Media në ndjekje të interesimit të publikut, por jo të interesit të publikut

1 Qershor , 2019 • Gazetaria e Medias, Kryesoret, Shkrimet më të fundit • by

E ekspozuar përballë një pafundësie të madhe informacioni dhe e bombarduar nga informacione me elemente sensacionale për dhunën apo aksidentet, shoqëria jonë çdo ditë e më shumë po bëhet më pak e ndjeshme ndaj fatkeqësive apo çfarëdo ngjarjeje, sado tragjike që mund të shfaqet ajo

Trendi pozitiv i zhvillimit të medieve online në Kosovë nuk po arrin të shkoqitet nga elementet që e dëmtojnë profesionalizmin e atyre medieve. Në krahasim me pesë apo gjashtë vjet më parë, gjithsesi se media online në Kosovë është zhvilluar pozitivisht, qoftë në menaxhim, në organizim apo në tematikat për të cilat informon.

Megjithatë, nuk është e rrallë kur disa medie online tejkalojnë kornizat profesionale dhe etike gazetareske, nganjëherë për shkak të ngarendjes për të publikuar lajmin e para, e nganjëherë edhe për shkak se lajmet e atilla tërheqin vëmendjen e publikut dhe rezultojnë me rritje të numrit të klikimeve të atij mediumi online.

Por, media nuk duhet të jetë në ndjekje të interesimit të publikut, por duhet të informojë në interes të publikut. Ky dallim shumë herë po ngatërrohet në mediet online dhe jo vetëm.

Kjo duhet të diskutohet nga komuniteti i gazetarëve dhe i studiuesve të medieve, ngase është e nevojshme që të respektohen standarde profesionale dhe etike, të cilat e bëjnë tejet të dukshme vijën që e ndan interesin publik me interesimin e publikut. Interesimi i publikut mund të jetë edhe për pamje të dhunshme apo pamje tjera të papërshtatshme, por kjo nuk nënkupton që media e ka mision t’i publikojë. Përkundrazi, media e ka mision t’i informojë për çështje që kanë interes publik.

E ekspozuar përballë një morie të madhe informacioni dhe e bombarduar nga informacione me elemente sensacionale për dhunën apo aksidentet, shoqëria jonë çdo ditë e më shumë po bëhet më pak e ndjeshme ndaj fatkeqësive apo çfarëdo ngjarjeje, sado tragjike që mund të shfaqet ajo. Pra, lind pyetja, sa ka nevojë publiku të ngarkohet me informacione të tilla? Media edhe mund të pretendojë se po realizon rolin e saj të informimit të publikut, mirëpo gjithnjë është më e rëndësishme kur media shfaq informacione që janë në interes të publikut.

Raportimi që shfaq detajet e një vrasjeje, vetëvrasjeje apo vdekjeje, të personave privatë apo përdor pamje të papërshtatshme dhe joetike, është në thelb, raportim sensacional që nuk ka në interes problemin social, por qëllimi është rritja e audiencës.

Trajtimi i ngjarjeve personale të personave privatë, për të cilët nuk ka arsye të një interesi publik, si lajme interesante, duke e cenuar privatësinë e personit, duke e shndërruar historinë e tij në një temë publike, mund edhe t’i shtyjë njerëzit e tjerë, veçanërisht familjarët e atyre personave, në depresion, apo edhe më keq, të bëjnë një tjetër akt tragjik. Ky efekt psikologjik i medieve është i përhapur gjithandej dhe injorimi i tij është një gabim që po i kushton dhe do t’i kushtojë edhe më shumë shoqërisë sonë.

Shembull që duhet ndjekur është ai i gazetës zvicerane, |Blick”, e cila rastin tragjik të vrasjes së 7-vjeçarit nga Kosova e trajtoi në mënyrë jashtëzakonisht të lartë profesionale dhe etike.

“Blick-u” për asnjë moment nuk zbuloi identitetin e të dyshuarës për vrasjen e 7-vjeçarit, sikurse respektoi privatësinë e viktimës dhe të familjes së tij. Madje, në një raportim “Blicku” përdori emra fiktivë, sa për ilustrim dhe në fund të raportit, me një fusnotë (*) tregonte se emrat në atë raport ishin fiktivë.

I njëjti rast u raportua edhe në mediet tona, disa prej të cilave jo vetëm që zbuluan identitetin e fëmijës, por publikuan edhe fotografi të tij. Ky rast duhet shfrytëzuar që secili gazetar e redaktor t’ia rikujtojë vetvetes standardet etike dhe nevojën që ato të respektohen.

Media online duhet ta vazhdojë zhvillimin pozitiv, të rrisë profesionalizmin në raportim, të respektojë standardet etike, t’u japë më shumë hapësirë informacioneve që janë në interes të publikut dhe të funksionojë për të kryer misionin e saj primar, informimin.

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, , ,

Send this to a friend