Historiani izraelit Yuval Noah Harari, zotëron një dhunti të jashtëzakonshme për të zgjeruar fushën e tij të investigimit dhe analizës pa i mjegulluar temat e mbuluara, duke vendosur aty ku duhet pjesët e mozaikut të përbërë nga kutiza me origjinë të ndryshme: histori, biologji, neuroshkencë, teknologji…
Po cila është tema e mozaikut këtë herë? Subjekti kryesor, njeriu: nga vjen, dhe ku është duke shkuar. Dëshmi e aftësisë së tij përhapëse, eklektike dhe marramendëse është libri bestseller “Sapiens: Një histori e shkurtër e njerëzimit” që në 500 faqe tregon, përmes fazave evolucionare dhe zbulimeve teknologjike, një aventurë miliona-vjeçare: nga shfaqja e gjinisë Homo në Tokë dhe deri më sot, duke kaluar nëpër afirmimin e Homo Sapiens, falë fuqisë së tij të imagjinatës.
Me “Homo Deusin”, ai projektoi analizën mbi atë çka pritet të ndodhë në të ardhmen, midis ëndrrave dhe anktheve të një bote teknologjikisht të përparuar, ku mund të jetohet edhe pa faktorin njerëzor.
“Tek 21 leksionet për shekullin XXI”, ai trajton problemet më të ngutshme të aktualitetit, duke i vendosur ato në një këndvështrim historik, në mënyrë që të peshojë vlerën e tyre të brendshme: manipulimin e realitetit, bio-teknologjinë, privatësinë, diktaturën dixhitale, format e reja të censurës …
Harari, lajmet e rreme nuk janë një dukuri e re. Por sot rreziku prej tyre është më i madh. Përse?
Propaganda ka prodhuar gjithnjë lajme të rreme. Por dikur nuk ishte mundur siç ndodh sot, që të përhapeshin histori të rreme tek miliarda njerëz brenda 1 ore. Pra, rreziku real i gënjeshtrës, është më i madh se më parë. Dhe kjo edhe për shkak se lajmi i rremë e ka një synim të ri: kërkimin e vëmendjes njerëzore, që është beteja aktuale më e madhe, ku shumë njerëz janë të gatshëm të shfrytëzojnë “çelësat” emocionalë më të fortë: frikën dhe urrejtjen. Rreziku është shpërbërja e sferës publike, pamundësia jonë për të pasur komunikime normale.
Lajme false dhe identitete fiktive. Me rrjetet sociale, është e mundur të ndryshojmë. apo të fshehim identitetin tonë të vërtetë…
Identiteti i secilit prej nesh, ka shumë shkallë trillimi. Ka qenë përherë kështu. Ne e ndërtojmë historinë tonë individuale mbi bazën e fakteve autobiografike, por edhe elementeve të trilluar fetare dhe kulturore; librave apo filma të djeshëm.
Sot Facebook dhe Instagram; dhe rrjetet sociale në përgjithësi, i kanë bërë për herë të parë të dukshme proceset tona mendore: zgjedhja e kësaj apo asaj fotoje për të postuar, në mesin e 1 mijë të tjerave, është diçka që më parë ndodhte vetëm në mendjen tonë.
Tani këto procese mund të shihen edhe nga aktorë të jashtëm, por edhe autoritetet shtetërore që arrijnë të mësojnë atë që nuk mund ta nxirrnim nga ne, as torturat më mizore të Mesjetës. Dhe ne e bëjnë këtë gjë me pëlqimin tonë! Është shumë e rrezikshme, kur dikush ju njeh më mirë sesa ju veten. Përveç një rasti.
Cilit?
Atij të nënës tonë. Nënat kanë një pushtet të madh mbi fëmijët e tyre, pasi duan më të mirën për ta. Deri në adoleshencë, ato na njohin më mirë, sesa njohim ne veten. Por nëse tani në vend të nënës është qeveria, apo një parti që nuk mendon për të mirën tënde, dhe që nuk i intereson të rritesh por vetëm t’i përdorësh këto platforma, atëherë rreziku është mëse i qartë.
Ne jemi thuajse shumë pranë monitorimit të lëvizjeve të një individi për 24 orë të ditë-natës. Por revolucioni i vërtetë, është monitorimi përmes të dhënave biometrike, i asaj që ndodh me tensionin e gjakut, apo aktivitetin e trurit. Nuk është një trillim shkencor, pasi ne jemi duke zhvilluar sensorë, që e dinë se çfarë ndodh me zemrën dhe trurin tonë kur shohim televizor.
