Si po ndodh “klonimi” i njeriut?

5 Mars , 2012 • Gazetaria e Medias, Media dhe Politika • by

Prirjet uniformizuese kanë një konvergjencë që çon drejt krijimit të klisheve të përbashkëta, drejt gjendjeve ndërgjegjësore kolektive, drejt një lloj “turmëzimi” të opinionit publik, drejt krijimit të zakoneve standarde në shije konsumimi, sjellje, tipe reagimesh sociale, drejt stereotipeve të përbashkëta në veshje, modë, sjellje, pra në një farë “klonizimi” të njeriut si pjesë e publikut.

1.      Etja për të komunikuar

Bota shqiptare, dihet, sidomos në fushën e komunikimit, i ka ndjekur proceset bashkëkohore me një zell të jashtëzakonshëm, me një interes të pashoq, masiv, biles, do të thosha edhe me një teprim paksa të veçantë.

Shoqëria shqiptare është e etur të komunikojë.

Jo vetëm sepse ajo vjen pas pesëdhjetë vitesh ndalimesh drastike dhe absurde lirie komunikimi, por edhe sepse sikurse thuhet nga Marshall Mac Luhan, një shoqëri që ka baza orale të fuqishme në kulturën e vet tradicionale, kalon si rregull më shpejt drejt multimediave sesa një shoqëri me tradita të kulturës së shkruar të gjata dhe të rrënjosura thellë. Ky është paradoksi i progresit. Dhe për më tepër, e përhapur në disa shtete të Ballkanit, një popullsi që flet një gjuhë të vetme amtare, e quan një avantazh të paparë komunikimin në Internet, dhe mbi të gjitha atë komunikim që ka prirjen të prodhojë jo hapësira fizike, por “jo – hapësirat”, “jo-vendet”, “jo- distancat”.

Komunikimi virtual në një farë mënyre e shpërbën distancën, vendin, hapësirën empirike tridimensionale.

Po kështu, një ndër tre shqiptarë të Shqipërisë ka lëvizur nga vendbanimi i tij përgjatë këtyre njëzet viteve, duke shkuar drejt zonave urbane ose jashtë shtetit. Familja është bërë e hapur, vendi i punës është larguar nga vendi i banimit, vendlindja dhe vendqendrimi poashtu janë larguar prej njeri tjetrit.

Atë që jeta e bën, komunikimi i kundërvihet, sikurse thoshte njëqind vjet më parë Frojdi, dhe tani ne konstatojmë që komunikimi ndëraktiv ka prirje t’i zhbëjë distancat, t’i afrojë njerëzit, por vetëm virtualisht.

Konvergjimi, integrimi, përqendrimi, sinkretizimi, sistemizimi i komunikimit, unifikimi i informacionit, mbivendosja e statuseve të komunikuesve, komunitarizimi i komunikimit,  duket sikur janë fjalë sinonime, por në detajet dhe hollësitë e tyre ato dallojnë fort prej njera tjetrës.

Marrja e tyre sikurse shenjojnë të njejtën gjë, do të ishte shenja e parë e një amatorizmi të përbuzur.

2.      Konvergimi i komunikimit

Zakonisht kur flitet për konvergimin e komunikimit nga disa autorë kihet parasysh media, por edhe strategjitë dhe teknikat e komunikimit. Në media, ky koncept është bërë shumë i përdorshëm me ardhjen e komunikimit në Internet dhe me zgjerimin dhe kualifikimin e tij përgjatë këtyre njëzet vitet e fundit. Veçanërisht kalimi në transmetimin numerik të mesazheve ku gjithçka ka në rrënjë logjikën binare 0-1 dhe shndërrohet në një matricë të pafundme përllogaritjesh dhe korrespondencash midis këtyre dy madhësive algjebrike që arrin të shprehë nuanca ngjyrash, tone zëri, releve formash, lidhjesh tekstuale, etj., dha gjithashtu gradualisht mundësinë që mediat klasike të kalojnë në transmetime on line. Veç kësaj dhe bashkë me të kenë mundësinë që nëpërmjet portaleve të tyre web të bëjnë të mundur konvergjimin e shtypit të shkruar, radios, televizionit brenda agjencive të përqendruara mediatike. Nuk konvergjojnë vetëm kanalet e transmetimit, por edhe format e gazetarisë sepse teksti i shkruar i nënshtrohet logjikave të ndërtimit të gjuhës – objekt dhe asaj të lojës me imazhet. Po kështu, koha, ritmi, nuancimi, thellimi i informacionit në çdo media bëhet në funksion të këtij konvergimi të pamatë që krijojnë kanalet e komunikimit në Internet.

