet live të gazetarisë qytetare që vinin nga protesta. Një mori mesazhesh e thirrjesh për t’iu bashkuar aksionit qarkulluan në rrjet, duke zhvendosur publikun nga ekrani i televizionit, tek ekrani i kompjuterit apo telefonit celular. Gjithashtu, filmimi i uljes së avionit në Divjakë që dyshohet për një trafikim të mundshëm droge si dhe fotot të bëra nga persona të rastësishëm në vendngjarje, tregojnë për mundësinë e çdokujt për të marrë rolin e një gazetari në një moment të caktuar.
Zhvillime të tilla kanë nxitur specialistët e komunikimit të mendojnë mbi nevojën e ristrukturimit të statusit të gazetarit dhe gjetjes së mekanizmave të filtrimit të informacionit për të diferencuar lajmin e vërtetë nga ai fals, apo përmbajtjes së disa parimeve etike në kurriz të informacionit bruto të papërpunuar. Mirëpo, siç argumenton me të drejtë sociologu Giddens (1991), jetojmë në epokën e globalizmit dhe falë teknologjisë, kontrolli i riskut është i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Mbetet thjesht të mësohemi me zhvillimet e reja dhe media si dhe publiku të modifikohen me këto zhvillime.
Konkluzion
Në këtë artikull synuam të vëmë në dukje ekspansionin e përdorimit të teknologjisë së komunikimit dhe rrjedhojën e saj në drejtim të natyrës së lajmit. Ajo që vlen të nënvizohet është fakti se “ambienti i lajmit” ka ndryshuar dhe statusi i gazetarit gjithashtu. Media sociale ka mundësuar që publiku të jetë aktiv dhe i pranishëm si në prodhimin e informacionit, ashtu edhe në konsumimin e tij.
Në këto realitete të reja, audienca e lajmit nuk vepron për vetveten, por “vepron si rezultat i kumtimit të një lajmi” (McQuail 2000:67). Publiku është i pranishëm në lajm. Ky i fundit si marrës i informacionit, bëhet pjesë e konceptit të “ambientit të lajmit”, ndërsa lajmi që është i lirë në pikën e lëvrimit (ose konsumimit), është i disponueshëm sipas kërkesës dhe shumë shpesh bëhet pjesë e sfondit të jetës së njerëzve, ndërkohë që ata nuk janë të ndërgjegjshëm për këtë fakt. Këto zhvillime po manifestohen edhe në realitetin mediatik shqiptar, por me një ndryshim që, tek ne flitet pak për këto zhvillime.
*Analiza është shkruar enkas për debatin ‘Media për median’, nismë e Institutit Shqiptar të Medias.