Vëllai i Madh i Oruellit. Ishte një distopi e regjimeve sovjetike, por që tani po triumfon në tregun dixhital të konsumatorëve…
Mendoni pak për Netflix, ai mund t’i mbledhë këto të dhëna për të matur angazhimin tuaj dhe të tjerëve me një personazh, dhe të ndryshojë peshën e tij në histori. Dhe kjo është në rregull. Por nëse dikush ka mundësi të studiojë mënyrën se si ju reagoni ndaj një politikani, nëse ju eksiton një skenë seksi ose dhune, atëherë gjërat nuk janë mirë.
Para disa kohësh shkova në një nga dyqanet e “Guçit” në Milano, në një dhomë të dizanjuar nga H-farm (një platformë dixhitale e inovacionit), ku një video të tregon foto dhe skena të çifteve që puthen, nëna me një djalë, dhe t’i ke sensorë që regjistrojnë kënaqësinë, sikletin ose empatinë ndaj atyre imazheve.
Unë pyes: nëse shihni një puthje mes dy burrave dhe nuk ju pëlqen, a mund të etiketoheni si homofob? Dhe nëse ju pëlqen, a jeni gay? Dhe nuk jam duke folur për një instrument të qeverisë kineze, por për një kompani mode! Tani le të imagjinojmë sikur jemi në Iran apo në Arabinë Saudite, ku ka një dënim ekstrem për homoseksualitetin. Unë shkoj në një shkollë ose në një kazermë dhe them: “Ok djema, shihni këtë ekran dhe vini në kokë këtë kaskën”.
Sërish Oruelli. Do të ketë policë të mendjes: A mos po ndërtojmë një makinë të së vërtetës?
Po, dhe shumë të avancuar bile. Sepse nuk na tregon nëse gënjejmë, por është në gjendje të shohë brenda nesh, dëshirat dhe frikërat tona. Kjo është baza e diktaturës më të madhe në histori, një pushtet që nuk e pati as Stalini dhe as Hitleri. Tani diktatura dixhitale mund të flasë nga njëra anë me propagandë, dhe nga ana tjetër të shtypë çdo individ që kundërshton sistemin.
Fantashkenca na e kishte paralajmëruar. Por disa makthe të djeshme, duken si ëndrrat e sotme…
Sot fantashkenca ka një problem të madh. Ajo po e ngatërron inteligjencën artificiale me vetëdijen, po i humanizon robotët. Dhe është një gjë e dëmshme, pasi sot fantashkenca është kanali përmes të cilit shumë njerëz mësojnë të rejat e teknologjisë.
Por është absurde të kesh frikë se robotët dhe kompjuterët do të fitojnë ndërgjegje, dhe do të rebelohen ndaj nesh, sepse problemi është i kundërt: ata do të na binden gjithnjë ne njerëzve, pa diskutuar, ndryshe nga ushtarët njerëz, që mund të demoralizohen apo dezertojnë. Rreziku i vërtetë është bindja e verbër e robotëve ndaj një partie politike apo ndaj një qeverie. Nuk ka asnjë rebelim. Do të ketë vetëm një elitë të vogël njerëzore me një pushtet të madh në duar.
Ju shkruani se algoritmet do të çojnë në një lloj vendimmarrjeje automatike, të de-humanizuar në sferën private dhe publike…
Do të kemi më pak kontroll mbi zgjedhjet që bëjmë në jetë, mbi atë që studiojmë, me njeriun që do të martohemi … ashtu siç sot një algoritëm na tregon se çfarë të shohim në televizor, apo se si të shkojmë në një vend të caktuar në qytet.
Vendimet e mëdha financiare, mund të merren në bazë të algoritmeve që dinë të bëjnë llogari shumë më të përpunuara sesa ato njerëzore, që zakonisht menaxhojnë maksimumi 3-4 faktorë. Një algoritëm mund të llogarisë mijëra faktorë, që peshojnë qoftë edhe vetëm zero pikë disa përqind, dhe i shpëtojnë kuptimit tonë.
Për t’ju dhënë një hipotekë, bankat do të konsultohen me algoritmin, që përpunon mijëra faktorë të rrezikut. Nëse ajo ju refuzon, nuk do t’ju japë një sqarim të qartë, por një dosje me dhjetëra fletë me llogaritjet e algoritmit. Vendimet mund të merren vetë.
E aplikuar tek politika, kjo panoramë bëhet shumë shqetësuese. A munden që algoritmet të rrezikojnë demokracinë?
Ky është një rrezik i madh. Në të shkuarën, dëgjoheshin arsyetimet e një oratori si Ciceroni, ose ndikoheshin nga propaganda për të zgjedhur nëse do të mbështesnin apo jo një luftë, dhe njerëzit fokusoheshin mbi pak tema aktuale. Sot opsionet më ekstreme, mund t’i nënshtrohen sërish gjykimit të logaritmeve.