Po transformohen statuset e komunikuesve, zanatet e gazetarisë, vetë publicistika, stilet dhe estetika e të shkruarit, po konvergojnë forma publicistike, po ribëhen lidhjet mes tregut dhe teknologjisë së mediave, format e financimit të këtyre të fundit, marrëdhëniet mes politikës dhe mediave, po ribëhet gjithçka në atë që quhet shoqëri e komunikimit.

Është një pistë që në fakt është hapur prej disa dekadash kur si pa u ndjerë nisi të përhapet gjithnjë e më fort, biles që nga fundi i viteve ’80, termi multimedia. Tjetër është origjina dhe tjetër nivelet ku logjika multimediale ka arritur. Kalimi nga transmetimi analogjik në atë numerik, vetë logjika numerike, si shtrat formal, abstrakt, sasior, kombinatorikë numrash, bëri të mundur që të bëhet edhe një hop më i madh në kuptimin e multimedias meqë brenda të njejtës gjuhë, të njejtit kod shprehës, dhe pastaj brenda të njejtit terminal mediatik që përdor klienti të bashkohen teksti, zëri, muzika, figura, duke bërë të mundur jo vetëm përmirësimin e cilësisë së informacionit, por edhe rritjen e pamatë të dendësisë së tij dhe shpejtësisë të transmetimit.

Duket sikur avancimi teknologjik e kondenson gjithnjë e më shumë informacionin në sipërfaqe të ngurta materiale, apo në hardware, gjithnjë e më të vogla dhe në software programimi gjithnjë e më operacionalë.

Procesi i konvergimit na shfaqet edhe si një stad i avancuar i sinkretizimit të mediave.

Shpesh thuhet se në media nuk ka progres, sikurse në art. Nuk ka histori. Si duhet kuptuar kjo gjë? Jo në mënyrë shabllone dhe në gradën e vet të parë të kuptimësisë, përkundrazi, sepse edhe media ka evoluimin e vet. Por, në një kuptim më të thellë.

Në kuptimin që ndërsa në formatin klasik të historisë një formë e re e zëvendëson dhe e eliminon një formë të vjetër ekzistence, duke sjellë përgjithësisht një performancë më të lartë, në zhvillimin e mediave dhe të teknologjive të informacionit masiv nuk ka ndodhur kështu. Së pari, format e vjetra të komunikimit rigjallërohen dhe rimerren nga format më bashkëkohore, dhe së dyti, këto forma bashkëkohore duke shpalosur veti dhe kapacitete performative më të mira sesa ato të mëparshmet, përsëri humbasin një seri aftësish që kanalet dhe teknologjitë e vjetra të komunikimit kanë pas zotëruar.

A nuk rigjallëron televizioni të shprehurit oral që ka qenë karakteristikë sunduese e shoqërive të vjetra orale? A nuk ka rifutur piktura forma shprehjeje, të cilat fotografia “objektive” qoftë edhe ajo numerike me një shkallë të lartë pixel dhe pra me një “high definition” të admirueshëm, nuk është në gjendje t’i japë? A nuk bëri televizioni që kinematografia të zhvillojë aspekte sociale lidhur me “sallat e errëta”, pra të mos zhduket? Mbi të gjitha ndodh edhe sinteza e kapaciteteve performative të mediave të ndryshme. Me Ipadin teknologjia a nuk bashkon në një terminal të vetëm telefoninë, informacionin masiv të marrë nga mediat klasike on line, komunikimin në distancë mes njerëzve, arkivimin dhe stokimin e informacionit të përditshëm, burotikën, komunikimin në Internet ?

