Përbaltësit dhe adhuruesit e gazetarëve

20 Mars , 2015 • Liria e medias • by

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka përzgjedhur Arbana Xharrën, kryeredaktoren e gazetës “Zëri” për ta vizatuar si një shembull suksesi të një gruaje nga Kosova, mes shembujve pozitivë të grave në botë. Po çfarë ka bërë Arbana?

Ky ishte një vit i keq i Kosovës, së paku në dy drejtime.

E para, ishte kriza e tejzgjatur qeveritare pas zgjedhjeve dhe krijimi i një qeverie, e cila nuk ngjalli shumë entuziasëm tek të rinjtë dhe së dyti, eksportimi i një sërë xhihadistësh trushpëlarë nga vendi që u çlirua prej SHBA dhe NATO, për të luftuar tashmë kundër vlerave të Perëndimit. Këto ishin dy lajme të këqija për Kosovën dhe sidomos për SHBA-në, që ishte sponsori kryesor i Kosovës.

Arbana Xharra është nga ajo racë gazetarësh në Kosovë, që u përball me këto dy të këqija.

Ajo është në një betejë të përditshme me korrupsionin, duke u përballur me të në gazetë dhe dyert e gjykatave, ndërkohë që së bashku me kolegët e saj të “Zërit” ka qenë radikale në qëndrimin pa asnjë kompromis, kundër grupeve ekstremiste të islamit që po përdhunojnë në Siri.

Është kjo asyeja që SHBA-të dhe sekretari Kerry, e shohin si një lajm pozitiv nga Kosova një gazetare, më shumë se sa qeverinë apo tendecat negative të shoqërisë së Kosovës.

Por, a mund t’ia dalin gazetarët në Kosovë të kthehen nga gazetarë, në misionarë?

Dje në mbrëmje më rastisi të isha në një tavolinë me dy zyrtarë të lartë suedezë që punojnë në Kosovë, njëri në NATO dhe tjetri në përfaqësinë diplomatike të Suedisë në Prishtinë.

Një nga pyetjet ngulmuese të tyre ishte nëse gazetarët në Kosovë mund t’ia dalin ta shkundin shoqërinë nga kjo gjendje apatie, depresioni dhe korrupsioni.

Nuk e dija lajmin për Arbanën, po i thashë se ndryshe nga Shqipëria, Kosova i ka disa gazetarë që janë të lirë të përballen me këto fenomene dhe e bëjnë, pavarësisht kufizimeve që prodhon shoqëria.

Por, problem është që nga gazetarët po kërkohet më shumë se sa nga ata, për të cilët qytetarët votojnë dhe paguhen me taksat e tyre. Në një shoqëri të varfër, të korruptuar dhe të pasigurtë, gazetarët nuk ndihen vetëm të rrezikuar fizikisht, por janë të destinuar të ndoten dhe moralisht në çdo moment.

Enver Robelli, një nga gazetarët me karrierën më të spikatur ndër gazetarët shqiptarë në shtypin perëndimor, i punësuar si redaktor i redaksisë së botës në një nga gazetat më të mëdha të Zvicrës, është aktiv në shtypin e Kosovës dhe po ashtu si Arbana, tepër kritik me qeverinë dhe politikanët në Kosovë.

Por jo më larg se një javë më parë, një nga emblemat e korrupsionit politik në Kosovë, Behxhet Pacolli, i cili është bërë i famshëm si biznesmen kur u akuzua si i lidhur me vajzën e Jelcinit në tenderin për rindërtimin e parlamentit rus dhe vazhdon të lavdërohet për lidhjet me sulltanin e Kazakistanit, gjeti mënyrën më vulgare të fyejë këtë gazetar, duke shpifur se dikur i ka kërkuar para.

E thotë këtë, jo vetëm pa asnjë fakt dhe rrethanë bindëse, por i sigurtë se kështu do të relativizojë kritikat e tij, që zënë fill prej kohës kur Pacolli hyri në politikë.

Gazetarë të tjerë kritikë në Kosovë dhe kur ngrejnë çështje të drejta dhe me interes publik, përbalten si të nxitur nga interesa të pronarëve të tyre. Madje guxohet deri në fyerje publike, siç ishin ato ndaj Berat Buzhalës dhe Margarita Kadriut, prej një kompanie biznesi në Kosovë, të cilët publikuan postera me pamje të një gomari dhe një lope duke u vënë si nofkë emrat e deformuar të gazetarëve.

E gjithë kjo është ilustrim i qartë i asaj, se në një shoqëri si Kosova, ku varfëria, korrupsioni dhe ekstremizmi janë elementë themelorë të shoqërisë, beteja e gazetarëve është e rrezikuar të viktimizohet nga këto të këqija.

Për këtë shkak, gazetaria në Kosovë, ashtu si dhe në Shqipëri, është më shumë se sa një profesion gazetari dhe një mision civil për të shkundur shoqërinë nga humnera ku rrezikon të bjerë.

Kosova nuk ia doli të prodhojë dot lajme të mira këtë vit, por fakti që sekretari i Shtetit, John Kerry, gjen si lajm pozitiv punën e një gazetareje si Arbana, është më shumë se lajm i mirë. Ajo është një shenjë se Kosova ka shpresë dhe se mund t’ia dalë të përballet me ata që duan të hedhin në erë investimin e Perëndimit për të.

Aty ku politika prodhon lajme të këqija dhe gazetarët kthehen në lajm pozitiv me punën e tyre, ka ende shpresë, se shoqëria nuk është dorëzuar. Gazetarët e mirë në Kosovë gjenden përditë përballë atyre që duan t’i bëjnë pis në punën e tyre, të atyre që duan t’i frikësojnë dhe t’i depresionalizojnë, duke i poshtëruar publikisht. Arbana është një prej tyre, e cila mes të tjerash ka vënë në pikëpyetje dhe integritetin fizik, përballë trushpëlarëve radikalë.

Por lajm i mirë sot, nuk janë ata që përbaltin dhe poshtërojnë gazetarët, por ata që i përzgjedhin për t’i lartësuar. Lajmi i mirë është se sekretari Kerry ka përzgjedhur mes baltës, poshtërimit dhe korrupsionit në Kosovë, më të rrezikuarën prej tyre, Arbanën, për ta paraqitur si model suksesi. Kaq majfton për të kuptuar kush është në anën e duhur.

Send this to a friend