Dhe kjo është diçka që tashmë po ndodh në ushtri, ku shpesh terroristët ekzekutohen me dron. Vendimi qoftë për të vrarë apo jo, nuk merret ende nga një algoritëm, por përcaktimi i të dyshuarit si një terrorist po. Të paktën në SHBA dhe Izrael, kjo bëhet përmes algoritmeve të bazuara në modelin e sjelljes së personit, që monitorohet mbi bazën e informacioneve të shkëmbyera dhe kontakteve të tij të dyshimta. Të dhëna të shumta, që njerëzit nuk mund t’i përpunojnë.
Ju jeni një fans i “Black Mirror”. Në një episod të serisë së parë, imagjinohet ekzistenca e robotëve të pajisur me inteligjencë artificiale, me të cilët është e mundur të kryhen marrëdhënie seksuale. Çfarë do të ndodhë me Homo sapiens, nëse njerëzit do të shkojnë vetëm me robotët?
Inteligjenca artificiale, nuk ka nevojë për forma njerëzore, siç e tregon qartë edhe filmi “Her” (Ajo). Filmat e tjerë gabojnë kur i antropomorfizojnë robotët. Makina që drejtohet vetë, nuk ka nevojë për ndihmën e shoferit. E vetmja fushë në të cilën është e rëndësishme forma njerëzore është ajo seksuale.
Por nuk do të zgjasë shumë. Pasi organi i vërtetë seksual i Homo sapiens është koka. Bioteknologjia do të lejojë një ndërveprim të thellë në nivelin e kënaqësisë me diçka që është jashtë nesh dhe që nuk ka formë njerëzore, me një lidhje bioteknologjike. Pornografia dhe industria e seksit, janë sektorët që do të përfitojnë më shumë nga ky progres, natyrisht pas sektorit ushtarak. Por kjo ka rreziqet e veta. Ka vende ku frekuentimi i faqeve pornografike monitorohet tashmë, duke prodhuar të dhëna që disa qeveri mund t’i përdorin për të shantazhuar ose ndëshkuar qytetarët.
Çfarë mjetesh kemi në dispozocion për ta shmangur këtë diktaturë dixhitale?
Progresi nuk mund të ndalet, por mund dhe duhet të ndryshojë drejtimin, në mënyrën se si e përdorim atë. Dhe kjo gjë po ndodh. Qeveritë liberale, kanë shmangur një kontroll mbi popullsinë, si ai që ekzistonte në regjimet totalitare në Bashkimin Sovjetik apo Gjermaninë naziste, që ishin rezultat i mjeteve të komunikimit masiv dhe infrastrukturave moderne, por ato nuk i shkatërruan ato mjete.
Ne duhet të punojmë në dy nivele. Si individë, duhet të zhvillojmë një vetëdije më të madhe mbi veten. Unë e bëj këtë gjë përmes meditimit:në këtë mënyrë ne zvogëlojmë hendekun midis asaj që ata dinë për ne, dhe asaj që dimë ne mbi veten.
Dhe pastaj duhet të kufizojmë fuqinë e shumëkombësheve dhe qeverive, me lëvizje dhe parti që e vendosin zhvillimin e teknologjive në krye të rendit të ditës, dhe që e ndihmojnë qytetarin të mbrohet nga depërtimet e tyre në jetën tonë. Kjo gjë nuk është fantashkencë, do të ndodhë. Dhe kjo është arsyeja pse kemi nevojë për një antivirus bioteknologjik.
Duke pasur parasysh dyshimet tuaja mbi mënyrën se si shoqëritë sociale dhe qeveritë mund t’i përdorin të dhënat tona, unë ju pyes:ju tremb më shumë një rikonfirmim në Shtëpinë e Bardhë i Trumpit, apo një fitore surprizë e Mark Zukerbergut?
Për momentin Zukerberg nuk përfaqëson askënd. Nëse ai do të zgjidhej nga shumica e votuesve, kjo do të ishte një histori tjetër. Megjithatë është një problem, që dikush që nuk është zgjedhur me vota ka kaq shumë pushtet. Në lidhje me Trumpin, unë nuk jam ekspert i ekonomisë, dhe nuk e di se si po qeveris ai, por kam frikë nga veprimet e tij në skenën globale, nga tërheqja nga bashkëpunimi global.
Nëse votuesit amerikanë do ta mbështesin këtë linjë, SHBA-ja do të hiqte dorë nga të qenit gardiania e botës, dhe kur kjo e fundit të ketë nevojë për një udhëheqës, kujt do t’i drejtohet? Trump ose Zuckerberg… Do të frikësohesha nëse do të më duhej të zgjidhja midis të dyve. Shpresoj që amerikanët të gjejnë një alternativë të tretë. / La Lettura – Bota.al
Burimi: https://www.kultplus.com/opinione/rreziku-qe-na-vjen-nga-lajmet-e-rreme-dhe-diktatura-dixhitale/