Sipas formave teorike të ndryshme komunikimi i integruar në marketim ka zenë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në praktikën e përditshme duke nisur qysh nga vitet ’50 të shekullit të kaluar e këtej. Konvergim sipas “4P” apo sipas “4C” (që e zëvendëson çmimin me koston e produktit, vetë produktin e zëvendëson me konsumatorin, promocionin e zëvendëson me komunikimin interaktiv mes shitësit dhe blerësit dhe hapësirën fikse të tregut e zëvendëson me dërgimin e produktit atje ku e ka më të përshtatshme konsumatori), në çdo rast bën që marrëdhëniet publike të ndërmarrjeve dhe firmave, si edhe strategjitë e marketingut, të harmonizohen, bashkërendohen dhe ndërtohen brenda një pikësynimi të përbashkët. Përndryshe mund të ndodh mbingopja e audiencës me mesazhe apo edhe hyrja e teknikave të ndryshme në konflikt me njera tjetrën.

Në çdo rast, komunikimi sipas logjikës së marketimit të integruar kërkon që cilësia e produktit, çmimi i tij, tiparet e promocionit si marrëdhënie publike, çmime promocionale, reklamë, etj., dhe pastaj mënyra dhe vendi i shpërndarjes pra i tregtimit të përbëjnë një zinxhir të tërë hallkash ku mjafton që njera prej tyre të shprishet dhe komunikimi pengohet dhe humb krejt efikasitetin.

Ndonëse nuk kanë qenë pa lidhje edhe më parë, sot po bëhet gjithnjë e më qartë se marrëdhëniet publike, strategjitë dhe teknikat e marketingut, cilësia e informacionit masiv dhe funksionimi i mediave, janë pjesë e një sistemi të tërë komunikativ.

3.      Informacioni si sistem i mbyllur

Konvergjimi, integrimi, sintetizimi shprehen edhe në një prirje të sistemizimit, pra të krijimit të lidhjeve gjithnjë e më të fuqishme dhe të pandashme midis komunikimit dhe informacionit masiv. Është e pamundur sot të hamendëzohet që mediat e informacionit masiv të funksionojnë pa të ardhurat e publicitetit mediatik. Burimet më të rëndësishme të gazetarit po bëhen gjithnjë e më shumë zyrat e marrëdhënieve publike të agjencive ekonomike apo politike.

Kuptohet që kjo ndërvartësi sistemike nuk është gjithëmonë me kahje pozitive për informacionin masiv sepse shpesh informacioni masiv humbet objektivitetin nën presionin e fuqishëm degradues të zyrave agresive të marrëdhënieve publike të agjencive politike, apo nën presionin e pamoralshëm për publicitet të fshehur dhe të pavërtetë që mund të vijë nga zyrat e marketingut të firmave që blejnë hapësirë dhe kohë publicitare.

Sikurse shprehet aq saktë profesori i universitetit italian të Luganos, kolegu shumë i nderuar, Stefan Russ-Möhl, në librin e tij përkthyer në shqip së fundmi dhe të botuar në Tiranë, me titull Gazetaria, është mirë që zyrat e marrëdhënieve publike të sillen me mediat si “parazitët” me trupin e kafshës mbi të cilin jetojnë. Të ushqehen me të, por mos e “vrasin”, sepse duke e “vrarë” humbasin edhe mjedisin brenda të cilit ushqehen. Parazitët e marrëdhënieve publike, nëse i sëmurin mediat dhe i gjunjëzojnë, në fakt “vrasin” edhe mediat edhe veten e tyre. Besimi i publikut ndaj mediave bie përtokë, e bashkë me to zyrat parazite të informaciont masiv humbasin edhe mjetin e tyre më të fuqishëm për të bërë reklamë politike ose komerciale.

