Gazetaria life-style dhe shërbimet ndaj publikut

14 Janar , 2013 • Profesionalizmi në media • by

Gazetaria e tipit “life-style” (stil jetese ose gazetaria rozë) që nënkupton raportimin mbi tema të ndryshme si moda, fitnesi, udhetimet etj, është bërë mjaft prezente në njëzet vitet e fundit.Lajmet politike i interesojnë një grupi përherë e më të vogël njerëzish, ndërkohë që lajmet e kategorisë life-style ia kanë dalë të fitojnë publik të ri. Ndikim këtu kanë edhe sfidat e pashembullta teknologjike dhe financiare të mediave sot. Këto zhvillime mund të shihen si pozitive në lidhje me gazetarinë e tipit life-style, që ka potencial për ta popullarizuar informacionin.

Kjo lloj gazetarie është lënë deri tani në hije. Ne duam ta mbushim këtë boshllëk me anë të një studimi që analizon ndikimin e gazetarëve të life-style në mënyrën e konsumit si dhe të formësimit të identitetit të publikut. Grupi ynë kërkimor intervistoi 89 gazetarë të kësaj rubrike, prej të cilëve 64 nga Gjermania dhe 25 nga Australia në lidhje me synimet e tyre profesionale dhe perceptimin e rolit të tyre shoqëror. 13 nga gazetarët australianë punojnë në revista, 7 për gazetat, 3 për median online, 1 për radion dhe 1 për TV. Nga gazetarët gjermanë 46 punonin për revistat, 7 për gazetat, 3 për TV, 1 për radion dhe 7 për gazetarinë online.

Rezultatet tregojnë se gazetarët e rubrikës life-style e shohin publikun kryesisht si konsumator dhe përpiqen që të formësojnë identitetin e shoqërisë së sotme konsumatore. Ata prezantojnë artikuj të rinj konsumi që ndihmojnë për të ndjekur një stil të caktuar jetese dhe e bëjnë konsumatorin të ketë ide të reja.

Studiuesit kanë nxjerrë në pah një shumëllojshmëri perceptimesh për sa i përket rolit të gazetarit: Ndërsa disa syresh raportojnë informacione për ta zbavitur publikun dhe për ta çlodhur atë, të tjerët duan para së gjithash të përmbushin një funksion shërbimi dhe këshillimi për jetën e përditshme. Disa gazetarë përmes raportimit të tyre synojnë të jenë burim frymëzimi për publikun duke i përçuar atij informacione që ndikojnë në një perceptim më pozitiv të jetës.

Gazetarët e pyetur që punojnë për life-style e dinë se me anë të raportimit të tyre ofrojnë një produkt krejt të ndryshëm nga kolegët e rubrikave klasike mainstream. Megjithatë ata e përkufizojnë veten gazetarë, të cilët janë të shtrënguar të ndjekin parimet e përgjithshme të gazetarisë. Gazetarët që punojnë për life-style kanë ndjekur përgjithësisht studime në gazetari dhe kanë punuar fillimisht me lajmet, edhe pse sot tendenca e përgjithshme është gazetaria e specializuar.

Gazetarët klasikë që prodhojnë lajmin  dhe gazetarët e life-style kanë kësisoj një bazë të përbashkët, por këta të fundit janë më shumë të fiksuar në konsumin, vetëparaqitjen dhe formësimin e indentitetit të publikut.

 

Thomas Hanitzsch është Profesor i Asociuar në Institutin e Studimeve për Komunikimin dhe Kërkimin në Media të Universitetit të Mynihut në Gjermani.

 Folker Hanusch është studjues i gazetarisë, Lektor dhe drejtues i programit të Gazetarisë në Universitetin e Sunshine Coast, Australi. 

 

 

Tags:,

Send this to a friend