Gjithësesi procesi konvergues nuk rresht së marri forma gjithnjë e më të konklavitura.

Ai na shfaqet edhe si përqendrimi i mediave në duart e disa grupeve gjithnjë e më të fuqishme mediave apo kompanive të specilizuara në informacionin masiv, dhe për më tepër, përqendrimi i tyre si filiale të firmave multinacionale ose regjionale të financave, tregtisë, industrisë, etj.

Sa i dobishëm aq edhe i dëmshëm është ky proces që sado frenohet nga ligjëvënësi përsëri nuk arrin të pengohet dot. Ai është pozitiv sepse ka sjellë mbi të gjitha receta financiare për përmirësimin teknologjik të cilësisë së transmetimit të informacionit, biles edhe të ngjizjes së tij. Por, si i tillë, ai rrezikon edhe t’a zhbëjë kulturën e pluralizimit të informacionit, të hapësirave të lira të shprehjes, që karakterizojnë hapësirën publike në shoqëritë demokratike dhe të shtetit të së drejtës.

Megjithatë nuk mund të hyhet në hollësira. Trajtesat cilësore të këtij vëllimi nuk e kanë lënë pa i prekur me cilësi dhe thellësi këtë problematikë. Përqendrimi i mediave nga pikëpamja pronësore sigurisht mund t’a dëmtojë pluralizimin e informacionit masiv, por kjo nuk do të thotë se ligjet antikonkurrencë në fushën e pronësisë së mediave e sigurojnë automatikisht pluralizimin e mundësive të shprehjes dhe të vetë përmbajtjes së informacionit masiv.

Konkurrenca dhe pluralizimi i informacionit nuk janë aspak e njejta gjë.

Sikurse thekson studjuesi Pierre Bourdieu, edhe tregu i lirë i komunikimit, krejt duke respektuar lirinë e inciativës së sipërmarrjes në fushën e medias, mund të çojë drejt njehsimit dhe uniformimizimit të informacionit. Mjeti shpesh nuk çon në rezultatin për të cilin ai është konceptuar dhe shpresohet që do të jepte. Diversiteti i pronësisë mbi mediat, ligjet antipërqendrim, tregu i lirë i komunikimit, etj., të gjithë indikatorë të domosdoshëm për demokratizimin e informacionit, jo medoemos çojnë në pluralizimin e tij, në një pluralitet shprehjes, burimesh, përmbajtjesh informacioni.

Prirje kundërshtuese çojnë konsiderueshëm drejt pikërisht së kundërtës, uniformizimit të komunikimit. Lajmet që vijnë nga bota kane si rregull tre ose katër agjenci kryesore lajmesh dhe informacionesh. Në hapësirën publike lokale të çdo vendi, mediat kryesore, më të fusishmet, janë ato që imponojnë agjendën e komunikimit, që për shkak të konkurrencës duhet te ndiqet nga agjencitë e tjera më të dobëta të informacionit masiv. Burimi i lajmeve politike është në një masë të madhe zyra e shtypit e qeverisë, e disa institucioneve shtetërore apo e partive politike kryesore. E njejta frazë e një politikani, pa ndonjë kuptim të madh, rimerret nga qindra mjete informacioni dhe ripërtypet si slogan dhe klishe duke humbur mbase edhe kuptimin e vet parësor. Një pjese shumë e madhe e lajmeve zbritet drejtpërdrejt nga burime të njejta informimi në Internet. Marrëdhëniet e gazetarëve janë të tilla saqë ata shkëmbejnë me njeri tjetrin lajme, tema, probleme. Tematika e informacionit përqendrohet në pak qendra urbane dhe rreth pak institucioneve dhe emrave. Në mediat televizive grupi i njerzëve që bëjnë analiza, “intelektualët e mediave”, po reduktohet gjithnjë e më shumë, duke u numuruar tanimë me gishtat e njerës dorë. Televizioni në darkë bëhet në shumë raste instrumenti i burimit informativ për shtypin e ditës të së nesërmes. Nga një studim që është bërë mbi lajmet e faqes së parë të gazetave kryesore të përditshme në Tiranë, rezulton statistikisht se pjesa dërmuese e informacioneve përsëritet e njejtë nga një gazetë te tjetra. Por, nuk është një karakteristikë vetëm tek ne. Gjithandej vihet re e njejta prirje.

Mbi të gjitha, tensionet e sotme dhe konkurrenca e sotme tregtare bëhet gjithnjë e më shumë drejt strategjive që kërkojnë të ndërtojnë sisteme të integruara teknologjish informacioni dhe komunikimi midis burimeve mediatike të informacionit, hardware –ve, terminaleve të informacionit që përdor konsumatori dhe softeve në formën e gjuhëve të programimit, modele të interpretimit të informacionit, tipeve të logjicieleve, interfaqeve të komunikimit midis konsumatorit dhe vetë teknologjive të komunikimit. Cështje gjyqësore me përmasa ndërkombëtare kanë tronditur botën e tregut të komunikimit pikërisht përsa i përket strategjive të prodhimit të përmbajtjeve të informacionit për t’u lidhur me firmat e prodhimit të teknologjive të informacionit dhe me ato të prodhimit të terminaleve. Gjykime për shkelje të konkurrencës, aleanca të ndryshme midis firmave kinematografike, atyre të prodhimit të cd–romëve, të aparateve telefonike, të motorreve të kërkimit në Internet, etj., bëhen dhe zhbëhen në forma të buta, të padukshme, apo në formën e skandaleve.

E mbi gjitha, me anë të komunikimit në Internet ka një tentativë të konvergimit,  mbivendosjes të statuseve të komunikuesve, midis qytetarit dhe gazetarit, burimit të informacionit dhe audiencës, midis gazetarit dhe animatorit, politikanit dhe publicistit, ekspertit të komunikimit dhe pushtetarit, sado të ndarë të jenë këto statuse në vetvete.

Brenda, këtij procesi konvergimi, sintetizimi multimedial, sinkretizimi, integrimi, përqendrimi,  mbivendosjeje, uniformizimi, komunitarizimi, kryhet edhe procesi i kundërt që edhe ai merr forma të ndryshme. Studimet dhe refleksionet ne këtë vëllim kanë arritur t’a japin atë si një prirje e kundërt, por jo përjashtuese me të parën, komplementare me të parën.

Ndodh decentralizimi i komunikimit, si anë plotësuese e konvergjimit të tij.

Tani spektatori mund t’a ndërtojë vetë ai programacionin e informacioneve që merr nga mediat numerike. Seicili mund të ndërtojë faqen e vet facebook, apo të kthehet në një burim informacionesh për të tjerët, interaktiviteti midis individit që bën pjesë në audiencë dhe gazetarit jep mundësinë e një komunikimi më të specifikuar.

Por edhe në këte rast të fundit, gjendja është kontradiktore. Sidomos në komunikimin në Internet, edhe në rrjetet sociale, krijon grupe individësh, miqsh, fansash, të cilët pak a shumë kanë të njejtin orientim ideologjik, interesa sociale e kulturore, etj. Nga qindra mijë faqe face book individi nuk mund të zgjedhë veçse disa, së fundi, dy ose tre, për të qenë komunikues aktiv. Nuk është teknonologjia e Internetit që përcakton aftësitë komunikuese që realizohen atje, por mbi të gjitha kapacitetet konjitive psikologjike të njeriut. Studimet tregojnë që individi si pjesë e audiencës shkon drejt gazetës që përputhet me bindjet e saj politike, drejt televizionit që është më afër vlerave të tij shoqërore, drejt grupit të miqve që komunikojnë në Internet, me të cilët ndan pak a shumë të njejtat vlera. Hapësira e komunikimit fragmentarizohet, por kjo prirje nuk e pengon tjetrën, atë të komunitarizimit të dialogut, pra e mbylljes së individit ne rrethe të ngushta, të mbyllura, komunikimi. Komunitete jo vetëm militantësh, profesionale, interesash kulturore, por edhe ndjekësish liderësh, etj.

4.      Rreziku i “klonimit” të njeriut në një botë të  atomizuar

Gjithësesi grupet e komunikimit në Internet japin mundësinë e angazhimit të individëve në dialog e tematika shumë të veçanta dhe që jo medoemos rimerren nga mediat masive klasike. Por, edhe këtu rolin vendimtar e luajnë disa lidera komunikimi. Koha, vendi, ritmi, periudha e konsumimit të mesazheve mediatike në një masë të madhe zgjidhet poashtu lirshëm nga konsumatori. Transmetimi satelitor nëpërmjet televizionit numerik dhe platformave dixhitale i jep audiencës një pafundësi mundësish për të marrë informacion të larmishëm. Burimet e informacionit janë shtuar në mënyrë galopante. Por, edhe kjo prirje kundërshtuese, nuk është pa anët e veta negative. Ajo rrezikon të krijojë kaosin informativ, atë që quhet mbingopje e qytetarit me informacion, paverifikueshmërinë e informacionit dhe rrezikun e komunitarizimit të tij.

Asnjëherë bota nuk gjen dot një ekuilibër të qendrueshëm, edhe universi i mediave është gjithmonë në kërkim, me anët e veta kontradiktore.

Gjithësesi, prirjet uniformizuese janë shumë më të fuqishme sesa ato pluralizuese. Kjo ndodh përparadoksalisht pikërisht në një kohë kur individualiteti, të drejtat personale, uni, opinioni personal duket se janë ngritur në piedestal. Ndërkohë që prirjet uniformizuese kanë një konvergjencë që çon drejt krijimit të klisheve të përbashkëta, drejt gjendjeve ndërgjegjësore kolektive, drejt një lloj “turmëzimi” të opinionit publik, drejt krijimit të zakoneve standarde në shije konsumimi, sjellje, tipe reagimesh sociale, drejt stereotipeve të përbashkëta në veshje, modë, sjellje, pra ne një farë “klonizimi” të njeriut si pjesë e publikut.

Klonimi i njeriut po ndodh nëpërmjet komunikimi.

Kjo formon një nga paradokset e kohës sonë, e epokës sonë, ku nga njera anë teknologjia e informacionit jep mundësinë e personalizimit, deçentralizimit, shpërqendrimit të informacionit dhe komunikimit, ndërsa vetë komunikimi dhe qarkullimi efektiv i informacionit në shoqëri ndikohet fort nga proçeseve uniformizuese. Kjo vjen edhe nga fakti se ky qarkullim informacion realizohet shpesh si imitim sa kohë që asnjë individ i zakonshëm nuk është në gjendje të jetë i aftë për të gjykuar mbi gjithë informacionin e shumëllojshëm që ai merr brenda ditës : ngrohja globale, katastrofa bërthamore, rreziqe luftrash dhe kriza gjeopolitike, sëmundje të panjohura më parë, ndotja mjedisore, etj. Secili në pjesën më të gjerë të informacionit që merr ndjek për imitim dhe infektim, në mënyrë jokritike, dinamikat sunduese të opinionit.

 

Botuar në gazetën “Standard”, datë 25 shkurt 2012

Shënim i redaksisë: Shkrimet e publikuara në këtë faqe shprehin mendimin personal të autorit dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e redaksisë së EJO në shqip

 

 

Send this to a friend